MARRËZIA E UNAZËS

MARRËZIA E UNAZËS
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Frrok Çupi

Në vend që Unaza të kishte Lordë, ka mbledhur marrëzi.

Në vend të një filmi të famshëm bazuar në një trilogji të autorit Tolkien, kemi thuajse të njëjtën skenë, por kjo e jona - në një pisllëk si “Astiri”, në perëndim të kryeqytetit, i ndërtuar si ta kishin ngrënë qentë. Unaza këtu quhet “e re”, por në fakt të mbyt pluhuri dhe të ndjekin gjallesat që dalin nga kazanët e lëshuar “fshatçe” prej banorëve. Banorët e vendosur fshehurazi prej ligjit e në mënyrë vulnerabël pas viteve ’90, aty në arën me misër, tani janë kthyer në arrogantë dhe kanë dalë të luftojnë në emër të marrëzisë. Marrëzia e këtij shekulli quhet akti i zaptimit të tjetrit, të pronës së tjetrit, të lirisë së tjetrit, të lëvizjes së tjetrit... edhe “Lord of the Rings”, filmi i shekullit i realizuar bazuar në ngjarje të Zelandës së Re, ka në thelb Marrëzinë (film i aventurës fantastike), por një marrëzi jo të ndotur e langaraqe si kjo këtu. Këtu edhe marrëzia nuk ka kualitetin e duhur për marrëzi.

Edhe filmi aq pretencioz ka të njëjtët elementë; por ja si zhvillohet marrëzia në botë “lordësh”dhe ja si ndodh në një botë “hajdutërie” të padenjë.

Elementi i parë: Miqtë e Unazës

Ky është filmi i parë i trilogjisë “The Lord of the Rings”.

Miqtë e Protestës së Unazës së Re që kanë bllokuar rrugën për gjithë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë, nuk duken ose duken shumë rrallë. Ata që shikojnë në prapaskenë thonë se, ka dy lloje miqsh: E para, është Monika Kryemadhi - pretendente për të marrë pushtetin, bashkëshorte e presidentit të Republikës. Thonë se disa pallate të ngritura këtu, janë pronë e familjes sëpresidentit. Kjo familje ka banuar në këtë zonë, edhe presidenti në atë kohë jetonte në një vilë të dhuruar nga vëllai adoleshent i gruas - shkruan shtypi. Plani për të zgjeruar Unazën, tremb pronarët e vërtetë se do të shemben pronat e ndërtuara në pronë shtetërore.

Lloji tjetër i miqve të Unazës është raca e politikanëve që kërkojnë të marrin pushtet në çdo element të “unazës”. Lideri i Partisë Demokratike në opozitë, ka një shpresë të madhe se, përmes marrëzisë së Unazës do të fitojë. Këta prijnë një kope me “delet” e George Orwellit, që po përdoren me çmim shumë të lirë. Nëse këta marrin pushtet përmes bashkës së tyre, nesër do t’u thonë : “Hapni rrugën, do t’u prishim banesat”. Nuk ka rrugë tjetër vendi. Nëse do të marrë pushtet përmes Unazës, atëherë unaza e paligjshme do të kthehet në fat të vendit.

Marrëzia kthehet si tërkuzë nëpër Unazën e re.

Elementi i dytë: Dy kullat

Kështu titullohet pjesa e dytë e trilogjisë “the Lord of the Rings”.

Në Zelandën e Re, dy kullat u kthyen në subjekt të një vepre arti. Në ato kulla u bënë sakrilegje të mëdha dhe u derdh luks i pashoq. Edhe këtu lufta bëhet për kullat. Në kullat e ndërtuara te Unaza e Re, është derdhur paraja “e palarë” e drogës që është trafikuar nëpër botë. Askush nuk di cilët janë pronarët e asaj droge, as të këtyre kullave. Në Zelandën e re është vendosur dhuna për shkak të luftës mes klaneve të krimit, në Unazën e Re dikush nga politikanët ka projektuar “luftën” për të arritur pushtetin. Jemi në epokën e “luftës së kullave”. Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë humbi një kullë në Vlorë; por me atë humbje u kthye në “Lord”. Qeveria kundërshtare i dhuroi 13 milionë euro për një kullë që kishte kushtuar rreth 2 milionë.

Kullat këtu në Unazën e Re, ndahen mes dy liderëve të opozitës, plus disa të tjerë në qeveri. Këta kanë mbledhur luftëtarë të verbër që deklarojnë se, “kur të shemben kullat, do të dalin gishtërinj njerëzish” nga gërmadhat - si në filmat horror. Artistët kanë ngritur një legjendë “kullash” te Teatri Kombëtar. Artistë pa brekë në b..., ëndërrojnë për kulla. Psikoza e “kullës” është thelbi i kësaj Marrëzie të shekullit.

Pjesa e tretë: Kthimi i Mbretit

Episodi i tretë i filmit “ The return of the King” (Kthimi i Mbretit)

Këtu nuk ka mbret - ky është dallimi i vetëm me filmin “The Lord of the Rings”. Ata që do të kurorëzoheshin në “Unazën e re”, u përplasën me njëri-tjetrin dhe humbën. Zonja e Parë nuk u shfaq këtu, diçka ka ndodhur në “mbretëri”. Kryetari i Parisë Demokratike erdhi tek Unaza për të manifestuar forcën e “mbretit”, por mbeti me pesëmbëdhjetë vetë - edhe këta të mbledhur nga unaza të tjera. Kryetari i Opozitës ra përfundimisht tek Unaza e re. Në mendjen e tij kishte heroizëm dhe horror mbretërish, në kohën kur deklaroi se, “mirë iu bë vajzës police që humbi gishta..., pse e kapi bombën me dorë!? Qëndroi pak minuta dhe u largua si në çdo akt, opozita. Edhe fjalën “mirupafshim”, ia la një fëmije deputet...

Këtu nuk u bë akoma mbret as qeveria. Qeveria akoma nuk ka mundur të zotërojë territorin dhe ligjin për të ndërtuar rrugën e re të domosdoshme për “mbretërinë e qytetarëve”. Ishte parashikuar që këtu të kalojë Rruga e re...

Të vetmen zgjidhje e gjeti marrëzia. Dje, një nga folësit në protestë, tha: “Unë propozoj që rruga të ndërtohet sipër shtëpive, si ura Morandi në Genova”.

“Marrëzia mahnit”- shkruante filozofi i madh Shopenhauer.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: