PADITË E SHUMTA PËR SHPIFJE DHE BARRA E PROVËS - OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

PADITË E SHUMTA PËR SHPIFJE DHE BARRA E PROVËS - OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Paditë e shumta për shpifje, që janë trumbetuar kohët e fundit në Shqipëri,kanë sjellë edhe një herë në qendër të vëmendjes së opinionit publik një nga të drejtat më të rëndësishme, që një shtet demokratik u garanton qytetarëve të tij - lirinë e fjalës. Kjo e drejtë, ndër të tjera, i jep mundësinë individëve dhe grupimeve të krijuara prej tyre që të kritikojnë individë, institucione, apo grupime të tjera, si dhe të ofrojnë alternativa më të mira për shoqërinë. Por si të gjitha liritë e individit në një shtet demokratik, edhe liria e fjalës nuk është absolute.

Në një shtet të tillë, liria e çdo individi mbaron aty ku fjalët apo veprat e tij dëmtojnë në mënyrë arbitrare një individ tjetër, një grup individësh, apo shoqërinë në tërësi. Për shembull, e drejta për të lëvizur lirisht ka kufizimet e saj - po të shtypësh një njeri me veturën që po e nget në mënyrë të papërgjegjshme, rrezikon që liria e lëvizjes të të reduktohet në lirinë për të shëtitur vetëm brenda mureve të burgut. Në të njëjtën mënyrë, e drejta për aktivitet ekonomik privat ka kufizimet e saj - në qoftë se një kompani shet produkte që shkaktojnë sëmundjen ose vdekjen e blerësve, pronarët e saj rrezikojnë të përfundojnë ose në burg, ose në falimentim, ose në të dyja.

Duke u kthyer tek liria e fjalës, në të gjitha shtetet demokratike, ajo kufizohet në rastet kur një individ, organizatë, institucion, apo zyrë qeveritare dëmton reputacionin e dikujt nëpërmjet një shpifje publike. Në raste të tilla, ligjet e këtyre shteteve e mbrojnë personin që është fyer.

Edhe ligjet shqiptare, duke parashikuar dëmshpërblim për të fyerit, e sigurojnë një mbrojtje të tillë. Madje një nen i Kodit Penal shqiptar parashikon dënim penal (me gjobë) për rastet e fyerjes së një zyrtari publik. Kuptohet që ky nen krijon reminishencë të kohës së diktaturës komuniste,kohë në të cilën mund të dënoheshe thjesht për ato që thoje ose shkruaje, ndërkohë që nuk kishe bërë ose planifikuar ndonjë vepër që do të shkaktonte dëm fizik ndaj individëve apo ndaj shoqërisë.

Sidoqoftë, politikanët shqiptarë kanë gjetur një përdorim oportun të nenit të mësipërm. Ironikisht, ky nen përdoret shpesh në Shqipëri, jo për të dënuar realisht shpifësin, por thjesht për t'iu kundërpërgjigjur sulmit të kundërshtarit. Duke qenë se prokuroria i arkivon shpesh paditë penale për shpifje, politikanët e akuzuar dalin menjëherë të nesërmen dhe deklarojnë se kanë paraqitur një padi penale për shpifje ndaj personit që i ka sulmuar. Në këtë mënyrë, ata i japin mesazhin publikut se janë krejt të pastër dhe se pastërtinë e tyre mund ta provojnë edhe në sallën e gjyqit.

Kjo mundësi për të luajtur me publikun do t'u hiqej politikanëve tanë në qoftë se do të shfuqizohej neni i kodit penal shqiptar që parashikon gjobë për rastet e ofendimit të një zyrtari publik. Duke hequr shpifjen nga lista e veprave penale, prokuroria nuk do të mund të shërbente më për politikanët si një muslluk që s'ka ujë. Pra, ata nuk do të mund të depozitojnë më atje padi për shpifje dhe të justifikohen se fajin e ka prokuroria që s'i ndjek paditë e tyre.

Në rast se shpifja konsiderohet thjesht si një vepër civile që dëmton një individ, ky i fundit do të mund të bënte vetëm padi civile. Dhe padia civile bëhet në gjykatë, jo në prokurori. Si rrjedhim, ajo nuk mund të arkivohet dot. Herët a vonë, një padie të tillë do t'i vijë radha të gjykohet. Dhe pikërisht kësaj i druhen politikanët tanë. Prandaj ata bëjnë padi penale, të cilat thjesht u shtohen dhjetëra të tjerave të arkivuara më parë. Si rezultat, në Shqipëri ekziston një liri anarkike e fjalës, e cila ka bërë që vetë fjala të mos ketë më shumë vlerë.

Sidoqoftë, që paditë civile të jenë efektive ndaj shpifjes, duhet që barra e provës të kalojë tek autori i dyshuar i shpifjes. Viktima e shpifjes duhet të provojë në gjyq vetëm dëmin material dhe moral që mund t'i shkaktojë ajo, që të dëmshpërblehet në mënyrë të arsyeshme për dëmin. Ndërsa i padituri duhet të provojë në gjyq se mbi ç'fakte e ka bazuar sulmin publik ndaj paditësit.

Aktualisht, në legjislacionin shqiptar barra e provës bie mbi viktimën e shpifjes. Dhe kjo s'është e drejtë...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: