KHASHOGGI YNË SHQIPTAR - KOMENT NGA FRROK ÇUPI

KHASHOGGI YNË SHQIPTAR - KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

A na duhet këtu një ‘Khashoggi’ nëse mund ta krijojmë? Apo ndoshta i kemi ‘gia’ të krijuar kandidatët për ‘Khashoggi’?...

Jamal Khashoggi, një emër kaq i vështirë për t’u prononcuar në gjuhën shqipe, tanimë është bërë kaq popullor edhe mes nesh. Gjithë bota ka folur e po flet për gazetarin saudit që u vra brenda konsullatës së mbretërisë Saudite, në 2 Tetor. Përplasja e madhe e botës së përparuar të Perëndimit me Sauditët, me Iranin, me Katarin..., mund të ndodhë pikërisht për shkak të Khashoggi.

Sot e enjte, më në fund, Sauditët pranuan vrasjen e gazetarit brenda konsullatës në Stamboll, madje edhe ‘kasaphanën’ ku u copëtua trupi i tij. “Khashoggi vdiq pasi u drogua dhe pastaj u copëtua pjesë- pjesë”- tha një zëdhënës i zyrës së prokurorit publik gjatë konfirmimit të parë Saudit se si ishte vrarë gazetari. “Por princi i Kurorës Mohammed bin Salman nuk ka gisht në këtë punë”, deklaroi zëdhënësi.

Deri tani ishte thënë se kjo është ‘punë’ e princit, por nuk është këtu çështja; në Shqipëri nuk do të kemi asnjë gazetar të vrarë.

‘Khashoggi’ është një mister politikash. Pse?...

... Si për çudi, zhdukja e gazetarit brenda konsullatës Saudite, u denoncua nga Turiqa- një shtet ku liria e shprehjes shtypet si rrallë në ndonjë vend tjetër sot në botë. Sot, kur bota lavdëron Turqinë pse ‘shpëtoi’ gazetarin saudit Khashoggi, 57 gazetarë turq ndiqen dhe ndodhen nën akuzë për ‘propagandë terroriste’ pas ‘grushtit të shtetit’ të shpikur nga presidenti Erdogan. Ndërsa 24 gazetarë ndodhen në qeli, bash për këtë arsye.

Çfarë është gjithë ky mister që ka rrethuar figurën e Jamal Khashoggi?... tani pas vdekjes, d.m.th., pas përdorimit? E çmojnë të kundërtit: si ata që e duan lirinë- edhe ata që nuk e duan; edhe ata që e quajtën ‘agjent’ brenda Sauditëve- por edhe ata që e përdorën në Perëndim; edhe Erdogan, - por edhe Princi... Kjo është çështja kryesore që na hap portën për të hyrë në misterin tjetër: ‘Vallë a përdoren edhe gazetarët shqiptarë si një ‘Khashoggi’? Nuk them ‘një vrasje’ sigurisht, por them një Jamal të gjallë që sillet ashtu si Jamali saudit deri në aktin e bujshëm...

Khashoggi ka emër në botë tani, por a ishte kështu para përdorimit? (A janë të shquar gazetarët tanë para se t’i përdorin?)... Më qartë, a ishte sauditi, tashmë i kthyer në mit për botën, një gazetar i shquar, ‘i madh’, i fuqishëm dhe mbi të tjerë - siç thuhet rëndom?... Sepse kjo përshtypje të krijohet përmes zhurmës së madhe botërore... Një nga kolegët e tij, madje edhe mik i afër, John Bradley, thotë se komentatorët e medias botërore e çmonin Jamal Khashoggi për shkak se i  furnizonte me fakte pa fund nga rajoni, ndërsa ‘brenda Arabisë Saudite ai nuk ishte aspak popullor’... Kjo është një ngjashmëri e mahnitshme me një ‘Khashoggi’ shqiptar. Vetëm muajt e fundit, partitë politike të mëdha, kanë ofruar si ‘spiunë’ të tyre disa gazetarë që nuk kanë emër në publik. I përdorin për përgjime, për filmime dhe për përndjekje të kundërshtarëve.  Ose disa të tjerë që rreshtohen ‘këta të kësaj partie’, të tjerët të partisë tjetër. Po sa vlen?... Nëse ti thua ‘jam gazetar’, tjetri menjëherë do të të pyesë: “Si e ke emrin?”; por nëse mbledh buzët e largohet, mos harro se ende nuk je gazetar. Vlerat minimale të profesionistëve kanë kapur kulmet e paraqitjes në publik ose të përdorimit nga partitë. Vulgariteti ka plasur sheshit të mediave- gjë që dëshmon se ‘ata që nuk janë- janë”, dhe ata që janë- nuk janë! Miti botëror i Khashoggi, edhe pse një gazetar pa shumë emër, na bën të mendohemi për fenomenin që mund të jetë edhe shqiptar..., pse jo!

Po autokrati turk Erdogan, vallë pse u vu fuqishëm në mbrojtje të gazetarit përballë mbretërisë Saudite? Se ju, ndoshta po mendoni se Erdogan ‘është i mirë me botën’, por ata të tijtë ‘ia kanë sjellë në majë të hundës’... Jo, jo. Autokrati nuk ka asnjë dobësi para Khashoggi. Gazetari saudit, sidomos vdekja e tij, u përdorën nga Turqia për të fituar hegjemoninë në rajon, përballë aleatit Saudit. Erdogan e kërkon me çdo mjet lidershipin e ‘Botës Myslimane’. Rrënimi që pësoi Arabia Saudite para botës pas vrasjes së Khashoggi, as që mund të riparohet, hegjemonia Myslimane do t’i lihet në dorë Turqisë; Turqia e fitoi atë që deshi. Turqit e dinë se mund t’i poshtërojnë edhe më shumë Sauditët në skenën ndërkombëtare dhe se mund të krijojnë një ‘dhomë’ tjetër të veçuar politike me koncesione mbi Siri, Katar dhe Iran. Khashoggi, edhe pse saudit, po përdoret nga Turqia herë si çështje e lirisë së individit e herë si aktivist i Vëllazërisë Myslimane... Një gazetar që kapet ‘rob’ prej politikës dhe shteteve, është i destinuar të ketë fatin e Khashoggi, por jo gjithnjë fat triumfal si gazetari i vrarë brenda konsullatës së Mbretërisë. Edhe i gjallë, edhe i rrënuar- kështu po... Ne i kemi thuajse të gjithë gazetarët, secili prej tyre, një ‘Khashoggi’.

Dhe me ‘vrasësin’ e gazetarit do të ndodhë njësoj si me princin e Arabisë Saudite përballë Khashoggi... Sot, një muaj e gjysmë pas uraganit të fuqishëm botëror mbi vrasjen e Jamal Khashoggi, princi saudit Mohammed bin Salman është më popullor se kurrë më parë në Arabinë Saudite, por kjo fitore e tij, pas vrasjes së gazetarit. Njësoj siç i kemi këtu në Tiranë afër e afër njëra tjetrës ambasadën e Iranit, të Katarit, e Arabisë Saudite..., po kështu nuk kam dyshim se jemi të rrethuar me gazetarët fantazma ‘Khashoggi’.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: