Turizëm gjithëvjetor?! Ende larg, turistët e huaj ikën sa erdhi tetori

Turizëm gjithëvjetor?! Ende larg,  turistët e huaj ikën sa erdhi tetori
Gjithmonë e më shumë në Shqipëri po flitet për të ashtuquajturin “turizëm gjithëvjetor”. Ose i thënë më thjesht, turizmi që nuk zgjat vetëm gjatë muajve të verës, por përgjatë gjithë vitit. Por a po bëhet dot realitet ky lloj turizmi në vendin tonë? Mesa duket ende jo. Të paktën sipas shifrave më të fundit që autoritetet zyrtare kanë dhënë për fluksin e të huajve, i cili ka frekuentuar vendin tonë gjatë muajit tetor.

Kështu, ato tregojnë se sapo ka “trokitur” ky muaj i vjeshtës, turistët e huaj kanë filluar t’i largohen vendit tonë. Dhe duke regjistruar një numër më të ulët hyrjesh në Shqipëri, krahasuar me muajin e mëparshëm, shtator 2018. Gjë e cila ka ndodhur, edhe pse duhet thënë se tetori i sivjetshëm në vendin tonë ka qenë relativisht mjaft i ngrohtë e me një klimë të përshtatshme për të kryer në territorin e tij vizita turistike.

“Në muajin tetor 2018, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 337.603. Krahasuar me tetorin 2017, ky numër është ulur me nivelin prej -11%”, cilësojnë ekspertët e Institutit të Statistikave, lidhur me një dukuri të tillë. Duke shtuar më tej se gjatë këtij muaji, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve të tyre në Shqipëri është Zvicra, e cila ka patur rritjen më të madhe të tyre, deri në nivelin prej 134.5%. Ndërsa uljen më të madhe e kanë patur hyrjet e shtetasve nga Polonia me nivelin prej -71.8%.

Shifra këto që tregojnë se vendin tonë në muajin e freskët të tetorit e kanë frekuentuar më shumë shtetas nga Zvicra, të cilët janë mësuar me turizmin malor si të tillë dhe jo vetëm me atë detar, siç është mësuar kryesisht Shqipëria. Ndërsa janë larguar ata turistë, që e zgjedhin vendin tonë pikërisht për turizmin detar si të tillë, siç janë ata polakë, të cilët gjatë muajve të verës kanë patur edhe numrin më të lartë të hyrjeve të tyre në vendin tonë, me një rritje deri në nivelin prej 70%.

-11%

U ul niveli i turistëve të huaj që kanë vizituar vendin tonë gjatë muajit tetor, krahasuar me tetorin e vitit pararendës, 2017, duke treguar se në këtë muaj të freskët të huajt fillojnë të largohen nga ne

-71.8%

U ul niveli i turistëve të huaj nga Polonia që kanë vizituar vendin tonë gjatë muajit tetor, ndërsa pjesët e tjera të vitit ata kanë rritjen më të lartë dhe deri 134.5% u rrit numri i turistëve që erdhën nga Zvicra

Shpërndajeni me miqtë tuaj: