Rama-Meta, takim në Presidencë për ministrin e Brendshëm

Rama-Meta, takim në Presidencë për ministrin e Brendshëm
Kryeministri Edi Rama mbërriti paraditen e sotme në selinë e Presidencës për të zhvilluar një takim të paparalajmëruar me kreun e këtij institucioni, Ilir Meta, vetëm një ditë pasi u refuzua dekretimi i emrit të ri të Ministrit të Brendshëm.

Takimi midis dy krerëve më të lartë të institucioneve të shtetit vjen me kërkesë të kryeministrit Edi Rama. Ky takim, edhe pse sot e diel dhe ditë pushimi, zhvillohet pas refuzimit të Presidentit për të dekretuar Sandër Lleshin në postin e ministrit të Brendshëm, propozuar nga kryeministri Edi Rama.

Asnjëra nga palët nuk ka dhënë asnjë detaj rreth takimit, ashtu sikurse edhe mbi arsyet e mosdekretimit nga ana e presidentit Meta e emrit të propozuar nga Rama për të pasuar Fatmir Xhafajn e dorëhequr në krye të ministrisë së Brendshme me atë të kështilltarit të tij për sigurinë Kombëtare, Sandër Lleshi.

Ndërkohë që pas refuzimit për të dekretuar Sandër LLeshin, në media kanë nisur të qarkullojnë edhe emra të tjerë kandidatësh që kryeministri Rama mund t’i propozojë presidentit Meta për postin e ministrit të Brendshëm. Është aluduar si kandidaturë e mundshme ajo e kreut aktual të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, megjithatë pas takimit pritet që palët të sqarojnë pozicionin e tyre mbi ngërçin e krijuar pas mosdekretimit të ministrit të ri dhe ngërçit të krijuar për kreun e Ministrisë së Brendshme.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: