Qëndrimi në internet, fëmijët të rrezikuar nga pedofilët

Qëndrimi në internet, fëmijët të rrezikuar nga pedofilët
Studimi më i fundit nga UNICEF, ka treguar se fëmijët shqiptarë ende nuk e kanë kuptuar rrezikun që u kanoset, pasi pranojnë kërkesat për miqësi nga njerëz të panjohur. Të dhënat e studimit kanë treguar se, ¼ e këtyre fëmijëve kanë pranuar kërkesa nga një person i panjohur. Por ajo që është me shqetësuese, është se 16% e fëmijëve i kanë takuar këta persona edhe në jetën reale. Po kështu, 14% e fëmijëve i kanë përjetuar diçka onilne që i ka mërzitur, dhe kjo ka të bëjë kryesisht me ekspozimin, me përmbajtjet që nuk janë të përshtatshme për ta

Sonila Isaku

Të gjithë jemi dëshmitarë se sa të aftë janë fëmijët tanë për të përdorur lojërat elektronike, telefonat celularë nga më të sofistikuarit, kompjuterët dhe pajisje të tjera elektronike. Por akoma më të aftë, janë ata që prodhojnë programe, lojëra për fëmijë, reklama ose produkte, të cilat shtojnë kureshtjen dhe vullnetin e fëmijëve, për t’i njohur e përdorur ato më tej. Këto të reja teknologjike, natyrisht, që kanë një kosto për familjet tona, kosto këto që, shpesh herë, nuk janë vetëm ekonomike. Me të rejat që sjell çdo ditë e më shumë teknologjia dhe përdorimi i internetit, edhe fëmijët duhen mësuar, se si dhe sa duhet ta përdorin internetin, duhen kontrolluar në një farë mënyre dhe duhet komunikuar me ta për rreziqet. Të mos gënjehemi nga e reja dhe e bukura që sjell komunikimi online dhe njohjet pa kufi, që mund të bëjmë nëpërmjet rrjetit. Ekspertë të internetit tregojnë se, rreziku që paraqet përballja e fëmijëve me internetin në Shqipëri, është disa herë më i madh. Mesatarisht, një fëmijë qëndron 3 orë në ditë në internet. UNICEF ka bërë të ditur raportin më të fundit, ku thekson se 25% e tyre kanë folur “online” me të panjohur, ndërkohë që 1 në 5 fëmijë ka parë imazhe dhune ose abuzime të ndryshme.

Studimi

Fëmijët janë përballë një sërë rreziqesh, gjatë qëndrimit në internet. Shifrat më të fundit të publikuara nga UNICEF, tregojnë se fëmijët nga 9 deri në 17 vjeç, qëndrojnë mesatarisht deri në 3 orë online. Por, përveç problemeve me shikimin, për ekspertët problemi më i madh është kontakti që ata mund të kenë me të panjohurit nëpërmjet rrjeteve sociale, gjatë kohës që janë online. Nga anketimet e kryera rezulton se, 16% e fëmijëve janë hasur në raste të tilla, ku janë kontaktuar nga persona të panjohur.

“Fëmijët shqiptarë ende nuk e kanë kuptuar rrezikun që u kanoset, pasi pranojnë kërkesat për miqësi nga njerëz të panjohur. Të dhënat e studimit kanë treguar se, ¼ e këtyre fëmijëve kanë pranuar kërkesa nga një person i panjohur. Por çka është me shqetësuese, është se 16% e fëmijëve i kanë takuar këta persona edhe në jetën reale. Po kështu, 14% e fëmijëve kanë përjetuar diçka online që i ka mërzitur, dhe kjo ka të bëjë kryesisht me ekspozimin, me përmbajtjet që nuk janë të përshtatshme për ta, përfshirë edhe pornografinë” - pohon Ina Verzivolli, eksperte e cila është marrë me studimin e UNICEF.

Rreziku

Shpesh herë, të rriturit nuk arrijnë të kontrollojnë fëmijët, pasi këta të fundit në shumë raste kanë më shumë aftësi teknologjike se prindërit e tyre. Kjo shkakton edhe diferencimin e tyre nga prindërit. Sipas ekspertëve, sa i takon sigurisë së fëmijëve, rreziku nga interneti nuk është vetëm tek  adoleshentët.

“Fëmijët e vegjël, 9 deri në 11 vjeç, janë të papërgatitur në fakt për tu përballur me eksperienca negative në internet dhe mërziten më shumë, traumatizohen më lehtë. Megjithatë, fëmijët të cilët kanë sjellje më të rrezikshme, janë fëmijët 15-17 vjeç, pasi ata kanë tendencën të eksponojnë dhe të kenë kuriozitetin për të parë gjëra të reja online” - pohon ekspertja.

Psikologët

E ndërsa ekspertët elektronikë dhe IT, japin këshillat për vendosjen e filtrave në kompjuterë ose telefona, në mënyrë që fëmijët të jenë sa më të sigurt, psikologët në krahun tjetër ngrenë alarmin për pasojat negative që sjell në shëndetin e fëmijëve, qëndrimi për një kohë të gjatë para internetit. Blerta Bono, psikologe, tregon se kujdesi dhe komunikimi me fëmijët duhet edhe në përdorimin e faqeve të internetit që reklamohen si arritje të mëdha, si mund të jetë “Facebooku” i ditëve të sotme.

“Moskujdesi dhe mosnjohja e kritereve të përdorimit të këtyre programeve nga fëmijët, mund të sjellë pasoja të pakëndshme për ta, pasi në rrjet ka edhe shumë “mashtrues”, që së pari dëshirojnë ta njohin fëmijën përmes internetit (kur ky i fundit ka një adresë e-mail ose është i regjistruar në Facebook); sillen e komunikojnë si të ishin me të vërtetë moshatarë, e më vonë arrijnë të depërtojnë në sekretet e fëmijës, derisa të marrin takim me të jashtë shtëpisë. Normalisht që emocioni për këtë “njohje të re” nga ana e fëmijës, bën që ky i fundit ndonjëherë të mos u tregojë prindërve dhe pasojat mund të jenë të pakorrigjueshme. Çrregullimet e karakterit, pagjumësia ose dhimbjet e syve e të kokës, zakonisht janë më të përhapura te fëmijët që frekuentojnë internetin pa kufi” - thekson Bono.

Sipas saj, interneti po dëmton fëmijët edhe psikologjikisht, sepse shpesh përdoret edhe si formë bulizmi, duke futur në këtë rrjet social foto të miqve të tyre, me fjalë negative dhe fyese.

 

Shifra dhe fakte

3 orë në ditë qëndron një fëmijë mesatarisht online;

51% kanë akses online, sa herë që dëshirojnë;

Smartphone është mjeti më i përdorur;

77% e përdorin telefonin çdo ditë;

25% e fëmijëve kanë bashkëvepruar online me të panjohur;

16% e fëmijëve kanë takuar dikë, që e kanë njohur në internet;

1 në 5 fëmijë ka parë imazhe dhune ose abuzimi online;

1 në 10 fëmijë ka parë përmbajtje ku flitet për vetëvrasje;

78% e fëmijëve shohin video online;

58% e fëmijëve vizitojnë rrjetet sociale;

1 në 3 fëmijë ka përdorur kamerën pa dijeninë e prindërve.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: