Pampuri denoncon tenderin tek urgjencat, Manastirliu prezanton mjekun e rikthyer në Shqipëri

Pampuri denoncon tenderin tek urgjencat, Manastirliu prezanton mjekun e rikthyer në Shqipëri
Deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri, denoncoi tenderin për uniformat e urgjencës, ku sipas saj janë vjedhur 450 milionë lekë.

Tenderi për uniformat e punonjësve të urgjencës me vlerë rreth 450 milionë lekë përbën një rast revoltues sesi abuzohen paratë e taksa-paguesve. Rasti i denoncuar nga një emision investigativ provoi me dokumenta zyrtarë se një uniformë për shërbimin e urgjencës kushton rreth 800 mijë lekë, ndërsa cilësia është nga më të këqijat.”

Dyshimet se tenderi me uniformat 800 mijë lekëshe të Urgjencës është korruptiv nuk ka të bëjë vetëm me çmimin e lartë dhe të pajustifikueshëm. Fituesja e tenderit për uniformat që reklamon Manastirliu është një kompani që nuk duhet të merrte pjesë në tendera deri në vitin 2019. Përveç dokumentave të tenderit, Partia Demokratike po ju vë në dispozicion njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit 2 vjet më parë, ku kërkon përjashtimin nga tenderat për 3 vjet të kompanisë Marsi&Al. Në atë kohë, Policia e Shtetit e ndërpreu kontratën për uniformat e saj, sepse cilësia më të cilën ato u prodhuan, ishte skandaloze”, ishte denoncimi i deputetes Pampuri, e cila shtoi se ministrja Ogerta Manastirliu duhet të japë llogari për skandalin e uniformave 800 mijë lekëshe të urgjencës, që u reklamuan prej saj si standard i ri shërbimi.

Sakaq, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nuk i është përgjigjur ende akuzave. Ajo sot më herët shpërndau dy lajme pozitive për Shëndetësinë.  Në njërin lajm publikohej përmes videos që u bë publik nga kryeministri Edi Rama, “Raporti Javor”. “‪Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: Spitale dhe qendra shëndetësore moderne,” duke e mbyllur postimin e saj Manasterliu, me “▫Puna për Shëndetësinë që duam.”

Ajo gjithashtu po sot dha lajmin e rikthimit të një mjeku specialist në Tiranë, i cili kishte punuar më parë në Greqi dhe Angli.

Mjekë për Shqipërinë, ishte mesazhi i ministres së Shëndetësisë. “Dr. Artan Bano ka punuar për disa vite si ortoped në Athinë, më pas në Nottingham të Mbretërisë së Bashkuar por ka vendosur të kthehet në Shqipëri dhe aktualisht punon si mjek ortoped në spitalin Universitar të Traumës.”

E ndërsa maxhoranca qeverisëse pretendon se shëndetësia po ringrihet duke afruar një shërbim më cilësor dhe me më pak kosto për njerëzit e zakonshëm, nga opozita ka pasur kritika të vazhdueshme e të shumta edhe për tenderin e “Check-up”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: