18 DITË PROTESTË DHE 16 DITË PUSHIME, PËRSE E ARDHMJA E PROTESTËS SË STUDENTËVE ËSHTË NË PIKËPYETJE - ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

18 DITË PROTESTË DHE 16 DITË PUSHIME, PËRSE E ARDHMJA E PROTESTËS SË STUDENTËVE ËSHTË NË PIKËPYETJE - ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Pas 18 ditësh protestë në rrugë, studentët do pushojnë 16 ditë në shtëpi, por duke premtuar se do rikthehen më të fuqishëm më 7 janar. Nuk kishte ndodhur më parë një protestë kaq qytetare dhe kaq e fuqishme njëkohësisht, që zgjoi të madh e të vogël dhe tronditi qeverinë në atë pikë sa të pranonte se “morëm një shuplakë”. Madje i dha një leksion falas gjithë klasës politike, se të rinjtë dhe vetëm ata mund të marrin fatet e vendit në duar. Për 18 ditë, fjala “studentët” nuk ishte përdorur në Shqipëri aq shumë sa në dhjetorin e vitit 1990. Por nuk kishte ndodhur gjithashtu, që protestuesit të merrnin pushime për t’ia nisur sërish atje ku e lanë. Por deri të hënën e parë të vitit 2019 do rrjedhin jo pak ujëra dhe për faj ose jo, protesta lë pikëpyetje që duket sikur janë aq afër dhe larg; saqë dështimi dhe suksesi, zbehja dhe bërja e saj më masive qëndrojnë shumë pranë. Duket sikur të dyja i ndan një tis i hollë, që në vartësi të rrethanave dhe mënyrës së organizmit do të përcaktojnë se cila do triumfojë. Qeveria nga ana e saj ka nisur marrjen e mesave. Një prej tyre janë edhe ndryshimet e mëdha në kabinet. Dhe kthimi në protestë në janar, me shumë gjasa është që t’i gjejë studentët pa ministren e Arsimit, por edhe me një qeveri pothuajse të re, të rikompozuar, që natyrisht është fitorja e parë e madhe e studentëve. Por që njëkohësisht, lë shumë pikëpyetje mbi zgjidhjen e 8 pikave, për të cilat ata dolën në rrugë.

  1. ENERGJIA E RIKTHIMIT

Sa garanci ka që studentët do rikthehen sërish në protestë? A do të shërbejnë pushimet për rigjenerim të forcave, apo do t’ua zbehin dëshirën për të dalë sërish në rrugë? Ata vërtet mund të rikthehen, por a do kenë atë frymë, atë dëshirë, atë pasion për të qëndruar në rrugë dhe rezistuar, apo kjo dëshirë dalëngadalë do vijë në shuarje? A do të jetë ajo si një zjarr që pasi i ka djegur mirë drutë, flakët arrijnë pikun dhe më pas ato shuhen gradualisht, apo do t’i ngjajnë vullkanit që shpërthen dhe derdh llavën? Janë pyetje të shtruara, pikërisht jo vetëm nga rrethanat, por edhe nga atmosfera e vetë studentëve. Shumë janë pyetur këto ditë për të ardhmen e protestës dhe të shumtë janë ata që kanë thënë se do kthehen më 7 janar, por sesa dhe sesi, askush nuk di të thotë më shumë. Kjo lë shumë paqartësi dhe vetëm ajo e hënë do vërtetojë ose jo rikthimin e tyre.

  1. MUNGESA E PËRFAQËSISË

Habia e të gjithë kësaj proteste ka qenë mungesa e një përfaqësie. Nuk ka ndodhur më parë në Shqipëri që të ketë patur një reagim apo protestë dhe të mos ketë një grup organizator, një përfaqësi apo komitet. Por studentët i lanë të gjithë me gojë hapur duke mos përfaqësuar kënd. Një studente të cilën e kam pyetur në studion e emisionin që unë drejtoj, përse nuk kishin përfaqësi, më dha një përgjigje befasuese: “Kush jam unë të përfaqësoj 1+40 mijë studentë? Sado që unë të përpiqem, nuk mund të përçoj kurrë zërin e të gjithëve”. Këto fjalë të lënë pa gojë, kur dimë që jemi një shoqëri që vdesim për protagonizëm, marrim mandate pa na i dhënë kush dhe e quajmë pushtetin si pronën tonë. Por studentët e kanë kapërcyer këtë pa asnjë këshillë. Kjo mënyrë duket se i ka zënë në çark ata që mendojnë se dinë gjithçka dhe bëjnë gjithçka. Ka zëra që i përkasin brezit dhe mentaliteti të vjetër, të cilët shprehen se studentët janë të organizuar, por nuk tregojnë. Por studentët, këto lloj mentalitetesh i quajnë të ardhur nga lashtësia dhe i kanë flakur tutje. Ata treguan për 18 ditë se ishin njëkohësisht shumë të organizuar, por pa përfaqësi, një cilësi që asnjë brez në Shqipëri nuk e ka realizuar në këtë formë. Megjithatë, në gjendjen që jemi, nuk e dimë nëse kjo do të vijojë po kështu. A do vijojë protesta në janar pa përfaqësi, apo do zgjedhë kokën e saj? Pak gjasa ka të ndodhë dhe pak gjasa ka të mos ndodhë. Është një dilemë që pritet të zgjidhet, pikërisht në pjesën e dytë të protestës.

  1. LIGJI I ARISMIT TË LARTË

Thembra e Akilit në të gjithë këtë histori është ligji i arsimit të lartë. Sado arnime dhe rregullime të bëjë qeveria dhe kryeministri, mosabrogimi i këtij ligji do ishte një dështim I plotë për qeverinë. Deri më sot, askush nuk e di nëse do ndodhë ose jo. Madje dhe vetë studentët nuk e kanë të arikuluar qartë nëse duan të abrogohet ky ligj ose jo. Por nëse kjo nuk bëhet, e gjithë kjo protestë nuk do ketë vlerë. Nuk mund të vijojë me logjikën që kryeministri vetë nuk ishte i informuar se nuk i dinte këto probleme. Kur akademiku Arta Fuga gati ulërinte se ligji i arsimit të lartë ishte një krim, shumëkush jo vetëm e kundërshtuan, por në mënyrë të turpshme e kundërshtuan deri në përçmim. Por sot ajo ulërimë i dha të drejtë profesor Fugës dhe ata që debatuan me atë atëherë, që nga ministrja Nikolla e të tjerë pas saj, sot kanë futur kokën në rërë, por trupin dhe turpin e kanë të zbuluar. Prandaj, abrogimi i këtij ligji, ngritja e një grupi pune për hartimin e një ligji të ri të përshtatshëm do të ishte zgjidhja finale e kësaj historie.

  1. DIALOGJET E KRYEMINISTRIT

Kryeministri Edi Rama tregoi më shumë se guxim teksa nisi bashkëbsiedime me studentët në Vlorë dhe në Tiranë. I ideuar keq nga specialistë dhe “spin doctors” që i ka rreth vetes, me metoda të njëjta të përdorura më parë, Rama synoi të arrinte të njëjtat rezultate edhe me studentët. Por harroi Rama dhe të tijtë, që studentët nuk janë as naftëtarët e Zharrëzës që ua zgjidh hallin me video-projektor, as ata që marrin tapitë LIVE të ulur në një arë, ndërsa krani i ETV filmon 360 gradë ceremoninë në të cilën Rama tallet duke bërë kryeministrin, moderatorin, gazetarin e deri filozofin. Rama dhe të tijtë harruan se studentët janë pjesa më e emancipuar e shoqërisë, pa komplekse dhe më e rëndësishmja, atyre djemve dhe vajzave nuk ua bën syri tër kur janë përballë Ramës e nuk kanë asnjë lidhje me komunizmin. Më të mëdhenjtë në moshë kanë lindur pas vitit 1997 dhe moshën e brezit të Ramës dhe të bashkëpunëtorëve të tij e perceptojnë si antike. Nuk kanë komplekse, nuk kanë interesa dhe shpengimi i tyre është cilësia më e dukshme. Në këtë kontekst, vijimi i dialogjeve pritet të jetë shumë herë edhe më i vështirë. Vlora dhe arkitektura në Tiranë ishin asgjë, nëse ai një ditë do jetë përballë studentëve të Filologjikut, që komunikimin e kanë specialitetin e tyre. Me atë që njoh unë, këta studentë nuk janë as rrugaçë e as pa edukatë, por kanë një mjeshtri komunikimi dhe artikulmi që vërtet kryeministrit do t’ia sugjeroja që të mos e zhvillonte fare bisedën me ata. I kujtojmë Ramës se ata janë brezi i Ambrozias, asaj gazetares së re që pak muaj më parë e detyroi kryeministrin të ndërpresë konferencën për shtyp, e paparë dhe e padëgjuar më parë një gjë e tillë as nga gazetarët e famshëm e as nga gazetarët të lashtë që  paguhen me shumë zero. Sado që Rama të ketë mjeshtri në komunikimin, sado të ketë mjeshtra pranë veshëve të e tij që i pëshpëritin se ç’duhet të bëjë, përballë nuk do ketë “filoqylsa”, por studentë të aftë dhe me një mentalitet, artikulim dhe logjikë, përballjen me të cilët e pret dështimi. Gjithsesi, duhet të presim nëse Rama do të vijojë dialogun e vet duke zbatuar rregullin e Herodotit të lashtë se më lehtë është të mashtrosh një turmë, sesa një individ. Por studentët vërtetuan këto ditë, se nuk pyesin shumë për rregullat që vijnë nga lashtësia.

  1. NDRYSHIMET NE QEVERI DHE A JEMI NË KRIZË POLITIKE?

Edhe në ditën e 18-të protestës, por edhe më 7 janar kur pritet rikthimi, nuk e dimë se cila do të jetë zgjidhja e kësaj situate. Duhet thënë se kryeministrit i intereson që gjithçka të zgjidhet sa më shpejt. Situata politike nuk është shumë e favorshme dhe ai vërtet është në vështirësi politike. Protesta e Astirit, skandalet e rrugëve me abuzime dhe falsifikime, presioni i opozitës janë shumë fronte, që i duhet t’i menaxhojë. Prandaj Rama është në luftë me kohën. Zgjedhjet lokale janë në horizont dhe sa më shumë kohë kalon, aq më problem do jetë për të dhe mazhorancën. Ndryshimet në qeveri që mendohet se do realizohen në ditët e fundit të këtij viti, mund të jenë një lloj shkarkimi, por valvula e përdorur nuk pritet të jetë zgjidhja. Këto ndryshime, Rama duhet t\i kishte realizuar në fillim të shtatorit kur edhe e premtoi, por duket se punët janë aq keq sa edhe vetë ai e kupton që ministra si Nikolla dhe Kumbaro kanë qenë në kurrizin e tij më shumë sesa qeveria në kurriz të popullit. Por a e zgjidhin situatën politike këto ndryshime? A do të sjellin këto ndryshime, qetësinë politike të kësaj mazhorance? Të presim, nëse këto ndryshime mund të ndryshojnë situatën.

  1. CILA ËSHTË ZGJIDHJA

Kryeministri dhe qeveria vijoi me aktivitete të dendura, duke bërë propozime me 8 pika e nga ana tjetër, studentët që nuk janë dakord. Atëherë, cila është zgjidhja? Nuk kërkon trurin e Leonardo Da Vinçit për të kuptuar që Rama po përdor metoda bindëse, përçarëse dhe zgjidhje periferike për të shkuar te zgjidhja finale. Por deri tani, studentët nuk janë përulur. Nëse kjo situatë vijon, do të kemi një opozicion më të fortë të studentëve dhe më të vështirë për kryeministrin. Por nëse studentët binden dhe nënshtrohen, atëherë fitorja do t’i takojë Ramës. Marrim vetëm një aspekt: Nuk është zgjidhje e mjaftueshme, që sipas Ramës do publikohen online të gjitha diplomat e doktoraturave të pedagogëve. Këto lloj hilesh janë naive. E ndershme duhet të ishte që të publikohen të gjitha diplomat e doktoraturave të marra pas vitit 1990 e deri më sot, pedagogë ose jo, shkencëtarë ose jo, politikanë ose jo. Kjo do të ishte e ndershme. Por kjo mazhorancë nuk e bën këtë, sepse ka shumë dyshime se brenda radhëve të saj ka doktorë shkencash fiktivë. Vërtet është kriminale që një pedagog të ketë bërë një punim të dobët apo më keq akoma, ta ketë kopjuar atë. Por do ishte metaforisht krim kundër njerëzimit nëse këtë e kanë bërë ata që kanë fuqi vendimmarrëse, deputetët, qeveritarët dhe ata që drejtojnë shtetin. Prandaj, e drejtë do ishte që çdo doktoraturë dhe punim të publikohej. Kam qenë prezent pak ditë më parë kur tre doktorantë ekonomistë paraqitën në Bankën e Shqipërisë punimet e tyre. Të tre ishin pak më shumë se 30 vjeç. Por sa të thelluar, sa analitikë dhe sa seriozë ishin në atë që kishin paraqitur. Jam i bindur që nëse punimet e tyre do krahasoheshin me një takëm pedagogësh të së njëjtës fushë që kanë marrë grada pas vitit 1990, do kishin jo thjesht ndryshim, por diferencë të lartë. Prandaj, publikimi online i çdo punimi do ishte zgjidhja më e mirë sesi dhe sa është ky ndryshim.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: