Tifozët dhe jo fusha, bukuria e derbit të kryeqytetit!

Tifozët dhe jo fusha, bukuria e derbit të kryeqytetit!
Kategoria Superiore/ Java e 15-të nis sot në mbrëmje me derbin e madh Partizani-Tirana. Nën këndvështrimin e dy trajnerëve, Gega e Mema, humbja konsiderohet dramatike për bardheblutë 

***

 Aranit Muraçi

Ka një diferencë pikësh mes Partizanit dhe Tiranës para derbit të sotëm, por nuk ka ndonjë diferencë mes dy ekipeve që dëshirojnë të fitojnë ndeshjen për të rritur pretendimet e tyre, për më tepër që të kënaqen tifozët.  Në “Selman Stërmasi” Partizanit i duhet të shmangë humbjen për të mos rrezikuar kryesimin, kurse Tirana nga ana e saj ka si alternativë vetëm fitoren, që të mos rrezikojë rënien apo që të prekë zonën e ftohtë.

Partizani

Trajneri i Partizanit, ndonëse në kushte më komode se homologu i tij, e njeh mirë historinë e një ndeshjeje të tillë. Partizani vjen në derbi pas humbjes në Vlorë me Flamurtarin. Për kthesën në derbi, që të mos cenohet kreu i kampionatit, Gega beson se Partizani, pavarësisht disa problemeve si ajo me kapitenin Alban Hoxha, apo me Lorenc Trashin,  skuadra e tij mbetet e konsoliduar për të fituar ndeshjen. - “Albani nuk besoj se do të luajë, përtej ligjit që çdokush të jetë i barabartë par tij. Partizani është një klub i madh e di jashtëzakonisht mirë se sa vlen klubi, e di se sa është ky derbi, dhe të gjithë duhet ta kuptojnë rëndësinë.” Portieri dhe kapiteni Alban Hoxha i kaloi në qeli dy ditët e para të javës. Problem mbetet edhe Lorenc Trashi, i cili u përplas  me tifozët në Vlorë. “Njerëzit janë të ndryshëm, ka qe janë më tepër të qetë se sa duhet, ka që kanë temperamentin e tyre. Gjatë ndeshjes ishte jashtëzakonisht korrekt, në dhomat e zhveshjeve ishte jashtëzakonisht korrekt. Ishte një shembull. Por në 90 minuta nëse je në një ambient të mbyllur, kur ke 2-3 veta që kalojnë kohën duke të sharë, përdorin fjalor jo normal, besoj se kjo të shqetëson. Çdo gjë që ndodhi pas ndarjes me kundërshtarin”, theksoi Gega. Pavarësisht nëse do të ketë dy lojtarët kryesorë në dispoziocion, trajneri dhe Partizani kanë të sigurt mbështetjen e tifozëve.

Tirana

Ardian Mema debuton në një derbi si trajner, emocione të cilët i ka përjetuar si lojtar, por kjo ndeshje  i gjen bardheblutë në një gjendje të vështirë. - “Kur isha futbollist doja që në ndeshjet e forta t’ia dilnim mbanë”, theksoi Ardian Mema. - “Çdo gjë varet nga futbollistët dhe unë sesi do ta përgatisim ndeshjen.  Me lojtarët po them që e konsiderojmë ndeshje radhe. Ka rëndësinë e vet por secili duhet të bëjë detyrat si në çdo ndeshje. Vetë ambienti dhe historia e këtyre ndeshjeve e karikojnë skuadrën. Tre pikët janë njëlloj si me Partizanin, si me ekipet e tjera,” – theksoi Mema. Trajneri i Tiranës pas marrjes së detyrës nuk e ka shijuar ende fitoren e parë. Merkatoja e zhvilluar nga ish-trajneri brazilian Ze Maria ka zemëruar disi Memën, i cili në pamundësi të ndryshonte gjendjen kërkoi të largohej dy javë më parë, por nuk u lejua nga presidenti Refik Halili. Problem për skuadrën e drejtuar prej tij në derbi është mosprania e mundshme e tifozëve dhe mbështetja që kërkohej prej tyre në këto momente nga 24 herë kampionët e Shqipërisë. “Pa tifozë nuk ka derbi. U bënë vite se që kur lash futbollin, por stadiumi ka qenë një spektakël që nuk e kemi shijuar kur kemi luajtur vetë. Më shumë ka pasur spektakël në shkallët e stadiumit dhe më bukur kanë “luajtur” tifozët sesa futbollistët. Këtë ndeshje shpresoj të jetë spektakli në fushë.” Për të arritur një rezultat më të mirë, Mema tha se Tirana do të kërkojë të bëjë ndryshimet e duhura pas barazimi të fundit me Skënderbeun, ku edhe goli i pësuar erdhi për rrjedhojë të një gabimi në mbrojtje.

Kapiteni

Gent Muça do të jetë pjesë e stafit në ndeshjen ndaj Partizanit, dhe jo e lojës pasi nuk është i gatshëm. Këtë e konfirmoi trajneri para ndeshjes, teksa i uroi ish-kapitenit bardheblu shërim të shpejtë. “Muça nuk më është dashur shumë kohë ta njoh. Është shumë i rëndësishëm”, tha Mema.

Trajneri

Dëshira për të fituar është normale, por janë 3 rezultate. Nuk mund të parashikoj sa del ndeshja,” – theksoi trajneri Ardian Mema para derbit. Një humbje e mundshme do të vërë atë në pozita të vështira bashkë me ekipin, ashtu sikurse e ardhmja e trajnerit varet nga presidenti Halili.

Partizani

Pas derbit me Tiranën, Partizani udhëton në Durrës, në përballjen me Teutën dhe pret Kukësin, në një sfidë të vështirë për të mbrojtur kurorën e dimrit. Të Kuqtë për të bindur tifozët se janë ata pretendentë kryesorë të këtij sezoni duhet të fitojnë sot derbin e kryeqytetit.

Tirana

Tirana, pas derbit me Partizanin, pret Kastriotin dhe udhëton në Laç. Edhe tre pikët që llogariten si të nevojshme për të mos e mbyllur në zonën e ftohtë pjesën e këtij kampionati, duken të pamjaftueshme, çka ka vënë në një pozitë të vështirë trajnerin Ardian Mema.

Kategoria Superiore      

Java e 15-të/Sot

18:00 Partizani - Tirana

1 dhjetor

17:00 Skënderbeu - Teuta

14:00 Luftëtari - Kukësi

2 dhjetor

14:00 Laçi - Kamza

14:00 Kastrioti - Flamurtari

Klasifikimi

Partizani               31

Skënderbeu       30

Teuta                    25

Laçi                         25

Kukësi                   24

Flamurtari           22

Luftëtari               13

Tirana                    11

Kamza                   8

Kastrioti               7

Shpërndajeni me miqtë tuaj: