SA EKZISTON GAZETARIA INVESTIGATIVE NË SHQIPËRI – ANALIZË NGA FRROK ÇUPI

SA EKZISTON GAZETARIA INVESTIGATIVE NË SHQIPËRI – ANALIZË NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nuk po mendoj se po ta kishim Hasin në bllok, laboratori i prodhimit të heroinës do të ishte zbuluar më shpejt. As po them se policia do të kishte rënë në gjurmë shumë më shpejt dhe shteti do ta kishte nën kontroll qysh pak pas fillimit... As se opozita do të kishte zbuluar laboratorin dhe do të kishte bërë namin kundër drogës... Jo, nuk mund t'i mendojmë këto "sikur". Aq më tepër që të gjithë këta elementë të shtetit janë të paragjykuar në raport me krimin:

Policia, siç thonë media dhe opozita, është e përzierë në krimin e drogës; dhe prandaj këtu bie "sikur" i parë.

Edhe shteti (siç ka hyrë në këtë fjalë kuptimi 'qeveri'), është treguar me gisht si përgjegjëse për kultivimin dhe trafikimin e drogës; me paratë e fituara nga droga- pretendon opozita- qeveria fiton pushtetin edhe njëqind herë të tjera.

Edhe opozita nuk do të kishte ndonjë interes që të zbulonte laboratorin e prodhimit të heroinës në bllok mes Tiranës. Opozita, po ta zbulonte prej vërteti, do të hynte në një marrëveshje të fshehtë me qeverinë "më jep kaq heroinë- të të mos kallëzoj". Aq më tepër që në punët e opozitës nuk po shikojmë asgjë 'me peshë' si droga, a si prodhimi, a si arsimi i inkriminuar, a si projekti për të ndjekur agjendën perëndimore të sovranitetit kombëtar. Opozita po kërkon ethshëm pushtet sepse pushteti ka drogë; pa drogë ç'i duhet pushteti një qeverie që vjen.

... Jo, asnjë nga këta elementë të shtetit nuk mund të bëhen përgjegjëse, edhe sikur laboratori i drogës të ndodhej në bllok. Madje, fakti që droga përpunohej në Has- në kufi me Gjakovën, më duket se është vetë projekt i qeverisë dhe i opozitës politike: SA më larg syve të qendrës... Kjo është një arsye

Arsye tjetër është se asnjëherë, as maxhoranca, as opozita, nuk kanë deklaruar me seriozitet, se "do ta ndjekim drogën këmba këmbës, edhe sikur në një humbëtirë si Hasi të fshihet". Të gjitha fjalët kundër drogës janë thënë, por ligji serioz për ta eliminuar, nuk është bërë kurrë.

Atëherë kush do ta donte Hasin në bllok?

1.

Të parët do të ishin ata që bëjnë aventurën dhe mendojnë të bëjnë punë të mëdha në një sipërfaqe të vogël sa një fshat në qendër të Tiranës ku merrte frymë Byroja Politike e Partisë Komuniste. Aventura ka sensin që mallrat e pashitshme në bllok, t’ua shisje hasianëve; që bodyguardët t' i rekrutoje me çmim më të lirë nga djemtë e gjatë e të papunë të Hasit; që pub-et dhe klubet e tjera të natës të mbusheshin plot me vajza si latarë nga Hasi... Dhe më në fund, që droga e prodhuar aty afër, në bllok (d.m.th., në Has), të shitej menjëherë në tregun e Bllokut.

Të gjitha këto përbëjnë një aventurë të dyfishtë: Djemtë dhe vajzat “lastare” të Hasit nuk janë më ato që mendojnë aventurierët, sikur nuk kanë parë pube dhe drogë me sy; por edhe sikur të mund të realizohej aventura - shteti nuk të lë që të ekspozohesh kaq afër, në bllok. Shqipëria prodhon sasira marramendëse droge në krahasim me atë që përdoret vetëm në bllok, interesi i biznesit' vetëm për bllokun do të ishte një humbje aventureske. Droga e vendit, me siguri në bashkëpunim me disa turq dhe europianë, po rrezikon Perëndimin.

2.

Të dytët që do ta donin Hasin në bllok, janë gazetarët; sidomos gazetarët investigativë. Gazetaria investigative në vendin tonë është një shëmtim i gjallë. Dëgjoj thuajse përditë disa që thonë se 'si gazetar investigativ' kam zbuluar një gjë: ' Kam zbuluar se përveç këtij që u vra mbrëmë në bllok, edhe dy të tjerë do të vriten'.

Kam dëgjuar gazetarë investigativë që thonë: “Sipas hulumtimeve të mija, duke folur me disa policë dhe me disa politikanë, së shpejti vendi do të ketë edhe tre ngjarje të tjera të bujshme”.

Kam dëgjuar gazetarë investigativë që thonë: "Vrasja e shekullit nuk është zbuluar akoma, por kam parë dosjen në dorën e një prokurori që më ka besuar, se sapo të ndërrohet shekulli, vrasja e shekullit do të dalë në shesh".

... Sa shumë çudira nonprofesionale dëgjon nga gazetarët "investigativë" aq sa më vjen keq për vete shpesh herë.

Sepse kam mësuar tërë jetën profesionale se një gazetar që i merr të dhënat nga media, nuk mund të quhet më investigativ. Kam mësuar se një gazetar që mbledh fjalë policësh nëpër baret e Tiranës nuk mund të jetë investigativ. Kam mësuar se një gazetar që bashkëpunon me politikën dhe me politikanët, ose edhe me dosjet e prokurorisë, nuk mund të quhet më 'investigativ', ndoshta as 'gazetar'. Në shkollën saksone të gazetarisë thuhet fjalë për fjalë: "Nëse një gazetar shihet në drekë me një politikan, atëherë media e tij bëhet e pabesueshme" për publikun...”

Kam mësuar edhe se gazetari investigativ është aty ku zhvillohet krimi, në ciklonin e rrezikut. Edhe në qoftë se krimi qenka në Has...

A ka gazetarë në Has? Jo, nuk ka, Hasi është larg, duhet të vijë në Bllok që ta investigojnë gazetarët. Aq larg, ohu!, kush shkon...

Nëse kishte dështim të vërtetë me laboratorin e heroinës në Has, kjo ishte gazetaria investigative. Gazetaria investigative nuk del nga Tirana. Le të vije krimi këtu ta kapim bashkë me shokët e politikës!, thotë gazetaria.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: