PËRPLASJA/ Rama ridërgon për dekretim Sandër Lleshin, Meta: Amatorët të lexojnë Kushtetutën

PËRPLASJA/ Rama ridërgon për dekretim Sandër Lleshin, Meta: Amatorët të lexojnë Kushtetutën
Përplasja e nivelit më të lartë shtetëror, asaj ndërmjet Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit për mosdekretimin e ministrit të Brendshëm, është thelluar sot.

“Pa dashur të jap leksione për Kushtetutën, por të gjithë amatorëve, diletantë apo të njëanshëm, do t’i ftoja edhe njëherë të lexojnë Kushtetutën, kompetencat e Presidentit; akt formal apo ceremonial është vetëm betimi tek Presidenti”, tha Presidenti Meta, duke iu referuar refuzimit të tij për të dekretuar Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm.

Për të sqaruar konceptin e tij të interpretimit të Kushtetutës, Meta i është referuar një tjetër rasti ku ndërthuret raporti President-Kryeministër-Kuvend.

“Të gjithë atyre që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial dhe individual, por formal dhe se Presidenti ka detyrë vetëm të firmosë një propozim në këtë rast, pasi në Kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite se Presidenti mund të kthejë prapë mbrapa një propozim, kam një pyetje tjetër: A mundet Parlamenti të rrëzojë një dekret të Presidentit për një ministër?! Sepse edhe kjo është nuk është shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Republikës”.

Prononcimi i Metës erdhi pas akuzave të Kryeministrit Rama se Presidenti kishte shkelur Kushtetutën me mosdekretimin e një ministri.

“Kushtetuta i ka të përcaktuara një për një, e zeza mbi të bardhë, të 12 kompetencat e Presidentit të Republikës. Ndër to nuk figuron gjëkundi kompetenca e refuzimit të Kryeministrit, për sa kohë ky gëzon besimin e shumicës në Parlament dhe po njësoj, të ministrave që gëzojnë besimin e Kryeministrit... Kushtetuta nuk i njeh Presidentit të Republikës, as shprehimisht, as me nënkuptim, e lëre pastaj t’i ketë dhënë me ndonjë ligj të nxjerrë në pajtim me të, kompetencën për të refuzuar propozimet e Kryeministrit për anëtarët e kabinetit qeveritar. Presidenti Ilir Meta ka formuluar një letër refuzimi, pa asnjë referencë kushtetuese apo ligjore...”, tha të enjten në Kuvend Kryeministri Edi Rama.

Pak minuta pas prononcimit të Presidentit Meta, Kryeministri Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale, duke thënë se kishte zyrtarizuar hapin e radhës.

“Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit Ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës. Bashkëngjitur do t'i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm”, shkruan Rama.

Një ditë më parë ai kishte paralajmëruar se nuk tërhiqej nga kandidatura dhe se çështja e refuzimit të Presidentit, nëse do të përsëritej, do të shkonte në Gjykatën Kushtetuese, me të nisur funksionimin e saj. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: