A ËSHTË PD E PËRGATITUR TË VIJË NË PUSHTET? – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

A ËSHTË PD E PËRGATITUR TË VIJË NË PUSHTET? – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i të shtunës tregoi shumë për këtë parti. Edhe 5 vjet e gjysmë nga zgjedhja si kryetar, Lulzim Basha nuk arriti t’ia ngrejë kuotat organizatës politike që drejton, duke shtuar dyshimet nëse Partia Demokratike është e përgatitur të bëjë rrokadën me Partinë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. PD i ngjan një avioni që ende nuk po merr lartësi dhe endet mes dilemës të ndërrojë markën e avionit apo vetë pilotin. Sindromi i radhës së qumështit, sipas të cilës, PD-së së Bashës do t’i vijë radha të jetë në pushtet me arsyen se ndërkombëtarët nuk do ta lënë Ramën më shumë se 8 vjet kryeministër, është ngulitur fort në mendjen e lidershipit të kësaj partie dhe duket që edhe vetë Basha e beson. Një fjalim mesatar që nuk rrezatonte frymë, një mungesë besimi që e ka shoqëruar përgjatë viteve si kryetar, dorëheqjet e 10 kandidatëve për të garuar në Këshillin Kombëtar pa llogaritur gafën me Anila Godon e PR-së, lënia jashtë e shumë figurave si asete të kësaj partie dhe diletantizimi politik se rikthimi i Oketës dhe Biberajt ishin si ai i Skënderbeut në Krujë, lënë shumë për të kuptuar se kjo parti jo vetëm ka shumë probleme, por është arsyeja kryesore se Edi Rama qeveris i qetë edhe pse 20 mijë studentë kanë mbi 10 ditë që kanë braktisur auditorët dhe janë në rrugë.

JO DHUNË PËR TË MARRË PUSHTETIN

Nëse ka një vlerë Këshilli Kombëtar i PD-së është pjesa e fjalimit kur kryetari Lulim Basha deklaroi hapur se PD nuk vjen në pushtet me dhunë. Këto ditë që studentët kanë dalë në rrugë, një pjesë e mirë e PD, sidomos e militantëve, kanë qenë të prirur jo vetëm për t’iu bashkuar por për të ndezur një revolucion që do largonte Ramën si kryeministër. Dhe revolucion në Shqipëri nuk ka kuptimin që protestuesit të mbajë nga një lule në dorë. Por këtë ëndërr të keqe e ndërpreu Basha që për hir të vërtetës duhet thënë se tregoi një meritë jo të vogël. Për herë të parë në këto 28 vjet një parti politike artikulon qartë se nuk do të vijë në pushtet me dhunë. Kjo merr rëndësi për Shqipërinë nëse do kemi parasysh historinë moderne shqiptare. Ngjarjet e vitit 1997 kur shteti u thërrmua si një pirg rëre dhe PS erdhi në pushtet, përpjekjet më armë të PD më 14 shtator 1998, ngjarjet e 21 janarit 2011 janë pjesa e zezë e politikës shqiptare se si një forcë politike jo vetëm shfrytëzon, por vetë bëhet pjesë e dhunës për të ardhur në pushtet. Kryetari Basha e përjashtoi qartë këtë duke u bërë edhe lideri i parë politik që synon vota dhe jo dhunë. Pavarësisht çdo lloj diskutimi madje edhe të atyre që thonë se Basha është kundër dhunës se nuk e bën dot, duhet vlerësuar. Ky është moment të themi se është shënuar një epokë të re për politikën shqiptare: Vota dhe jo dhuna për të marrë pushtetin.

TË KTHYERIT? PRANVERA ME DY LULE S’VJEN

Lulzim Basha ka qenë i ngazëllyer teksa shikonte në sallë që sipas tij ishin të rikthyerit e mëdhenj. I pari Gazmend Oketa që ka një histori të çoroditur në politikë. Student i Lëvizjes Dhjetor 1990, befas pas 15 vjetësh u bë pjesë e PD kur mori pushtetin për herë të dytë në vitin 2005. Deputet dhe ministër i Mbrojtjes, duke qenë edhe zëvendëskryeministër Oketa vlerësohej si një risi në politikë. I ndershëm, i qetë, luajal, ai cilësohej në PD djali i mirë Gaz Oketa. Por mjaftoi një përplasje me kryetarin dhe kryeministrin Berisha dhe ai u kthye në kundërshtar. Pa bërtitur dhe pa tamtame, Oketa dha dorëheqjen dhe zgjodhi largimin duke zbuluar pas 20 vjetësh se në PD nuk kishte demokraci. U bë pjesë e Frymës së Re Demokratike dhe ishte i bindur se aty gjeti lirinë. Por nuk ishte e thënë. Edhe te Fryma nuk gjeti frymë. Dhe tani kur të gjithë figurat e PD akuzojnë Bashën për përçarje dhe mungesë lirie, pikërisht në këtë moment dhe aty Oketa ka gjetur më në fund frymën dhe lirinë. A është e besueshme kjo? Nuk besojmë se Basha ka të drejtë të mburret me këtë rikthim. Do vijë një ditë sipas rregullit që ndjek vetë Oketa që ai do zbulojë që edhe Basha nuk i jepte liri. Do lërë PD-në dhe do shkojë ne Gjermani në pritje të ndonjë partie tjetër që premton frymë dhe liri. Por vitet shkojnë dhe nga student 22-vjeçar i Dhjetorit 1990, Oketa tashmë është një gjysmëshekullor i Dhjetorit 2018. Rrjedhimisht koha nuk i jep atij të drejtë. Pak më ndryshe e Biberajt sepse edhe pse aderoi në partinë e Bamir Topit, ai nuk u bë pjesë e Frymës që në start të saj. Përfundimisht Basha nuk mund të ndjehet mirë që largimin e shumë figurave nga PD e zëvendësoi me dy të larguarit e kohës së Berishës. Si në proverbin e njohur, rasti nuk vlen as të themi se pranvera me dy lule nuk vjen.

TË LARGUARIT DHE GAFA ME GODON

Në Këshillin Kombëtar nuk ishin Ridvan Bode, Astrit Patozi, Arben Imami, Majlinda Bregu. Pa llogaritur që në të nuk morën pjesë as Jozefina Topalli dhe Eduard Selami si kryetarë Kuvendi dhe kryetar partie të dikurshëm dhe që sipas statutit janë automatikisht anëtarë të Këshillit Kombëtar. Por ajo që ra shumë në sy ishte dominoja e dorëheqjeve. Edith Harxhi, Edvin Kulluri, Arben Skënderi, Fabian Topollaj, Gent Minarolli, Valbona Mezini, Erla Mëhilli, Mimoza Hajdarmataj dhanë secili nga një arsye përse nuk vijonin garën. Një pjesë as nuk ishin njoftuar që ishin pjesë e garës duke treguar mungesën e seriozitetin e kryetarit Basha. Një pjesë gjetën nga një justifikim për angazhime të tjera dhe një pjesë deklaruan hapur fare se nuk ishin fare dakord me Bashën për mënyrën se si po e drejtonte partinë. Por rasti flagrant ishte ai i Anila Godos, vajzës së Sabri Godos, një politikani legjendë të të djathtës dhe një patriark i politikës shqiptare i tranzicionit por që ishte në gen pjesë e Partisë Republikane. Se si mund tio vendosësh emrin pa e pyetur një person, këtë vetëm Basha e di. Por se si mund ti vendosësh emrin një pjesëtare anëtare, deputete e deri ministër në 28 vjet të partisë Republikane, kjo është fare e pakonceptueshme. Një mungesë serioziteti dhe një çoroditje që vetëm në PD-në e Bashës ndodh.

ELITA E RE POLITIKE

Kryetari Basha deklaroi se vendi ka nevojë për një elitë të re politike. Edhe pse ide jo e re është shumë e bukur dhe më rëndësi jetike për vendin. “Duhet një brez i ri politik, duhet një elitë e re e vendit, e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve” deklaroi ai duke e veshur këtë frazë edhe mes thirrjeve se brezi i ri dhe i sotëm i politikës duhet të largojë të keqen. Ngjan si një poezi me rimë për përshpejtuar kjo fjali. A e dini pse? Me kë do ta bëjë elitën e re politike Lulzim Basha, me Grida Dumën? Nëse ai mendon se me të mund t’i thuhet ndal të keqes, atëherë PD-në përfundimisht e ka marrë rrjedha e lumit. Në PD ka shumë e shumë figura që u duhet dhënë dhe lënë hapësirë shumë më shumë se Duma. Ka vajza e gra, djem dhe burra me integritet dhe me formim perëndimor dhe që gëzojnë respekt në masën e njerëzve. Zoti Basha, nëse do të ndërrosh elitën politike, të nderohesh dhe të krijosh besim, jepi besim Jorida Tabakut, Ina Zhupës, Mateo Spahos, Arbër Agalliut e shumë të tjerëve që njerëzit i duan se kanë integritet dhe përfaqësojnë vërtetë një elitë të re dhe me integritet. Jo çdo i ri në moshë përfaqëson elitën e re politike. Sepse nëse do t’i bësh zëvendësimet me emra pa vlera, jo vetëm elita nuk zëvendëson, por ju bëheni bashkëfajtorë që elitat e vjetra qëndrojnë ende në politikë. Ky është dallim i madh.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: