VENDOSMËRIA PËR BETEJËN QË NA AFRON ME BE – OPINION NGA DITMIR BUSHATI

VENDOSMËRIA PËR BETEJËN QË NA AFRON ME BE – OPINION NGA DITMIR BUSHATI
Shqipëria është në një proces të fillimit të reformave dhe ne jemi mirënjohës për të gjitha vendet anëtare të cilat kanë ndihmuar Shqipërinë në këtë betejë të vështirë. Në të njëjtën kohë jemi shumë të vendosur për të vazhduar në këtë betejë

Nga Ditmir Bushati

Në kuadër të takimit dje të Këshillit të Stabilizim -Asociimit me Bashkimin Evropian diskutuam procesin e reformave në Shqipëri që nga nëntori i kaluar duke mbajtur në konsideratë edhe zhvillimet në këtë drejtim, qoftë rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim për Shqipërinë, sikundër paketën e plotë të strategjisë së zgjerimit.

Në këtë paketë, përcaktohen fushat prioritare për vendin tonë dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për t’i dhënë një jetë më të madhe procesit të konektivitetit, ndërlidhshmërisë në Rajonin tonë. Gjithashtu, edhe mbi atë se çfarë kanë vendosur vendet anëtare në qershorin e këtij viti, duke krijuar një horizont të qartë për vitin 2019 dhe një kalendar indikativ për Shqipërinë në funksion të fillimit të bisedimeve për anëtarësim.

Ecuria e reformave

Ka një vlerësim përsa i përket ecurisë së reformave, sfidave që kemi përpara.

Procesi i Reformës në Drejtësi po sjell frytet e para. Vettingu mes gjykatësve dhe prokurorëve po sjell frytet e para, duke adresuar edhe mungesën e besimit që përgjithësisht qytetarët kishin tek institucionet e drejtësisë dhe në të njëjtën kohë puna përgatitore që po bëjmë me Komisionin Evropian për kapitujt 23 dhe 24 që përqendrohet kryesisht tek çështjet e të Drejtave të Njeriut dhe të Sundimit të së Drejtës.

Ky proces do të jetë një mundësi e artë për ne, për të projektuar ndërtimin e arkitekturës së re në sistemin e drejtësisë.

Shqipëria ka bërë progres dhe në luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Operacionet në këtë drejtim, kryesisht të muajve të fundit, janë inkurajuese. Natyrisht është herët të thuhet se Shqipëria dhe vendet e Rajonit i kanë larë hesapet me krimin e organizuar apo me korrupsionin. Këto mbeten fenomene të cilat duhen adresuar në përpjekje të vazhdueshme.

Në të njëjtën linjë ecim edhe përsa i përket Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut me fokus të posaçëm, të Drejtat e Pakicave Kombëtare. Vitin e shkuar kemi miratuar një ligj të një standardi të lartë në bashkëpunim me ekspertizën e ofruar nga Këshilli i Evropës dhe do të vijojmë më tej edhe me procesin e zbatimit të këtyre standardeve në praktikë, që do të përmirësojnë jetën e pakicave kombëtare.

Roli i Shqipërisë në Rajon

Fakti që Shqipëria linjëzon qëndrimet dhe politikën e saj të Jashtme 100% me BE-në, nuk është një proces mekanik, është një proces që buron nga zgjedhja strategjike që shoqëria jonë ka bërë që në momentin që është ndarë me regjimin komunist, për të qenë një ditë vend anëtar i BE-së edhe në këto kohë të trazuara për rendin ndërkombëtar.

Dialogu politik

Qëndrimi i Qeverisë shqiptare është i qartë, ashtu si dhe gatishmëria e Kryeministrit Rama, si lider i mazhorancës, për të mbajtur hapur derën e dialogut me të gjithë aktorët politikë parlamentarë dhe aktorët e tjerë institucionalë, në funksion të jetësimit të atyre prioriteteve të cilat janë të rëndësishme për fatet e vendit. Kryesisht për Reformën Zgjedhore, por edhe për avancimin më të shpejtë të Reformës në Drejtësi.

Ne jemi të vendosur për të vijuar me procesin e reformave. Para nesh është një horizont dhe kalendar i qartë me qershorin e 2019-ës dhe uroj që së bashku me Komisionin Evropian, me Institucionet e BE-së dhe me vendet anëtare, të punojmë të gjithë së bashku, pavarësisht pozicioneve institucionale apo shtetërore respektive, në mënyrë që këtë histori ta kthejmë në një sukses të përbashkët.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: