PD i përgjigjet Saimir Tahirit: Ja “dredhia” me Italinë, pse dokumenti që “valëvit” është pa vlerë

PD i përgjigjet Saimir Tahirit: Ja “dredhia” me Italinë, pse dokumenti që “valëvit” është pa vlerë
Partia Demokratike ka reaguar pas konferencës për shtyp të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Këshilltari ligjor i PD-së dhe ish-ministër i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, tha se hetimet e mbyllura në Itali nuk kanë të bëjnë me krimin e konsumuar në Shqipëri.

“Shqiptarët duhet ta dinë se Saimir Tahiri është hetuar nga autoritetet italiane vetëm për veprimtari kriminale në territorin italian. Dokumenti që ai valëvit për pafajësinë e tij, është i pavlerë për veprimtarinë e tij kriminale në Shqipëri”, tha Bardhi.

Përfaqësuesi i opozitës shtoi se Tahiri akuzohet për lehtësimin dhe mbështetjen shtetërore për trafikun e drogës nga organizata kriminale e Habilajve në Shqipëri.

“Kjo veprimtari kriminale është zhvilluar në territorin shqiptar dhe si e tillë nuk mund të hetohet dhe as procedohet nga drejtësia italiane. Italia nuk ka juridksion për vepra penale të ndodhura në territorin e një vendi të huaj nga një shtetas i huaj”.

Ish-ministri i Drejtësisë ka kujtuar se në 4 vite, Partia Demokratike denoncoi me emra dhe fakte se si Habilajt bënin trafik droge, duke përdorur si mburojë ndaj policisë edhe makinën personale të Saimir Tahirit, “Audin” e famshëm AA 003 GB. “Në 4 vite Saimir Tahiri, që përbetohet për ndershmëri, së bashku me Edi Ramën, mohuan gjithçka, sulmuan opozitën dhe bënë avokatin e Habilajve”.

Sipas Bardhit, qëllimi kryesor politik i Edi Ramës prej një viti është që Saimir Tahiri t’i shpëtojë drejtësisë dhe të mos ndëshkohet.

“Zgjidhja që Rama dhe Tahiri kanë gjetur është që prokuroria të prishë hetimet dhe të rrëzojë çdo akuzë për mbështetjen nga Tahiri të organizatës kriminale të Habilajve dhe trafikut të drogës. Për ta vënë në jetë planin e lirimit të Tahirit nga akuza për trafik droge dhe sabotuar çdo hetim, Edi Rama solli në krye të prokurorisë Arta Markun dhe Donika Prelën, të cilat larguan nga dosja Tahiri prokurorët kryesorë, që kërkuan arrestimin dhe hetuan Saimir Tahirin. Hetimi italian është i parëndësishëm dhe nuk ka lidhje fare me hetimin në Shqipëri”.

Gazmend Bardhe rreshtoi edhe një herë akuzat për të cilat opozita akuzon prej kohësh ish-ministrin e Brendshëm:

  • Ai bashkëpunoi me Habilajt në Shqipëri,
  • U vuri atyre në dispozicion shefat e policisë në Vlorë që janë në arrati nga drejtësia
  • Vuri në dispozicion të trafikut të drogës të paktën 127 punonjës policie.
  • u vuri në dispozicion policinë kufitare,
  • u vuri në dispozicion makinën dhe skafin e tij personal.

Bardhi shtoi se të gjitha këto janë konsumuar në territorin shqiptar dhe jo në Itali dhe se “prokuroria shqiptare ka sot të gjitha provat që vërtetojnë përtej çdo dyshimi përfshirjen aktive të Saimir Tahirit në mbrojtjen e Habiljave dhe të trafikut të drogës”.

Duke komentuar deklaratën e sotme të Saimir Tahirit, këshilltari ligjor i Partisë Demokratike tha se “Saimir Tahiri kërcënoi sot çdo polic, prokuror dhe gjyqtar që mund të guxojë të mos u bindet urdhrave dhe të vazhdojnë hetimin ndaj tij”.

“Tahiri kërcënoi sot në mënyrë mafioze indirekt edhe të gjithë ata që kanë dëshmuar apo kanë prova kundër tij. Pas këtyre kërcënimeve, prokuroria duhet të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë nga detyrim paraqitje në arrest me burg për Saimir Tahirin”.

Sipas opozitës, nëse Saimir Tahiri mbetet i lirë, “ai përbën rrezik për pavarësinë, prishjen e provave dhe vazhdimin e hetimeve”. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: