10 NGJARJET QË TRONDITËN SHQIPËRINË NË VITIN 2018 – SPECIALE NGA ROLAND QAFOKU

10 NGJARJET QË TRONDITËN SHQIPËRINË NË VITIN 2018 – SPECIALE NGA ROLAND QAFOKU
Protesta e studentëve, ajo e “Astirit”, si dhe e kukësianëve në rrugën e Kombit, dorëheqja e Xhafës dhe ngërçi i dekretimit të Lleshajt, skandali me djalin e deputetit Rrahja, arresti në shtëpi i Tahirit, dëbimi i katër diplomatëve të huaj dhe kthimi i eshtrave të Mit’hat Frashërit. Pa harruar shtyrjen dramatike në qershor dhe dhjetor të çeljes së negociatave me BE. Cilat janë 10 ngjarjet që tronditën Shqipërinë gjatë vitit që po mbyllet. Për keq dhe për mirë

Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Edhe këtë vit Shqipëria vazhdoi t’i ngjajë trupit që nuk i ikin ethet. Të bësh bilancin e 365 ditëve të 2018-ës, do të thotë të mos ndjehesh shumë entuziast. Fjala protestë dhe ajo ikje, ishin më të përdorurat e këtij viti, të ndikuara nga një ekonomi në rënie, rritje e krimit të organizuar, skandale të shpeshta qeveritare dhe tensioni politik në rritje.

Po rendisim sipas rëndësisë, 10 ngjarjet që tronditën Shqipërinë gjatë vitit 2018.

  1. PROTESTA E STUDENËTVE(3 dhjetor-21 dhjetor)

Për 18 ditë studentët e shkundën Shqipërinë. Ndonëse kur dolën në fillim i morën si çapaçulë që po gudulisnin qeverinë, ata u shndërruan në një uragan duke bërë që shoqëria shqiptare të ndjejë se ka ende shpresë. Nga 3 deri më 21 dhjetor, mijëra studentë të universiteteve të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Shkodrës. Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërprenë mësimin dhe organizuan protestën më të madhe, më qytetare dhe më shpresëdhënëse në historinë e tranzicionit. Nisi spontanisht nga disa studentë të Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin Politeknik të Tiranës lidhur me tarifat e larta në provime. Por atyre iu bashkuan dhe solidarizuan dalëngadalë shumë studentë të tjerë, nga të gjitha universitetet, aq sa vetëm dy ditë më pas, rruga e Durrësit përpara godinës së ministrisë së Arsimit ishte e mbushur plot. Të paorganizuar në përfaqësi, studentët rritën numrin e kërkesave dhe më pas dolën hapur me 8 pika, pas të cilëve shtuan dhe anulimin e ligjit për arsimin e lartë.

E papërgatitur nga një reagim i tillë masiv, qeveria u ndje aq ngushtë saqë vetë kryeministri Edi Rama pranoi publikisht se kjo protestë ishte një shuplakë për qeverinë, por edhe një grusht për opozitën, si dhe një shpresë për shoqërinë shqiptare. Për të qetësuar studentët, Rama ndërmori vetë disa takime në tre universitete. Por për herë të parë komunikimi publik i tij çaloi sepse mesa duket këshilltarët i sugjeruan të njëjtën metodë që kishte përdorur më parë me grupe të ndryshme interesi, me synimin për të marrë fryte të njëjta. Kjo nuk funksionoi. Studentët debatuan ashpër me Ramën, madje disa edhe me ofeza dhe nga një strategji për dialog ky ishte një dështim në komunikim. Studentët ndërprenë për shkak të festave protestën më 21 dhjetor, por me premtimin që do ta rinisin atë sërish më 7 janar. Më 26 dhjetor kryeministri bëri publike disa vendime të qeverisë ku më i rëndësishmi është ai i përgjysmimit të tarifave, si dhe zerimi i tarifave për studentët me mesatare 10. Megjithatë Rama deklaroi se nuk do ndryshohej ligji për arsimin e lartë, një vendim i cili nuk dihet se si do të pritet nga studentët.

  1. PROTESTA E KUKSIANËVE PËR TAKSËN (31 mars)

Pa organizim politik, madje pas pa asnjë mbështetje, rreth 500 banorë të zonës së Kukësit, kundërshtuan dhunshëm më 31 mars taksën e kalimit në rrugën e Kombit. Qeveria kishte vendosur që pagesa e kalimit në atë rrugë të ishte 5 euro hyrje dhe 5 euro dalje para që futeshin në arkën e kompanisë private e cila do të kujdesej për mirëmbajtjen e saj. Kjo solli irritimin e banorëve që pasi hodhën parulla kundërshtuese i vunë zjarrin dhe shkatërruan sportelet. Disa protestues u arrestuan dhe disa policë morën lëndime fizike ndërkohë që opozita e mbështeti protestën me deklarata. Qeveria u gjet e papërgatitur duke bërë që vetë kryeministri të deklarojë se kishte bërë gabim që nuk ishte konsultuar. Kjo bëri që ai të tërhiqej pjesërisht dhe qeveria uli pagesën për banorët e Kukësit në 100 lekë të rinj. Nga 17 shtatori kjo taksë paguhet sërish në pikat e sporteleve të rindërtuar pas shkatërrimit dhe fakti që nuk ka patur asnjë reagim duket se banorët janë dakord. Kurse të tjerët, paguajnë 1320 lekë (rreth 11 euro) ose 1 euro më shumë se ç’ishte tarifa para djegies së sporteleve.

  1. PROTESTA E ASTIRIT (nëntor-dhjetor)

Nëntori dhe dhjetori ishin dy muaj pothuajse jetikë për afro 1 mijë banorë të zonës së “Astirit” në Unazën e madhe në Tiranës. Rruga ekzistuese do të zgjerohej sipas një projekti me parametra modernë dhe qeveria mori vendim për shkatërrimin e 300 banesave. Një pjesë e tyre që ishin të legalizuara do të dëmshpërbleheshin me çmime më të ulëta se tregu dhe të palegalizuarit nuk do të shpërbleheshin fare, por bashkia u siguronte deri tre vjet qira. Kjo solli reagimin e banorëve që për afro dy muaj dolën në rrugë, bllokuan këtë aks dhe arritën deri në djegien e gomave dhe kazanëve të plehrave në atë zonë. Më 22 nëntor protesta e zhvendosur përballë Parlamentit mori një rrjedhë aspak pozitive. Nga një kapsollë e hedhur nga turma, polices Ina Nuka iu këputën dy gishtat e njërës dorë. Reagimi i policisë dhe i qeverisë ishte mbresëlënës dhe ajo u dërgua në një spital në Turqi me shpenzimet e shtetit ku u arrit që gishtërinjtë t’i ngjiten me metoda nga më bashkëkohoret. Ndërkohë si autor i kësaj plagosjeje, u arrestua 18-vjeçari Daniel Dobraj.

  1. DORËHEQJA E FATMIR XHAFAJT (27 tetor)

Mëngjesin e 27 tetorit ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen nga posti dhe kryeministri Edi Rama e miratoi këtë largim. Ishte e papritur në atë moment kjo dorëheqje, por jo disa muaj më parë. Prej tre muajsh, Xhafaj u vendos nën rrebeshin e sulmeve dhe akuzave të opozitës dhe medias që mbështeti atë, pas atij që u quajt skandali i vëllait të Xhafës, Geron Xhafaj.

Së pari vëllai i tij sipas opozitës, ishte i dënuar në Itali për trafik droge, por nuk kishte kryer dënimin dhe ministri e detyroi të vëllanë duke e dërguar në një burg në kryeqytetin e Italisë. E dyta lidhet me një videopërgjim sipas të cilit një personazh me emrin Albert Veliu, i njohur me nofkën “Babale” rezultonte nga një përgjim se bisedonte me vëllanë e Xhafës për trafik droge. Opozita kërkoi shkarkimin e Xhafës ndërkohë prokuroria nisi hetimet. Xhafaj dhe Rama deklaruan se kjo ishte një shpifje e ulët. Edhe nga hetimet e prokurorisë nuk rezultoi që zëri të ishte i vëllait të ministrit. Opozita e cilësoi prokurorinë si filial të qeverisë dhe që kishte abuzuar me dosjen. Gjithsesi, ajo që mbeti ishte jehona e këtij skandali që për opozitën lidhej edhe me faktin se kjo qeveri ishte e lidhur me trafiqet. Për rreth 2 muaj lajmi numër 1 në Shqipëri ishte videoja me zërin e “Babales”. Më tej pasoi një heshtje disamujore dhe si finale kjo histori pati largimin e ministrit Xhafaj nga detyra.

  1. EMËRIMI NGËRÇ I SANDËR LLESHAJT (16 nëntor)

Atë luftë të fortë politike që nuk e bëri opozita e bëri presidenti Ilir Meta. Kreu i shtetit nuk dekretoi emërimin e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj që kryeministri Rama ia kishte propozuar atij. Ngërçi zgjati dy javë dhe argumenti i Presidentit ishte se Lleshaj mbante njëkohësisht gradën e gjeneralit dhe kjo nuk përputhej me Kushtetutën. Faktikisht, si kryeministri dhe vetë Lleshaj, e pranuan këtë lapsus juridik dhe kërkuan heqjen e gradës. Pas kësaj Presidenti firmosi heqjen e gradës dhe dekretimin e Lleshajt si ministër i Brendshëm. Më shumë se në një lapsus juridik i Kryeministrit, dekretimi i Lleshajt tregoi se marrëdhëniet mes Presidentit Meta dhe Kryeministrit Rama nuk janë më të mirat. Meta, ishte më me përvojë dhe maturi politike përballë Ramës që mendon se ka të drejtë edhe kur s’ka të drejtë. Kjo solli një fitore të Metës që ndonëse duket e vogël, tregoi shumë. Ai konfirmoi edhe një herë se vërtetë posti i presidentit të Republikës nuk ka shumë kompetenca, por lufta politike nuk është më pak e rëndësishme se kompetencat.

  1. DJALI I DEPUETIT DHE ERISELDA (29 korrik)

Një tjetër skandal iu atashua mazhorancës dhe aferave të saj kur më 29 korrik ish-kryeministri Sali Berisha bëri publik një skandal nëpërmjet asaj që ai e quan qytetari digjital. Një vajze me emrin Xhisiela Maloku nga Fushë Kruja nuk ishte marrë denoncimi në polici sipas të cilit ajo akuzonte për përdhunim Rexhep Rrahjes, djalin e deputetit të PS Rrahman Rrahja. Denoncimin e Berishës e sqaroi publikisht pak ditë më pas oficeri i policisë Emiljano Nuhu i larguar nga Shqipëria në një shtet tjetër pas kërcënimeve që kishte marrë pas kësaj ngjarjeje. Skandali merrte përmasa më të mëdha sepse sipas pretendimeve të Nuhut ai ishte kërcënuar me pistoletë në zyrën e vet nga deputeti Rrahja dhe persona të tjerë, ndërkohë që aty ishte prezent edhe Sekretari i Përgjithshëm dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla. Hetimet në fakt zbardhën shumë detaje dhe Rexhep Rrahja u arrestua. Por Xhisiela tërhoqi denoncimin dhe nga viktimë e ktheu veten dhe ngjarjen, në një histori të çuditshme dashurie. Këto versione vajza i dha në intervista të ndryshme që dha në disa televizione.

  1. DOSJA “TAHIRI”

Nëse ka një politikan që ka vuajtur nga politika gjatë vitit 2018 ky është Saimir Tahiri. Një nga prurjet e reja në PS, deputet, kryetar i PS për Tiranën, i cilësuar si ministër i suksesshëm, Tahiri u përfshi në një skandal me disa të afërm të vet që hetoheshin në Itali për trafik droge dhe e gjitha kjo gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Në fakt kanë kaluar disa etapa hetimet ndaj tij. Madje në Itali çështja u mbyll. Megjithatë Partia Socialiste e përjashtoi nga grupi parlamentar dhe radhët e saj, për ta lënë në dorë të prokurorisë. Ishin ditë që në media u shkrua se arrestimi i tij ishte çështje orësh. Gjithsesi Tahiri u vendos me masë sigurie arrest shtëpie nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda. Më 20 nëntor gjykata e Apelit e liroi nga arresti shtëpiak dhe kjo u cilësua si një fitore e Tahirit. Në momentin kur mendohej se Saimir Tahiri do të rikthehej në politikë, ambasada amerikane bëri një deklaratë që e ktheu sërish procesin duke deklaruar se ndaj gjyqtarëve kishte patur presion. Kështu, Tahirin nuk e ndihmoi dot as fakti që gjykata e Katanias e pushoi çështjen ndaj tij.

  1. DËBIMI I RUSËVE (26 mars dhe 19 dhjetor)

Ishim mësuar që ngjarje të tilla t’i përkisnin vetëm rubrikës Dossier. Por gjatë vitit 2018 Shqipëria ka dëbuar nga territori i saj 4 diplomatë të huaj për veprimtari spiunazhi dhe terrorizmi. Ata janë dy diplomatë rusë dhe dy diplomatë iranianë duke konfirmuar se lufta e ftohtë vijon në forma të reja edhe në vitet 2000. Diplomatët rusë ishin Vladislav Filipov, atashe ushtarak dhe Alexey Nikolaevich, sekretari i Parë i kësaj ambasade. Ata u dëbuan më 26 mars dhe qeveria shqiptare i shpalli non grata. Ministria për Evropën dhe Punëve të Jashtme tha se dy diplomatët u dëbuan pas konflikteve të fundit mes Rusisë dhe Britanisë së Madhe pas helmimit të ish spiunit rus Sergei Skripal në Britani. Shqipëria është pjesë e aleancës së Atlantinkut NATO dhe me këtë vendim tregoni koherencën dhe të qenit në unison me aleatët e mëdhenj. Por ky dëbim u shoqërua edhe dëbimin e dy diplomatëve shqiptarë nga pala ruse në Moskë duke na kujtuar edhe një herë Luftën e Ftohtë në vitet 60-të. Ndërkohë dëbimi tjetër ndodhi më 20 dhjetor. Këtë herë qeveria shqiptare shpalli non grata dy diplomat të ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, një prej tyre ishte vetë ambasadorin Gholamhossein Mohammadnia. Sipas të dhënave kishte dyshime të forta që diplomatët ishin të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme dhe terroriste. Bëhet fjalë për një organizim për akt terrorist ndaj kombëtares së futbollit izraelit, e cila luajti në Shqipëri pak muaj më parë.

9. KTHIMI I ESHTRAVE TË MIT’HAT FRASHËRIT (14 nëntor)

69-vjetori dhe fiks 69 pas vdekjes në SHBA iu rikthyen eshtrat në Shqipëri. Mit’hat Frashëri me këtë kthim shkaktoi gëzim por edhe debat mes ithtarëve dhe kundërshtarëve të tij. Më 1 gusht u mor vendimi dhe 14 nëntor u zhvillua ceremonia e rivarrimit të eshtrave nga varrezat “Fernchff” në Nju Jork në kodrat e liqenit të Tiranës, duke përgatitur gjithçka në kohë rekord. Pas Eqrem bej Vlorës, Mit’hat Frashëri bëhet personaliteti i dytë që qeveria e Edi Ramës sjell me nderime eshtrat e tyre në Shqipëri. Megjithatë kjo ngjarje e mirë nuk mbeti pa debate. Ithtarë të idesë se Mit’hat Frashëri ishte një tradhtar, kundërshtuan kthimin e eshtrave me një ceremoni zyrtare. Në media pati shumë debate duke shkuar deri në perifrazime të llojit: Lumo Skëndo ishte patriot, ndërsa Mit’hat Frashëri një tradhtar. Megjithatë në një fjalimet më të mira të mbajtura, kryeministri Rama deklaroi se Mit’hat Frashëri kishte bërë dhe gabime, por kurrë nuk i kishte lyer duart me gjak si disa eksponentë të Ballit Kombëtar.

  1. BE NUK HAP NEGOCIATAT ME SHQIPËRINË (26 qershor)

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian nuk hapën dritën jeshile për Shqipërinë më 26 qershor për ta nisur negociatat e anëtarësimit për në BE. Këtij vendimi i shtohej edhe një klauzolë sipas të cilës ata do të mblidhen sërish në qershor të vitit 2019 për të diskutuar një tjetër mundësi por duke vendosur disa kushte sipas të cilës reforma në drejtësi është më prioritari.

Kryeministri Edi Rama e reklamoi këtë vendim si arritje të madhe të qeverisjes së tij, ndërkohë që opozita e cilësoi një shuplakë të fortë dhe dështim për qeverinë “Rama”.

 

EXTRA

BOTËRORI “RUSI 2018” (14 qershor-15 korrik)

Tregojnë një anekdotë kohët e fundit që e lidhin me pasionin e madh shqiptar për futbollin. E mërzitur se burri harxhonte shumë kohë duke ndjekur ndeshjet e të gjitha kampionateve në televizor, gruaja i thotë ta lërë televizorin në një moment dhe të bisedojnë se pse ua kishin kërkuar vajzën për nuse. Burri habitet, fik televizorin dhe e pyet: Ku na e kërkojnë? Po ja, në Spanjë, thotë gruaja. Përgjigja e burrit është unikale; Mos e kërkon Reali moj?

Jo vetëm kjo anekdotë por edhe fjalët e de Biazit se shqiptarët vdesin për futboll por nuk dinë të luajnë futboll tregojnë lidhjen e kësaj loje me ne. Ndoshta kulmi ishte këtë vit kur botërori i zhvilluar në Rusi mbërtheu të madh e të vogël pas ekranit të televizorit. Madje një pjesë shkuan edhe në Rus për ta ndjekur live. Pothuajse të gjitha televizionet organizuan emisione enkas për Botërorin, ndërsa transmetimi drejtpërdrejt i të gjitha ndeshjeve ishte diçka normale. Nga 14 qershori deri më 15 korrik e gjithë Shqipëria ishte rreth topit të futbollit duke bërë që kjo të mbetet periudha më e bukur e vitit 2018.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: