PSE DUHET NJË REFORMË E RE TERRITORIALE NË SHQIPËRI – ANALIZË NGA JORIDA TABAKU

PSE DUHET NJË REFORMË E RE TERRITORIALE NË SHQIPËRI – ANALIZË NGA JORIDA TABAKU
Nga Jorida Tabaku

Zv/Kryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave

Katër vjet më parë qeveria premtoi një reformë territoriale e cila do të ndryshonte dhe do të rikonceptonte mënyrën se si pushteti vendor funksiononte dhe do të ndryshonte marrëdhënien që ekzistonte midis pushteteve.

Edhe ne si Parti Demokratike donim që ta mbështesnim dhe të ishim pjesë e kësaj.

Por çfarë ndodhi?

Ndodhi ajo që kishim paralajmëruar ne dhe ekspertë të kësaj fushe.

Reforma Territoriale – ka kryetarë bashkish demokratë e socialistë – të cilët bien dakord se për mënyrën si u hartua nuk kishte në qendër qytetarin, nuk kishte në qendër shërbimet, thjesht interes elektoral. Përfundoi në një ndarje territoriale elektorale në një hartë të re elektorale të Shqipërisë. Sigurisht që ne nuk e pranuam këtë.

Nevoja për ndryshim

Ne kërkuam dje dhe kërkojmë sot një reformë territoriale që nis nga kompetencat e kryetarit të bashkisë, nga kompetencat tuaja, sepse për ne ajo që është më e rëndësishme është vendosja e qytetarit në krye të shërbimit.

Për ne ajo që është më e rëndësishme është dhënia e pushtetit, e kompetencave, delegimi i tyre tek pushteti vendor dhe ne për këtë kishim një ofertë konkrete, siç e kishim edhe sot një ofertë konkrete.

Për asnjë moment, për asnjë sekondë në asnjë rast gjatë diskutimit të reformës territoriale, qeveria nuk kishte mirësinë të dëgjonte qoftë edhe kryetarin e opozitës që në atë kohë ishte edhe kryetar bashkie. Premtimi kryesor i Partisë Socialiste ishte premtim financiar.

Të gjitha bashkitë, në 2014 shpenzonin 80 milionë euro më shumë të cilat do t’i jepeshin qytetarit me shërbime më të mira, që do të ktheheshin tek ata për shërbime më të mira.

Por sigurisht edhe kjo ishte propagandë dhe një nga dështimet më të mëdha që kjo reformë ka prodhuar.

Mungesë vizioni dhe strategjie

Kur e shoh sot reformën, shoh ligje të shkruara keq, të pandjekura me akte të tjera ligjore dhe joligjore, shoh mungesë strategjie dhe mungesë vizioni nga ana e qeverisë dhe shoh një proces që nisi dhe përfundoi në 2014-ën dhe nuk është shoqëruar në asnjë moment as me buxhete të përshtatshme, as me delegimin e kompetencave, qoftë me zbatimin dhe hartimin e një strategjie se si këto kompetenca do të zbatohen më mirë nga pushtetet lokale.

Shifra që flasin vetë

Le të ndalem në premtimin financiar të reformës territoriale duke qenë se jam zv/kryetare e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave dhe shifrat unë i shoh përditë shumë mirë ashtu siç i sheh edhe zv/kryeministrja. Për të bërë një krahasim dhe për të dhënë një shembull shumë të thjeshtë. Tre vite pas nisjes së zbatimit, propaganda kryesore për reformën territoriale, ka rënë poshtë. Sot të dhënat e buxhetit tregojnë se bashkitë shpenzojnë 116 milionë euro vetëm për paga. Kjo është një vlerë dy herë më e lartë se e 2014-ës që është viti paraardhës i reformës territoriale.

Në raportet e buxhetit vihet re se qeveria ka transferuar një vlerë totale prej 60 milionë eurosh, 4 milionë shkojnë për infrastrukturë, 56 milionë shkojnë për paga, për nevojat e bashkive të reja, për paga. Sot bashkitë nuk kanë mundësi të bëjnë investime, nuk kanë aftësinë të bëjnë investime sepse buxheti i tyre është zënë nga pagat.

Më shumë shpenzime, më shumë taksa, duke i detyruar bashkitë që t’i rrisin taksat e tyre nga 2 deri në katër herë. Bashkia e Tiranës ka shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke e bërë Tiranën, qytetin me taksat më të larta, me më pak investime, me përplasje kompetencash, dhe në fund të ditës qytetarët nuk e marrin shërbimin.

Unë këtë e quaj dështim.

Projekte që shpërfillen

Nga ana tjetër, jepen vetëm 10% për bashkitë e djathta. Kam parë projekte pa fund, projekte shumë të mira zbatimi që mesa duket nuk marrin fonde vetëm sepse diskriminohen. Dhe ky është shembulli më i mirë se përse kjo reformë ishte elektorale.

Sakaq, në aspektin afatgjatë parashikohej ndikimi direkt që reforma do të kishte edhe në raportet me biznesin e huaj, Investimet e Huaja Direkte. Por të dhënat ekonomike flasin qartë. Sot bashkitë nuk po luajnë rolin e tërheqjes së investimeve të huaja, nuk janë më qendra e zhvillimit, sot bashkitë e kanë të pamundur që të përfaqësojnë interesin më të mirë të qytetarëve.

Përse ndodh kjo?

Sepse kemi lëvizur nga një demokraci lokale e zgjedhur, në një demokraci lokale të emëruar. Nëse kemi pasur këshilla komunalë që zgjidheshin dhe kryetarë komune që zgjidheshin, sot kemi kaluar në administratorë që emërohen.

Ku është demokracia lokale këtu?

Ku është përfaqësimi lokal këtu?

Ku janë instrumentet që qytetarët duhej të kishin në dorë për të zgjedhurit e tyre vendorë.

Dhe unë dua t’i referohem një raport të OKB: 67.3% e qytetarëve mendojnë se administrata e qeverisjes vendore nuk i ofron shërbimet që duhet të ofrojnë. Vetëm 7% e tyre kishin dijeni se çfarë po ndodhte në buxhetet e tyre.

Një nga kompetencat që i ka mbetur pushtetit lokal është propozimi i PPP-ve. Shembulli më i keq se si rritja e taksave dhe vendosja e një takse të re në infrastrukturë është duke u përkthyer në koncesione të cilat kanë një pikëpyetje shumë të madhe, me normë interesi më të lartë se sa bonot e thesarit të Bankës së Shqipërisë.

Por nga ana tjetër çfarë ndodh në periferi të Tiranës.

Pak javë më parë, isha në një shkollë në Zall - Herr, kjo është një prej shkollave që nuk ndodhet në qendër të qytetit dhe kjo është efekti i dytë i reformës territoriale. Qytete të bojatisura, me qendra të harruara e qytetarë që janë larguar nga shërbimi lokal, që nuk kanë mundësi që të kenë vendimmarrje në zonat, fshatrat dhe komunat e tyre.

Zall - Herri është vetëm pak km larg Tiranës. Shkurt dhe qartë. Reforma territoriale ka dështuar për arritur atë që miqtë tanë të BE-së, KE-së, kishin që në krye të herës si objektiv kryesor. Kjo reformë është sakate, fundja si çdo gjë tjetër që kjo qeveri ka prodhuar. Me një strukturë ligjore të paqëndrueshme.

A ka PD një zgjidhje?

Lind pyetja nëse PD ka një zgjidhje apo një ofertë? Padyshim! Ne ndryshe nga propaganda kemi një ide shumë të qartë. Rikonceptimi i mënyrës se si sot funksionon Pushteti Vendor dhe kthimi tek përfaqësimi i demokracisë lokale. Ndërtimi i pushtetit vendor me dy nivele. Sot kemi një nivel të qeverisjes vendore, jashtë funksionit. Qarqet sot janë jashtë funksionit, i kanë zhveshur nga kompetencat e buxhetit, i kanë lënë thjeshtë si struktura amorfe të cilat nuk ushtrojnë dot asnjë funksion ndërkohë që qarqet duhej të ishin në krye dhe në zemër të kësaj reforme, dhe duhej të ishin ato që do të tërhiqnin investimet e BE-së. Për t’u bërë të gjitha zonat e Shqipërisë zona interesante, ku do të kishim një zhvillim të qëndrueshëm rajonal dhe për të vendosur qarqet në pararojë të zhvillimit ekonomik të këtyre zonave.

Hartimin e një strategjie për decentralizimin dhe marrjen e masave konkrete për zbatimin e saj, dhënien e përgjegjësive konkrete Pushteteve Vendore, shoqëruar kjo edhe me buxhete.

Eliminimin e bashkimeve mekanike të territoreve për t’i dhënë jetë dhe mundësi kthimit të qytetarit në qendër të shërbimeve dhe e gjitha kjo sigurisht që duhet të vijë edhe në një rikonceptim të ri të mënyrës se si financohen buxhetet.

Ne kemi qenë dhe jemi për një rikonceptim duke u bazuar te koncepti “takse sharing”, ku ato që përdoren në një qytet të caktuar të ndahen me pushtetin lokal, pa e lënë pushtetin lokal jetim, të vetëm. Askujt nuk i duhen qendra bosh qytetesh, të boshatisura. Askujt nuk i duhen platforma online ku ofrohen shërbime që njerëzit nuk i marrin kurrë, me pushtetarë vendorë që nuk i takojnë kurrë, me administratorë lokalë që nuk janë atje kurrë, që janë thjesht për të marrë lejen dhe licencën e radhës.

Njerëzit kanë nevojë për kompetenca reale, kanë nevojë për zona urbane, për rrugë, për investime, për ujësjellës, e kjo reformë këtë gjë nuk e ka sjellë.

Ajo që ne mendojmë dhe ajo që ne dëshirojmë janë bashki të afta për të konkurruar edhe bashkitë europiane; bashki me kapacitete, me përgjegjësi, me buxhete, me qytetarë që kanë më shumë shërbime, me pushtet lokal që është më afër qytetarëve.

Ndërkohë që sot ne e kemi komplet dhe totalisht të denatyruar konceptin e pushtetit lokal dhe pushtetit vendor. Por një bashki mund të jetë e aftë të konkurrojë me bashkitë e tjera për fonde vetëm kur pushteti qendror e bën atë të pavarur dhe i vendos burime në dispozicion, i jep asaj kompetenca dhe funksione pa dallim politik, pa dallim nëse është i majtë apo i djathtë, pa diskriminime politike.

Fatkeqësisht kjo gjë ka ndodhur këto 5 vite dhe do të vazhdojë të ndodhë për sa kohë që është një mënyrë dhe një filozofi veprimi.

Unë shpresoj që të jetë shumë e afërt dita ku bashkë të diskutojmë se si pushteti vendor i majtë apo i djathtë mund të bëhet më i mirë pavarësisht se kush qeveris.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: