Meta nuk e dekreton Sandër Lleshin, Ministria e Brendshme mbetet pa ministër

Meta nuk e dekreton Sandër Lleshin, Ministria e Brendshme mbetet pa ministër
Pas dorëheqjes së ministrit Fatmir Xhafaj, dhe propozimit të kryeministrit Edi Rama për pasuesin e tij në detyrë, Presidenti Ilir Meta nuk pranoi të dekretojë Sandër Lleshin në krye të ministrisë së Brendshme brenda afatit kushtetues.

Presidenti Meta firmosi brenda ditës dorëheqjen e ministrit Xhafaj, por edhe pse e mori nga kryeministri Rama që të premten e kaluar kandidaturën e Lleshit, ditën e djeshme, disa orë para përfundimit të afatit kushtetues, zëdhënësi i presidentit njoftoi përmes një mesazhi të shkurtër se “Presidenti Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm”.

Sandër Lleshi, i cili thuajse tërë karrierën e tij e ka kaluar si ushtarak karriere duke mbajtur edhe poste të larta tek Forcat e Armatosura, para se të propozohej në postin e ministrit, mbante postin e këshilltarit të sigurisë Kombëtare pranë kryeministrit Rama.

Edhe pse Kushtetuta nuk i linte asnjë hapësirë Presidentit për t’u shprehur kundër apo për të rrëzuar kandidaturën, Presidenti vendosi që përmes zëdhënësit të tij të refuzojë propozimin e Kryeministrit, duke shënuar në këtë mënyrë precedentin e parë që një kryetar shteti nuk shprehet pro propozimit të Kryeministrit për një ministër.

Edhe pse për shkarkimin e Fatmir Xhafës, Ilir Meta nuk mori shumë kohë, për refuzimin e Sandër Lleshit ai respektoi afatin 7-ditor të përcaktuar nga Kushtetuta. Neni 98 i Kushtetutës, pika 1, thekson se ministri emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i shtetit me propozim nga kryeministri brenda 7 ditëve, duke mos i lënë hapësirë për refuzim, por Ilir Meta vendosi që të mos firmosë propozimin e kryeministri Edi Rama, sikurse nuk dha asnjë arsye për vendimin e tij negativ.

Në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të shprehej, situata komplikohet. Ndërkohë, zgjidhja e parë është që Ministria e Brendshme të vijojë të drejtohet nga zëvendësministrat.

Pas refuzimit nga Meta, ka qarkulluar edhe plani tjetër që Sandër Lleshi të emërohet zv.ministër i parë dhe të kryejë detyrën së bashku me zëvendësministrat e tjerë.

Pas rastit të fundit duhet theksuar se mes Presidentit Meta dhe Kryeministrit Rama qëndrojnë pezull disa çështje të tjera, si ajo për kreun e SHISH-it, plotfuqishmëria për negociatat e detit, apo edhe posti i ri drejtues i kreut të ri të KLSH-së.

Gjithsesi, refuzimi i presidentit Meta për të dekretuar në krye të Ministrisë së Brendshme Sandër Lleshin, ka shtuar tensionet mes presidencës dhe qeverisë, ndonëse në orët e fundit palët janë kujdesit që të shmangin debatet e ndërsjella mes tyre.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: