VENDIMI I BE: Avatari, kontroll shqiptarëve që gënjejnë në kufijtë me Greqinë

VENDIMI I BE: Avatari, kontroll shqiptarëve që gënjejnë në kufijtë me Greqinë
Bashkimi Evropian aplikon nga viti që vjen, masa të reja shtrënguese për të frenuar emigracionin. Detektorët do të marrin në pyetje udhëtarët, për të zbuluar nëse gënjejnë kur kalojnë kufijtë. Nisma nis në pikat kufitare të Greqisë, Hungarisë dhe Letonisë, do të pyetmi pse po shkojmë, sa të holla kemi dhe çfarë kemi në bagazhe. Ekspertët shprehen kundër: Avatarët do të ngatërrojnë emocionet me gënjeshtrën, do të “digjen” padrejtësisht plot njerëz që nuk kanë synim emigrimin ilegal

Bashkimi Evropian nis vitin e ardhshëm një proces të ri më të ashpër të kontrollit të shtetasve në kufij, duke nisur me kufijtë në Greqi, Hungari dhe Letoni.

Kjo do të bëhet duke dyfishuar procedurën e kalimit me përforcim pyetësori përmes inteligjencës artificiale, si dhe me një test për zbulimin e gënjeshtrave.

BE thotë se me këtë proces të ri, do të lehtësojë punën në kufi dhe do të luftojë kriminalitetin, por kritikët dyshojnë dhe i konsiderojnë rezultatet e testeve si joserioze.

Çfarë do të ndodhë nga viti që vjen

Ai që do të dojë të hyjë në vende të BE, nuk do të takojë fillimisht në kufi një njeri prej mishi e gjaku, por një nëpunës policie të krijuar nga kompjuteri. Avatari do të verifikojë nga njëra anë dokumentet e udhëtimit, si pasaportën e udhëtimit, vizën dhe dëshminë për mjetet e nevojshme financiare.

Nga ana tjetër ai do të bëjë pyetje si nëpunës dogane, si për shembull për përmbajtjen e valixhes ose shkakun e udhëtimit. Përgjigjet do të regjistrohen nga një kamera dhe do të analizohen. Një program i ri kompjuterik do të jetë në gjendje që të dallojë në shprehjet e fytyrës të të intervistuarve, nëse ata thonë të vërtetën.

Nëse programi mendon se udhëtari thotë të vërtetën, kontrolli pasues nga një nëpunës i vërtetë kufiri është i shkurtër. Përndryshe verifikimi që pason është i gjerë.

Vitin që vjen, programi kompjuterik do të testohet në kalime kufiri në Greqi, por edhe Hungari e Letoni.

Ekspertët dyshojnë shumë

Nisma e BE kushton 4,5 milionë euro, por ekspertë të pavarur dyshojnë se ajo do të ketë sukses. Bennet Kleinberg, profesor në Institutin e Shkencave Kriminalistike në University College London, thotë se nuk ka dëshmi shkencore që në shprehjet e fytyrës dhe në mimikë mund të dallohen gënjeshtrat. “Me teknikën e përdorur mund të konstatosh vetëm nëse njeriu është në stres apo jo”, - shton ai.

Disa shtojnë se kjo nismë ha diskutime dhe për shkeljen e privatësisë dhe të të drejtave të njeriut. Poligrafi, ose leximi nga aparatura, i të dhënave që jep një person kur është nën hetim penal, është i ngjashëm me programin kompjuterik dhe avatarin që do të kontrollojë nëse një kalues kufiri do të gënjejë kur të pyetet në pikën kufitare apo jo. Për më tepër, ekziston mundësia që qytetarët të penalizohn padrejtësisht nga funksionimi i saktë i avatarit, emocionet që mund të krijohen gjatë kësaj procedure marrjeje në pyetje dhe në vijim, të paragjykohn nga kontrolli shtesë duke u penalizuar padrejtësisht.

“Stresi shpesh është i pashmangshëm në rrugë, për shembull kur do të arrish një fluturim në vazhdim, ose kur ke fëmijë të vegjël me vete”, - thotë Prof. Kleinberg. Kjo sjell rrezikun, që shumë njerëz t'i akuzosh si gënjeshtarë në kufi dhe t'ua nënshtrosh kontrolleve më të imëta, megjithëse i kanë dhënë përgjigje të sinqerta avatarit.

Dhe në fakt, në një test me 30 testues, programi funksionoi vetëm në 76 për qind të rasteve.

Profesorja e shkencave juridike në Universitetin Leibniz Hannover, Tina Krügel gjithashtu thotë se kur një person pyetet nga një avatar, ai ndodhet në një situatë të panjohur për të. Ndaj ajo vlerëson se “ka rëndësi që një nëpunës kufiri të mund të reagojë si duhet ndaj personit dhe të mbajë parasysh sfondin kulturor”.

Nisur nga kritikat e shumta, Komisioni Evropian ka pranuar që të analizojë rezultatet e testeve që do të bëhen me udhëtarët në vendkalime kufitare dhe më tej do të vendosë nëse detektori do të bëhet pjesë e procedurës së hyrjes në BE.

BE kërkon të frenojë hyrjen e emigrantëve

Nëpunësi i kufirit që përfaqësohet nga kompjuteri duke përfshirë një test automatik për gënjeshtra, është pjesë e projektit kërkimor iBorderControl, në të cilin ndër të tjera bashkëpunojnë policia hungareze, mbrojtja letoneze e kufirit dhe Leibniz Universität Hannover e Gjermanisë. BE thotë se synimi është që kontrollet në hyrje të BE të përshpejtohen dhe të bëhen më të sigurta. Çdo vit në BE hyjnë 700 milionë vetë, tendenca është në rritje. Emigrantët dhe kriminelët që duan ta kalojnë ilegalisht kufirin synohet që të konstatohen më lehtë përmes sistemit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: