Trump i bën jehonë fitores në zgjedhjet e së martës

Trump i bën jehonë fitores në zgjedhjet e së martës
Presidenti amerikan Donald Trump, po flet me krenari “për një fitore shumë të madhe" në zgjedhjet për kongres, pasi republikanët forcuan pozitat e tyre në kontrollin e Senatit edhe pse demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve për herë të parë pas tetë vitesh.

"Ata që kanë punuar me mua në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, ata të cilët përqafuan disa politika dhe parime, dolën shumë mirë," shkruante zoti Trump në një postim në Twitter të mërkurën përpara konferencës të paralajmëruar për shtyp në Shtëpinë e Bardhë lidhur me zgjedhjet.

"Ata që nuk e bënë këtë, thanë lamtumirë! Dje u shënua një fitore shumë e madhe dhe nën presionin e një medie armiqësore e të ligë!"

Rezultatet e bëjnë më të vështirë për zotin Trump të marrë miratim për iniciativat e tij legjislative. Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve gjithashtu kanë premtuar se do të nisin hetime të shumta lidhur me financat e zotit Trump dhe politikat e administratës së tij, të cilat udhëheqësi amerikan tha se do të marrin të njëjtën përgjigje me hetime që do të zhvillohen nga Senati për Demokratët.

Zoti Trump e telefonoi udhëheqësen e Partisë Demokrate Nancy Pelosi për ta uruar për fitoren e arritur në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai tha se ligjvënësit demokratë, disa prej të cilëve kanë thënë se partia ka nevojë për udhëheqje të re, duhet ta bëjnë atë përsëri kryetare të Dhomës.

VOA

Shpërndajeni me miqtë tuaj: