Vitore Tusha, propozimi i Presidentit për kreun e KLSH-së

Vitore Tusha, propozimi i Presidentit për kreun e KLSH-së
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka propozuar për postin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit Vitore Tushën.

“Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 162 pika 2 të Kushtetutës, si dhe të nenit 19 pika 2, të ligjit nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, pas shqyrtimit të të gjithë kandidaturave që kanë shprehur interesin, në përfundim të procesit vlerësues me Dekretin nr. 10929, datë 05.11.2018, ka vendosur që zj.Vitore Tusha t’i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për tu zgjedhur në pozicionin Kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Presidenti pas realizimit të një procesi transparent dhe objektiv, ka arritur në konkluzionin se, Doktore e Shkencave Juridike znj.Vitore Tusha plotëson kushtet dhe kriteret ligjore, si dhe është kandidatura më e përshtatshme për tu zgjedhur në këtë pozicion kushtetues, bazuar në eksperiencën solide dhe kontributin e pandërprerë të znj.Tusha, në fushën e jurispudencës, si në sistemin gjyqësor, ashtu dhe referuar angazhimeve të saj akademike si pedagoge në institucionet e arsimit të lartë në fushën e së drejtës, trajnuese dhe pedagoge në Shkollën e Magjistraturës, apo edhe si eksperte në fushën e së drejtës kushtetuese e më gjerë.

Presidenti i Republikës, vlerëson se Znj.Vitore Tusha, aktualisht anëtare në detyrë e Gjykatës Kushtetuese të cilës i ka mbaruar mandati në këtë funksion që prej datës 10 mars 2017, gëzon një integritet të lartë moral dhe profesional, e konfirmuar edhe në rrugë istitucionale, pasi si subjekt i ligjit nr.84/2016, ajo është konfirmuar në detyrë dhe ka kaluar me sukses dhe me vendim të formës së prerë, procesin e rivlerësimit kalimtar (vettingun), për të gjithë komponentët e këtij procesi, duke krijuar bindjen se kandidatura e saj është e denjë për tu zgjedhur si Kryetar i Kontrollit ë Lartë të Shtetit.

Duke zgjedhur një kandidaturë si znj.Tusha larg çdo angazhimi partiak në të kaluarën, Presidenti beson se kontribuon për garantimin e pavarësisë së këtij institucioni shumë të rëndësishëm kushtetues.

Presidenti i Republikës gjen rastin të falënderojë të gjithë aplikantët e tjerë që kanë shprehur interesin për të marrë pjesë sipas thirrjes së hapur prej tij, disa prej të cilëve janë personalitete të njohura publike dhe me kontribute të shquara në fushat e ekonomisë dhe drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

 

Kush është Vitore Tusha

Datëlindja:                  26.11.1960

Vendlindja:                  Tiranë

EDUKIMI DHE GRADA SHKENCORE:

1997                            “Doktor” i Shkencave në Drejtësi, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës

1979-1983                   Dega Drejtësi, Fakulteti i Shkencave Politiko-Juridike, Unversiteti i Tiranës

1975-1979                   Shkolla e mesme e përgjithshme “Bardhork Biba”, Rrëshen Mirditë

EKSPERIENCA NË PUNË:

2008 - në vazhdim      Gjykata Kushtetuese, - Gjyqtare

2004 - 2008                 Dhoma e Avokatisë Tiranë, - Avokate

1994 - 2001                 Gjykata e Kasacionit, - Gjyqtare

1992 - 1994                 Gjykata e Rrethit Tiranë, - Gjyqtare

1990 - 1992                 Dhoma e Avokatisë Tiranë, - Avokate

1983 - 1990                 Gjykata e Rrethit Tiranë, - Përmbaruese Gjyqësore

/l.k./

Foto Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: