TENSIONET NË BULARAT/ Varrimi i Kacifasit nën thirrjet antishqiptare të ekstremistëve grekë

TENSIONET NË BULARAT/ Varrimi i Kacifasit nën thirrjet antishqiptare të ekstremistëve grekë
Varrimi i Kostandinos Kaçifas, sikurse pritej, është zhvilluar në një situatë të tensionuar.

Qindra banorë të zonës dhe shumë të tjerë të ardhur nga Greqia kanë përcjellë në banesën e fundit të riun e vrarë në përplasje të armatosur me policinë shqiptare dhe forcat RENEA.

Kacifas është përcjellë i veshur ushtarak, i mbuluar me flamurin grek dhe mes thirrjeve të ekstremistëve të Agimit të Artë.

“Gjaku na thërret të djegim shqiptarin”, “Shqiptarë të poshtër” “Zjarr kundër qenve shqiptarë”, “Gazetarët shqiptarë janë të poshtër”, kanë qenë disa prej thirrjeve të lëshuara në greqisht.

Situata në Bularat dhe Gjirokastër pritej të ishte e tensionuar gjatë ditës së sotme.

Policia shqiptare dhe ajo greke u impenjuan për të penguar hyrjen në territorin shqiptar të elementëve ekstremistë dhe të simboleve që ngjallin urrejtje.

Oficerë policie civilë dhe agjentë sekretë shqiptarë u impenjuan në terren për të parandaluar situata shpërthyese.

Për parandalimin e incidenteve, ka patur edhe një thirrje të përbashkët të Ministrisë së Jashtme të Greqisë dhe asaj për Mbrojtjen e Qytetarit.

“Qytetarët grekë që shkojnë në Bularat janë të lutur që të vetëpërmbahen dhe të tregojnë respekt për familjen dhe ceremoninë”, thuhet në këtë thirrje.

Kostandinos Kaçifas u vra më 28 tetor të këtij viti nga forcat RENEA, pasi qëlloi me armë zjarri në Bularat drejt forcave të policisë. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: