RIKTHEHEN KLANET NË PARTINË SOCIALISTE – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

RIKTHEHEN KLANET NË PARTINË SOCIALISTE – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Tashmë që kanë kaluar 5 vjet në qeverisje, në PS rezultojnë të jenë disa grupe ose klane politike, që rivalizojnë njëri-tjetrin për sa më shumë pushtet dhe sa më shumë fuqi politike. Edhe pse të gjithë janë pro kryetarit Rama, ata konkurrojnë dhe sulmojnë njëri-tjetrin, për t’i dobësuar politikisht. Cilët janë, nga kush përfaqësohen? Një analizë nga opinionisti i gazetës, “Albanian Free Press”, Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga Roland Qafoku

U duk se shkëputja nga Partia Socialiste dhe themelimi i LSI-së më 6 shtator të vitit 2004, ishte sherri i fundit brenda partisë. Në vitin 2004, uniteti në PS u mbyll përfundimisht, me daljen jashtë kësaj partie të grupimit të Ilir Metës dhe zgjedhja e Edi Ramës si kryetar një vit më vonë, solli pamjen pas stuhisë. Pas 14 vjet përplasjesh dhe debatesh sistematike të grupeve dhe klaneve, u mendua se në PS, më në fund, erdhi qetësia. Por edhe pse pasardhësi i Fatos Nanos e ka patur synimin kryesor eliminimin e grupeve, klaneve dhe sherreve në këtë parti, duke eliminuar figura të rëndësishme si Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami dhe Marko Bello, ai nuk i shpëtoi dot traditës. Tashmë pas 13 viteve në krye të PS-së, është më se e sigurt që Edi Rama ndjehet i fuqishëm si lider absolut i saj, por ama nuk ka arritur të kontrollojë grupimet dhe klanet brenda partisë që rivalizojnë njëri-tjetrin në rastin më të mirë dhe që përplasen dhe sulmojnë njëri-tjetrin në rastin më të keq. Deklarata e Edi Ramës në vitin 2014, se pas detyrës së kryeministrit nuk do ishte në asnjë zyrë tjetër shtetit, ishte më shumë sikur t’i jepte përgjigje pyetjes, kush do jetë pasardhës i tij në PS. Kaq mjaftoi dhe grupet në heshtje në PS, u gjallëruan dhe u konturuan më së miri. Erjon Veliaj dukej ylli në ngjitje në Partinë Socialiste dhe një pasardhës me bekimin e vetë Edi Ramës. Por, kjo zgjati aq sa deshën grupet rivale. Saimir Tahiri u bë shumë shpejt një politikan tepër i pushtetshëm në PS, sa u bënë të zakonshme shprehjet se Rama nuk merr asnjë vendim pa u konsultuar me të. Gramoz Ruçi që përfaqësonte gardën e vjetër. Ndërsa kur grupet nxorën dhëmbët shprehjen “nuk ka bir k…” u bë simbolika e të folur me kod me kryetarin Rama. Një lloj kërcënimi që grupet kanë artikuluar kur lufta ndaj tyre arriti kulmin. Pafuqia e kryeministrit Rama ndaj grupeve, u duk kur ai vetë lajmëroi se, në shtator do të kishte ndryshime në qeveri dhe nuk e bëri këtë gjë. Çdo lloj arsye mund të nxjerrë sot vetë Rama dhe të tijtë, por më kryesorja është se heqja e një ose disa ministrave, do të sillte përplasje të mëdha brenda partisë dhe kjo mund të sillte ngjarje të paparashikuara. E megjithatë, pavarësisht mungesës së ndryshimeve të qeverisë, fakti se në 5 vite në pushtet janë larguar 2 ministra të Brendshëm të vënë nën akuza tejet të rënda, me një sekretar të përgjithshëm dhe kryebashkiakun e Durrësit në syrin e ciklonit të opozitës, e kanë vënë në vështirësi qeverisjen e Edi Ramës. Edhe pse opozita ka aksionin e saj në këto operacione, duhet thënë se, më shumë se sulme të saj, kjo vështirësi ka ardhur më shumë si pasojë e përplasjeve të grupeve dhe klaneve brenda PS-së. Të gjithë pro Ramës, por kundër njëri-tjetrit. Të gjithë përpiqen t’i duken Ramës më të mirë dhe më të zotë, por klanin rival ta sulmojnë në të gjitha drejtimet, këto grupime tashmë janë konturuar në atë mënyrë që, për Ramën janë shqetësim ndër më kryesorët në këtë mandat të dytë, në mos kryesori. Po cilat janë grupimet që rivalizojnë në PS?

GRUPIMI XHAFA-VELIAJ

Më 27 tetor, Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen si ministër i Brendshëm, por vetëm 3 ditë më vonë ai u shfaq në krah të Erion Veliajt. Në një nga aktivitetet të bashkisë, ai tha: “Ka njerëz që ulen në një karrige dhe janë të kënaqur se kanë kapur një karrige; ka njerëz që marrin pushtet dhe janë të lumtur që janë të pushtetshëm; ka njerëz që vijnë për të shërbyer, që kanë një mision, që duan të lënë një gjurmë, përmes mundësisë që u jep pushteti dhe ky është Erion Veliaj! (Fatmir Xhafaj, 30 tetor 2018)

Një e folur me gjuhë të koduar që i përgjigjej natyrisht grupimit tjetër, por më shumë se kaq, edhe vetë kryetarit Rama; Xhafaj mbështeti hapur Veliajn, rrjedhimisht ishte njësoj sikur të thoshte, ne nuk jemi të dobët. Jemi këtu si gjithmonë. Ja çka tha Xhafaj për Veliajn:

“Katër vjet më parë, na është dashur të flisnim se kush është Erion Veliaj, kurse sot nuk na duhet fare të flasim, sepse ai dhe ekipi i tij duhet të tregojnë çfarë punësh kanë bërë dhe po bëjnë. Puna dhe rezultatet janë treguesi më i mirë, cv-ja më e mirë për cilindo. Erion Veliaj hyri për një mision dhe me punë, me rezultate, me atë çfarë ka bërë, po kërkon një mandat të dytë, jo për të vazhduar të qëndrojë në atë karrige, por për të shërbyer dhe për ta çuar përpara këtë mision. Gjëja më e mirë e tij, është puna”. (Fatmir Xhafaj, 30 tetor 2018)

Nuk ishte shumë e fshehtë që, në PS deri 1 vit më parë, thuhej se Erion Veliaj nuk do të ishte kandidat për kryetar bashkie. Këtë e konfirmoi Monika Kryemadhi, teksa disa herë deklaroi se Veliaj nuk e kishte të sigurt rikandidimin. Pse nuk e kishte të sigurt Veliaj rikandidimin për kryebashkiak kur, për 4 vjet, ai kishte qenë letra e dytë e lakmuesit për pushtetin e PS-së. A mos vallë, ai ishte bërë vërtetë i fortë dhe fuqia e tij politike nënkuptonte zbehjen e fuqisë politike të grupimeve të tjera rivale, po brenda PS? Edhe pse jo zyrtarisht apo në PS, në jo pak raste, janë hedhur fjalë se Veliaj nuk do kishte një mandat të dytë. Dhe sulmet ndaj tij dhe bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë Fatmir Xhafaj, në shumë raste ishin në një rezonancë me ato të PD-së. Por dalja e Xhafajt dhe Veliajt bashkë, ishte një kërcënim dhe një apel për të gjithë ata që kërkonin kokën politike të Veliajt dhe kokën juridike të Xhafajt. Ky moment tregoi se ata bashkë me mbështetësit në bashkinë e Tiranës dhe në bazë, mbeten si grupimi më i fortë në PS.

GRUPIMI TAHIRI

Titulli i madh i një të përditshmeje, ishte nga më interesantet në median e shkruar:

“Samir Tahiri drejt postit të zëvendëskryeministrit të Brendshëm”. Paradhoma e këtij lajmi ishin Edi Rama dhe më pas Taulant Balla, teksa deklaronin disa ditë më parë se, “Tahirin e presim në PS”. Ja çfarë tha Balla për të, pak ditë më parë:

“Unë e thashë dhe në fillim dhe sot kanë kaluar më shumë se 13 muaj, kur prokuroria ngriti akuzat ndaj Tahirit. Të gjithë e dimë që akuzat për të u ngritën në bazë të hetimeve në Itali dhe ai atje doli i pastër. Partia Demokratike duhet t’i kërkojë falje për baltën e hedhur ndaj tij, ndërkohë kthimi në Partinë Socialiste është vendimmarrje e vetë zotit Tahiri”. (Taulant Balla, 10 nëntor 2018)

Rritja e fuqisë politike të Saimir Tahirit, erdhi me faktin se ai drejtonte dikasterin më të rëndësishëm në qeverinë e PS-aë. Tahiri qëndroi 3 vjet e gjysmë në krye të ministrisë së Brendshme; ai u bë ministri më jetëgjatë në atë detyrë në historinë e tranzicionit. Kishte shumë informacion, kishte shumë pushtet dhe shpërfillja që ai i bëri disa deputetëve dhe figurave në PS, u kthye në shqetësim për ata vetë dhe të tjerë. Nuk është sekret të themi se, në inboxin e kryeministrit Rama, ankesat e vetë deputetëve të PS se, Tahiri nuk u hap telefonin kishte marrë trajtën e një uragani. Edhe pse zëra sporadikë, por disa patën guxim ta bënin publikë këtë. Largimi i tij nga posti i ministrit të Brendshëm, ishte asgjë përballë furisë që pasardhësi i tij bëri në radhët e policisë. Dhe më shumë se kaq, pranimi i faktit se Shqipëria ishte mbushur me kanabis, mbeti si një gungë politike në kurrizin e Tahirit. Po cilët janë mbështetësit e Tahirit? Edhe pse tashmë jashtë PS-së, atij i janë larguar beniaminët, baza e PS është më e lidhura me të. Si kryetar i degës së PS-së për Tiranën, Saimir Tahiri kishte në dorë, për shumë kohë, strukturat e kësaj partie dhe arriti të mbledhë rreth vetes shumë mbështetës. Edhe në momentin kur kuotat e tij politike shkuan drejt zeros, për hir të vërtetës, votues dhe militantë të PS-së i dhanë atij mbështetje masive. Duke patur këtë pikë të fortë, Edi Rama gjithnjë ia ka patur frikën se, largimi i Tahirit do të sillte tharjen të një rezervuari jo të vogël votash. Por, a do kthehet sërish në qeveri dhe në PS, Saimir Tahiri? Duket se Rama e ka futur në derë çelësin dhe nuk është e largët dita që do ta rrotullojë në bravë, për të hapur këtë derë. Nëse do ndodhte kjo, padyshim që ko quhej fitorja e madhe e Saimir Tahirit. Natyrisht, edhe ndaj grupeve brenda PS-së.

GRUPIMI I TAULANT BALLËS

Për Taulant Ballajn ka shumë akuza si brenda dhe jashtë PS-së. Por një gjë nuk mund t’ia mohojnë kundërshtarët e tij: Karriera e tij politike, si askush tjetër në PS, është ngritur duke qenë në mes Fatos Nanos dhe Edi Ramës. I besuar me Fatos Nanon, po ashtu i besuar edhe me Edi Ramën. Madje, sot që kanë kaluar 13 vjet nga zgjedhja e Edi Ramës në krye të PS-së, çdokush që e di mirë historinë e kësaj partie, duhet të vazhdojë t’i bëjë pyetje vetes se, si ka mundësi që një nga njerëzit dhe bashkëpunëtorët më të afërt të Fatos Nanos, u bë papritur një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Edi Ramës. Të gjithë ata e dinë mirë që, në fund të vitit 2005, Taulant Balla më shumë kishte kontakte me Fatos Nanon, se sa me Edi Ramën. Por duhet thënë se, Balla zbuloi në vetvete një talent që askush nuk e shfaqi në PS. Me një këmbëngulje të admirueshme, me një piruetë po aq të admirueshme, papritur ai u bë pjesë e grupimit të afërt mes kryetarit të ri dhe pasardhësit të kryetarit legjendar, Fatos Nano. Kjo u rrit aq shumë sa, një ditë, Balla e pa veten sekretar i Përgjithshëm i PS-së. Një post dhe një karrier të tillë që, ai vetë ndoshta as në ëndërr nuk e kishte imagjinuar. Por si ia arriti Balla të bëhet numri dy i Partisë Socialiste? Natyrisht, duke treguar besnikëri ndaj kryetarit dhe njëkohësisht duke sulmuar rivalët politikë brenda PS-së.

 

GRUPIMI I GRAMOZ RUÇIT

Gramoz Ruçi dhe Sali Berisha janë dy politikanët aktivë më jetëgjatë në politikën shqiptare të periudhës së tranzicionit. Me ngritjet dhe uljet e tyre, me pushtetin dhe me opozitën, Gramoz Ruçi është institucion më vete në PS. Dyshi i PS-së me Fatos Nanon dhe po dyshi i PS-së me Edi Ramën, ai mbetet i pari i përhershëm në jetëgjatësinë politike në këtë parti. Ndërsa, vetë Nano dhe Rama kanë periudhat e tyre në këto 28 vjet që drejtuan ose jo këtë parti, me ardhjet dhe ikjet e tyre, ai që nuk lëvizi asnjëherë nga partia, vazhdon të mbetet Gramoz Ruçi. Por cilët janë ata që e mbështesin dhe janë pjesë e grupit të tij? Duhet theksuar se, vetë në natyrën e tij, kurrë Gramoz Ruçi nuk krijon grupim, por nuk është më në dorën e tij ata që e mbështesin dhe deri e adhurojnë atë si figurë politike. Një funksionar politik i Partisë Demokratike dhe një nga kundërshtarët më të ashpër të Gramoz Ruçit në këto 28 vite, më thoshte dikur se edhe pse e urrente aq shumë politikisht Ruçin, edhe për shkak se në të kaluarën kishte qenë sekretar komunist, ai ishte njëkohësisht njeriu që e respektonte më tepër në radhët e PS. Korrekt dhe me karakter, i matur dhe me zgjuarsi natyrale, në një farë mënyre edhe në PS, këto janë cilësitë përse rreth tij mblidhen gjithnjë të vjetër dhe të rinj. Por edhe përse kryetari Rama, përpara se të marrë një vendim, kërkon të dijë se, “çfarë mendon Gramozi”. Grupim me një vet, por tejet i rëndësishëm në PS.

GRUPIMI I VANGJUSH DAKOS

Nuk ka asnjë rast tjetër në historinë politike të partive shqiptare pas vitit 1990 që, një kryetar bashkie jashtë Tiranës, të ketë aq pushtet politik sa Vangjush Dako. Natyrisht që, autoritetin e tij politik e rriti me qenien si kryetar i bashkisë së Durrësit, një qytet dhe një qendër biznesi nga më të mëdhatë në vend. Megjithatë, Dako ka prishur edhe rregullin se janë politikanët e qendrës ata që mbështesin politikanët lokalë, ndërsa Dako është ai që ndikon dhe mbështet politikanët e qendrës. Dhe nga këto mbështetje, janë edhe Damian Gjiknuri dhe Blendi Klosi. Edhe pse ministra të qeverisë “Rama”, Vangjush Dako është më i fuqishëm politikisht se sa ata dhe është ai që i mbështet ata. Fuqia më e madhe e Dakos, u duk hapur pikërisht në momentin kur u bënë publike disa përgjime në të cilat ai komunikonte me persona të inkriminuar. Edhe pse diletant në dalje televizive dhe komunikim, Vangjush Dako tregoi fuqi të madhe politike, siguri dhe një ndikim që la me gojë hapur, jo vetëm ata që nuk e njihnin mirë, por edhe vetë opozitën e cila u përpoq ta shfrytëzonte këtë rast për ta kryqëzuar, por që nuk ia arriti. Nëse në zgjedhjet lokale të vitit 2019, ai nuk do jetë kandidat, fuqia e tij politike do duket, nëse pasardhësi i tij do jetë ose jo mbështetës i tij.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: