NË GJUNJË TË POPULLIT

NË GJUNJË TË POPULLIT
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Politika këtu vërtet është në gjunjë të popullit. Ju mendoni se, meqë politika i ka të gjitha të këqijat e botës, nuk e paska këtë “të mirë”.

Po them vallë se, politika e merr fuqinë nga “rënia në gjunjë para popullit”? Jo, nuk po them këtë; po them se, kur politika shtrihet aty poshtë, atëherë i ka bërë gropën popullit, individit dhe kombit.

Momenti më i qartë, kur politika shtrihet aty poshtë, është pikërisht ky moment.

Ja ku jemi:

Tridhjetë a pesëdhjetë banorë të një zone në Tiranë, ndërtuan banesa dhe biznese në tokë të “botës”, pa ligj e pa kanun. Qëndruan aty tri dekada, bënë biznese, votuan për partitë e radhës. Bie një plan ndërtimi me qëllimin që kombi të ketë rrugë të gjerë, të lehtësojë jetën e individit dhe të shtojë shpejtësinë e lëvizjes së popullit... Në këtë moment, politika “bie në gjunjë”... Një pjesë e politikës i thotë “popullit”: “Jo, mos u tund, mos hap rrugë!” Pjesa tjetër nuk zbaton dot ligjin që t’i largojë, për shkak se ka “frikë” nga populli. Të dy palët puthin këmbët e “popullit” dhe lënë kombin në moçal.

...Kjo është rënia në gjunjë. Në vend që politika e të dy krahëve të ndërtojë disa politika “jo popullore”, secila anë rri e përgjon tjetrën dhe akuzon: “Ti je antipopullor”. Aktet antipopullore janë shembja e ndërtimeve të paligjshme për të ndërtuar rrugën dhe shkollën, hapja e plazheve ku janë ngritur pisllëqe ndërtimesh; revokimi i ligjit 7501 dhe dhënia e pronës pronarit; ngritja e gradaçielave sidomos në kryeqytet, për të mundësuar zhdukjen e getove; largimi nga rruga i të gjithë lypsarëve; eliminimi i dembelizmit; ndalimi i dasmave idiote që e groposin familjen deri aty sa, të nesërmen, të dalë në hënë; zhdukja rreth banesave e zhurmave, e burive të makinave, e hedhjes së qyrave nëpër shkallë dhe në rrugë... Ose edhe ndalimi i politikanëve që të përdorin fjalët “plehrë”, “60 cm kastravec”, “i çmendur”, “drogaxhi”, “yll në formën e jashtëqitjes”, “arkivol”, etj.

Një milionë akte “antipopullore” duhen kryer. Çfarë po na bën ky tmerr “i rënies në gjunjë” popullit?...

1.

Duke rënë aty poshtë, për shembull në këmbë të “Astirit”, ose edhe në çurravitjet e fushatave zgjedhore: “Aman, më jepni votën se do të bëj çfarë të doni”, politika merr pushtetin për të kontrolluar dhe manipuluar turmat. Mjerë njeriu, nga njeriu i turmës. Secili individ, kur hyn në turmë, “çmendet” dhe deformohet. Kjo është psikologjia e turmës që politika e ka si “thesarin” e vet. Me këtë lloj njeriu merr pushtet, me këtë manipulon individët, me këtë bën krime, ushtron dhunë, etj. Njeriu i turmës tjetërsohet; sapo del nga banesa (p.sh., në Astir), harron fëmijët, harron vatrën dhe veten. Psikologjia e turmës kthehet në tufan që i merr të gjithë përpara. Sikur të tolerohet akti i “Astirit”, këtu merr fund shteti. “Masa, për mua, nuk është asgjë tjetër veçse një tufë dhensh”, - ka thënë Musolini.

2.

Kujt i bie në gjunjë? Po të huazojmë pyetjen e filozofit të madh, Gustave le Bon (1841- 1931), do të pyesnim kështu: “I bie në gjunjë popullit apo gjendjes së kafshës që ka përbrenda njeriu?” Jo vetëm sipas sundimtarit të turmave ( Musolini në këtë rast me fjalën “dele”), por sipas të vërtetës shkencore - “në turmë njeriu bëhet kafshë”. “Pa një arsye autonome - sugjeronte Le Bon - njeriu kthehet pas në gjendjen e kafshës dhe në natyrë - qeniet e të njëjtës specie i ngjajnë gjithmonë e më shumë njëra-tjetrës: kështu, në turmë, njeriu bëhet “kafshë” dhe instinktet e tij primitive e bëjnë praktikisht identik me ata që ndajnë të njëjtën eksperiencë në grup”.

Vetë “populli”, duke e prirë drejt marrëzisë, kthehet në një “pacient”. E cilin komb mund të shërojë një pacient si populli i sëmurë?

Atëherë, instinktet qeverisin vetë individin dhe kombin; e lënë pa rrugë, pa shkollë, pa prosperitet, pa afërsi me kombet e përparuar të Europës. Pse? Sepse janë të mirë, i kanë rënë në gjunjë popullit!

3.

Në gjunjë popullit!... Absurdi i dukshëm dhe i padukshëm.

Kjo do të ishte skulptura më dëshmuese se demokracia ka rënë. (Turmat thërrasin për demokraci, bashkë me prijësit e përulur). Këta bërtasin rrugëve dhe postave elektronike, duke thënë se “po i prinë demokracisë”. Në fakt, po ndodh e kundërta, po e rrëzojnë demokracinë edhe aq pak sa ka mbetur. Qëkur politikanë mediokër u ulën në gjunjë para popullit, u pa se shoqëritë demokratike ishin të destinuara të dështonin. Liderë si këta, që bien në gjunjë të vulgut, e shtyjnë shoqërinë drejt greminës së mediokritetit. Në mediokritet e mizerabilitet, nuk ka demokraci... Po goditet e vërteta dhe burimet e të vërtetës; çfarë është e shpifur - kjo është e lakmuar. Në vendin tonë, demokracia po merr goditjen e fundit.

Opozita është vënë kundër elitave intelektuale dhe të kapitalit, duke mbajtur anën e “gjynahqarëve”; politika po i betohet turmës si skllavi; elitat politike nuk dinë ku do të drejtohet kombi: përposht apo lart! Politika po iu bën apel ndjenjave dhe jo arsyes.

Kjo mund të ndodhë që nga nën-gjuri...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: