Ligat kryesore/Barça bën “hall” edhe pa Mesin, Juve marshon edhe nëse Ronaldo s’shënon

Ligat kryesore/Barça bën “hall” edhe pa Mesin, Juve marshon edhe nëse Ronaldo s’shënon
Juventus dhe Barcelona kanë fituar ndeshjet e javës së fundit në ligat respektive, duke nisur të shkëputen edhe më tepër nga rivalët. Në tre nga ligat më të forta në Europë, fitorja më emocionuese ishte ajo e Barcelonës mbrëmjen e së shtunës, që ktheu rezultatin në minutat e fundit nga 2-1 në favor të Rajo Valekano, në 3-2, fitore që i mban katalanasit katër pikë larg Atletico Madrid.  Juventus fitoi ndaj Kaljarit 3-1, duke mbetur pas 11 javëve 6 pikë para Napolit.

Arsenali barazoi 1-1 me Liverpulin, në një përballje emocionuese, por ky barazim ndonëse mban të Kuqtë e Klopp në krye të Premier League, sot kampionët në fuqi të Manchester City, një pikë pas kryesuesve, presin Suothampton.

 Në Gjermani, pas 10 javëve të para kryeson Borusia Dortmund, tashmë 4 pikë diferencë kundrejt Bajernit, falë fitores 1-0 ndaj Volsburg. Bajerni u ndal në barazim 1-1 me Frajburg në fushën e vet, duke lënë dy pikë të tjera dhe duke shtuar rrezikun e shkarkimit të trajnerit.

Gjithsesi, nga ligat kryesore, vlen të përmenden fitoret e Juventus dhe Barcelonës, që pas një luhatje, janë dy ekipet bindëse për titull, në Spanjë dhe Itali.

Barcelona tregohet skuadër e madhe edhe pa Lionel Messin në fushë. Skuadra “blaugrana” zhvilloi një ndeshje të çuditshme në fushën Rayo Vallecanos, kur nga avantazhi 0-1 shkoi shumë pranë humbjes 2-1 deri pak minuta para përfundimit të kohës së rregullt, por dy gola të shënuar brenda 3 minutave nga Dembele dhe Luis Suarez përmbysën gjithçka 2-3, për të siguruar tri pikët e radhës për ekipin e Valverdes.

Suarez e shënoi golin e pare në minutën e 11-të, duke zhbllokuar takimin, për Rayo gjeti forca për të reaguar me Pozon në të 35-ën dhe Garcian në të 57-ën, dhe kur të gjithë prisnin këtë rezultat surprizë, Dembele dhe Suarez me intuitën e tyre treguan se janë dy sulmues të mëdhenj në një skuadër të madhe.

Barcelona më këtë fitore krijon një diferencë prej 4 pikës me Atleticon e Madridit, që mban vendin e dytë, pasi “Los Colchoneros” barazuan 1-1 në fushën e Leganes.

Juventusi mbetet një makineri e pandalshme edhe atëherë kur trajneri Allegri bën rotacion apo ndryshon gjysmën e formacionit. Bardhezinjtë mposhtëm 3-1 Cagliarin në “Allianz Stadium”, duke rivendosur diferencën prej 6 pikësh me dy skuadrat ndjekëse, Napoli dhe Inter.

Po luhej ende minuta e parë, ose më saktë sekonda e 43-të, kur Paulo Dybala zhbllokoi takimin me një gjuajtje të saktë brenda zonës, që rezultoi e pakapshme për portierin Cragno.

Goli i shpejtë dha përshtypjen se Juventusi mund të fitonte me lehtësi me goleadë, por nuk ndodhi kështu.

Në minutën e 36-të, Joao Pedro befasoi Szczesnyn me një kthesë të shpejtë brenda zonës, duke kthyer baraspeshën në rezultat.

Vetëm dy minuta më vonë, Bradaric zgjat këmbën për të ndalur krosin e ulët të Douglas Costas, por fatkeqësisht e devijon topin në rrjetë në shtyllë e parë, duke shënuar autogol.

Tre minuta para fundit të kohës së rregullt Cristiano Ronaldo menjë kundërsulm të shpejtë nxori të lirë Cuadradon që vulosi rezultatin përfundimtar 3-1. Napoli fitoi 5-1 ndaj Empolit, një ditë më parë, duke mbetur në ndjekje të Juves, ndërsa Roma barazoi 1-1 me Fiorentinën.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: