Vokshi: Shqipëria sundohet nga Rama, nxitësi zyrtar i dhunës ndaj gazetarëve

Vokshi: Shqipëria sundohet nga Rama, nxitësi zyrtar i dhunës ndaj gazetarëve
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshin, ka ngritur sërish alarmin për mungesën e mbrojtjes së gazetarëve dhe fjalës së lirë në Shqipëri.

Reagimi i saj erdhi në Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve.

Në një mesazh në rrjetin social Vokshi shkruan: “Sot, është Dita Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve.

Por, Shqipëria sundohet nga Rama, nxitësi zyrtar i dhunës ndaj gazetarëve.

Në regjimin e tij gazetarët janë problemi dhe së fundmi ka urdhëruar edhe ndjekjen e tyre për shpifje.

Në Shqipëri nga 2013-2018, dhjetëra gazetarë janë dhunuar, kërcënuar dhe përndjekur për shkak të publikimeve të historive për përfshirjen e Kryeministrit, ministrave dhe kryebashkiakëve socialistë në afera korruptive dhe në lidhje të ngushta me krimin e organizuar.

Vetëm këtë vit u kërcënuan me armë dy gazetarë.

Asnjë i dënuar për plumbat në shtëpinë e gazetares Klodiana Lala.

Asnjë i arrestuar për pistoletën në kokën e korrespondentit, Julian Shota.

Për gazetarët investigativë; Jetmir Olldashi u dha masë dënimi “detyrim me paraqitje”, ndërsa për Basir Çollakun nisi procedim penal për shpifje se intervistoi nënkomisarin që u kërcënua në prani të Koordinatorit të Bashkëqeverisjes dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS.

Dhjetëra kolegë të tyre u larguan nga Shqipëria dhe kërkuan mbrojtje për jetën në vendet e Bashkimit Europian.

Ende në platformën e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e gazetarëve nuk ka përgjigje nga qeveria shqiptare për kërcënimin dhe përndjekjen e gazetares Alida Tota pse investigoi humbjen e jetës së të ndjerit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës që menaxhohej nga Bashkia Tiranë. Ende nuk ka përgjigje as për dhunimin e dhjetëra gazetarëve të tjerë që u larguan nga Tirana me urdhër policor.

Në detyrën e Kryetares së Komisionit Parlamentar për Median përsëris thirrjen drejtuar Prokurorisë për të zbardhur rastet e dhunës, kërcënimeve, largimeve nga puna dhe përndjekes së gazetarëve.

Po ashtu hetime të thelluara duhet të kryhen edhe për shantazhimin e medias me tatimet dhe blerjen e saj me tendera publikë për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të shpërndarë “fake news-t” e Edi Ramës dhe kryebashkiakëve të tij.

Sot, inkurajoj të gjithë gazetarët dhe punonjësit e medias të rezistojnë.

Falënderoj secilin prej gazetarë profesionalistë, dhe angazhohem të jem krah tyre, në betejën për të mbrojtur Lirinë e Shtypit!"

/l.k./

Foto Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: