Ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Si i njoha nga afër mjekët e njohur që vinin për specializime

Ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Si i njoha nga afër mjekët e njohur që vinin për specializime
INTERVISTA/ Flet Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Bajram Preza, Ferdinand Paparisto dhe Llambi Ziçishti, Fejzi Hoxha, Koço Glozheni, etj, etj;  mjekët francezë i quajtën të arta duart dhe mendjen e tyre, deri edhe shkencëtarë të nivelit ndërkombëtar

“Si i njoha nga afër mjekët e njohur

që vinin për specializime në Francë”

Bajram Preza, Ferdinand Paparisto dhe Llambi Ziçishti, Fejzi Hoxha, Koço Glozheni, Simon Capeli, Fejzi Hoxha, Thoma Kristo, Arian Xhumari e shumë emra të tjerë të njohur të mjekësisë shqiptare. Që të gjithë, në kontakt me Francën gjatë viteve ’70, ku edhe pati rastin që t’i njohte nga afër ish-zbuluesi politik i Shqipërisë në Francë, Hasan Luçi. Pikërisht, për secilin prej tyre, ai jep sot në këtë rrëfim të posaçëm për “Albanian Free Press” përshtypjet e veta personale...

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Zholi

Me cilët mjekë shqiptarë je njohur në Paris?

Gjatë dy qëndrimeve të mia në Paris, u njoha me shumë nga mjekët tanë, mjekët më në zë, ku pjesa dërmuese e tyre punonin për mbrojtjen shëndetësore të udhëheqjes, prandaj edhe dërgoheshin për specializime të ndryshme kohë pas kohe, veç punës së shoqërimit që u bënin pacientëve të tyre në Paris. Me të gjithë, në tërësi, kalova mirë, me shumë prej tyre madje u bëmë edhe miq familjarisht dhe tek një pjesë jam vizituar edhe vetë, gruaja apo fëmijët. Por tek ata kam çuar edhe familjarë, të afërm, shokë e miq për vizita mjekësore, ku janë mirëpritur, por edhe këshilluar prej meje për t’i takuar.

Grupi i mjekëve që qëndroi më gjatë në Paris në vitet’60, qe ai i përbërë nga Bajram Preza, Ferdinand Paparisto dhe Llambi Ziçishti, të cilët bënë gjashtë muaj specializim, ku i njoha për herë të parë. Atëherë nuk kishte lëvizje të shumta Shqipëri-Francë dhe ne i ftonim këta në shtëpitë tona e në legatë me raste festash, gëzimesh e për vizita, ku kalonim kohën edhe ditë pushimi me lojëra, biseda, shëtitje. Prof. Preza ishte krejt i heshtur; kur e pyesje të përgjigjej shkurt e drejt me atë zërin e thatë të çjerrë pak dhe rrallë pyeste, por as merrte pjesë në lojëra me letra, shah etj. Kurse prof. Paparistua ishte Nastradin i vërtetë, tip shumë i rrallë për gjallëri, mençuri e humor, ngacmues si djalli vetë, por i hapur, pa djallëzi, se nuk rrinte dot ndryshe kur ishte i lirë, pasi në punë ishte shumë serioz. Ndërsa prof. Llambi ishte i mbyllur, më i nëndheshëm dhe jo aq i gjallë në lëvizje e biseda, i merrej pak goja, kishte një vështrim me kokë dhe sy lart, ishte kategorik në mendimet e veta, përplaseshe lehtë me të. Ky e dinte mirë frëngjishten se kishte qenë në fillim për studime mjekësore në Paris, pastaj i vijoi dhe përfundoi në Rumani. Vija re se Llambi e Ferdinandi nuk lexonin e as blinin shumë libra, ndërsa Bajrami qe një prift i leximit dhe blerës librash, se edhe ato pak pará që kurseu nga bursa i bleu libra. Këtë ma tha edhe gruaja e tij e ndjerë, e para, të cilën e kisha njohur në 1949 në kampin e pionierëve në Skelë të Vlorës ku ishim së bashku. Ajo mbahej mënd lehtë e nuk harrohej për kokën e saj brune shumë të bukur. Shkëmbyem vizita familjare, sa ishte gjallë kjo. U bëmë miq familjarisht edhe me Ferdinandin e gruan e tij, na prisnin me gëzim, ku kalonim kohë me shaka edhe në Tiranë, kur gjenin kohë të lirë. Me Bajramin e Ferdin na lidhën edhe sëmundje të familjes sime apo miqve që ua çoja. Këta qenë të papërtuar dhe më bënë shumë ndere për mjekimin e gruas, që kaloi një paralizë dhe për të afërm të tjerë, shok e miq. Më pëlqenin se bënin edhe debate politike dhe mjekësorë, me zjarr, në tërësi interesante dhe me brumë, por vija re edhe rivalitete. Mendoj  se rivalitetet  tek mjekët janë më të forta, por duken më qartë tek artistët dhe politikanët. Këta profesorë vlerësoheshin si shkencëtarë nga mjekët francezë dhe mjekë humanë, kurse Ferdi e Llambi kirurgë të shquar, të tre të rangut ndërkombëtar, me horizont të gjerë kulturor e profesional. Këta ishin tepër dinjitozë e profesionistë kur ishin në marrëdhëniet me kolegët francezë, të cilët pasi i njohën në punë e sipër, qenë shumë të vëmendshëm me ta. Ky vlerësim u duk edhe në vitet ’70 kur këta shoqëruan udhëheqës tanë në Paris për arsye shëndetësore.

Ç’të them për prof. Fejzi Hoxhën, atëherë si gjysh për mua, njeri i rrallë për mirësjellje, buzëqeshjen dhe humorin e rrallë e të mirë, plot ngjyra dhe zgjuarsi. Ai u bë si mit në ambasadën tonë dhe shfrytëzonim çdo rast të bisedonim me të, se na jepte edhe mundësinë. Ai qe i papërtuar edhe për të na vizituar e këshilluar në rast nevoje në çdo kohë, si të vegjëlit edhe të mëdhenjtë, qe tepër i vëmendshëm ndaj njerëzve. Ai pëlqente shumë të bënim shaka dhe të luanim letra në kohën e lirë, ku ai çlodhej vërtet. Sillej si fëmijë i gëzuar, i përkëdhelur, duke qeshur me zë e klithma gazmore. Nuk e pashë ndonjëherë të zemëruar, por tërë humor edhe kur i bënin hile dhe e mundnin në letrat çupa, duke i hedhur derrat. Ai e nxiste vetë humorin, ndërsa të tjerë rezervoheshin. Për tëra këto cilësi, e doja shumë dhe e respektoja, bëja çmos ta ndihmoja në punët e tij, për takime me mjekët francezë dhe laboratorët. Gjithashtu ndihmova edhe djalin e vet kur erdhi për vizitë mjekësore dhe u miqësova me të edhe në Tiranë. Kurse prof. Paparisto i afrohej prof. Hoxhës si njeri gazmor edhe për thjeshtësi. Njëherë, prof. Hoxha nuk e duroi njërin, i cili bëri shaka pa kripë, duke i hequr kapelën republikë, që s’e hiqte kurrë nga koka në publik, se e kishte të sëmurë lëkurën e kokës. Ishte rasti i vetëm që e pashë aq të nevrikosur me të drejtë sa s’bëhet. Nuk duronte as hilet e punës dhe përgojimet pa të drejtë, që rrallë ndonjëri nga kolegët e tepronte me të, etj., kur s’dinin të mbanin vendin e vet me të. Ai u besonte shumë njerëzve, bile në disa raste më shumë se ç’duhej dhe sa e meritonte. Për të rinjtë, mjekë ose jo, ai ishte jo vetëm mësues, por edhe prind i edukatës së traditës shqiptare.

Nga ana tjetër, prof. Simon Capeli qe dhe mbetet një njeri i veçantë, sidomos për urtësi e mirësjellje, për miqësi të pastër dhe thjeshtësi në qëndrime. Dukej pak i menduar dhe fjalëpak, por kur zotohej në biseda pune e shoqërore, ai shpërthente me gjallëri e humor, duke lëvizur gjallërisht sytë e mëdhenj të zinj të bukur dhe duke qeshur si fëmijë, kur i dukeshin dhëmbët e bardhë si bora. Duhej t’i gjeje pak telat që të bëhej gaz e hare. Mjekët francezë i quajtën të arta duart dhe mendjen e tij, si kirurg e shkencëtar të nivelit ndërkombëtar, ata shpreheshin se një kirurg i tillë u duhej edhe atyre, siç m’u shpreh shpesh prof. Pol Miliezi, Hudari etj. Gjatë stazhit dhe shoqërimeve të pacientëve në Paris, ai u soll me shumë mençuri e urtësi, as nxitohej as rrëmbehej edhe në situata alarmante për të tjerët. E vlerësoja për këto cilësi dhe e ndihmoja sa mundja, se na u hëngër edhe muhabeti së bashku. Kur u ktheva në Tiranë, u bëmë miq familjarë edhe me gruan e tij bukuroshe, që fatkeqësisht iu pre jeta e re. Kurdo që e takoj gëzohem se shihemi dhe shkëmbejmë dy fjalë miqësie të pastër e të vjetër, që na mungon shpesh sot, se njerëzit sot kanë ndryshuar jo pak edhe nga miqtë e vjetër apo bashkëpunëtorët e punëve.

Kujtime të mira ruaj edhe për prof. Thoma Kriston, pediatrin e shquar i nivelit ndërkombëtar, që e njoha në fillim gjatë qëndrimit në Paris. Tironsia dhe humori i vet, me atë kollitjen tejet të rrallë të famshme, të thatë dhe përkuljen e kokës e mimikën e trazuar, e bënin atë si një personazh përrallash gazmore. Njeri shumë i urtë, shumë i thjeshtë, fjalë-ëmbël në çdo rast dhe shumë i vëmendshëm në çdo vizitë mjekësore apo në vizita familjare me të, apo në biseda shoqërore. Si në Paris, por sidomos në Tiranë, ai u bë mjek i fëmijëve të mi dhe nipërve e mbesave të mi që i çoja. Në veçanti, ai shëroi me zotësi mbesën time Aurorën, e cila u sëmur rëndë dhe mblodhi ujë, prandaj i bënë drenazhe, ajo vajti në gradën e fundit kur thonë dhe ende sot, nuk e besojmë sesi e shpëtoi ai e kolegët e tij të spitalit të fëmijëve në Tiranë. U tregua i papërtuar edhe me të tjerët, që i çoja në shtëpi, apo në spital. Nëse ka mjek që ka bërë betimin e Sokratit, ky është mjeku i shquar Kristo njerëzori.

Nga ana tjetër, profesorët Muzhak Kosturi dhe Jani Avrami erdhën së bashku në Paris për specializim në vitet ’70, ku i njoha për herë të parë. U miqësova shpejt me të dy, por në mënyrë të veçantë me Muzhakun, i cili s’qe i bukur në fytyrë, por shpirti e bota e tij shumë të rrallë në miqësi dhe sinqeritet, pa asnjë interes. Ai qe i mençur, shumë i thjeshtë, tërë gjallëri e guxim. Jani ishte tipi i korçarit, por jo në ekstrem, siç janë jo pak korçarë. I hapur e i dashur në miqësi, me humor të mirë dhe objektiv në mendime e veprime, edhe ndaj kolegëve. E ruajta miqësinë me të edhe në Tiranë, duke kujtuar të kaluarën por edhe tranzicionin shpifarak. Me Muzhakun u miqësuam familjarisht dhe shkëmbyem vizita në Tiranë. Na la përshtypje të mira edhe gruaja e tij, e urtë, e thjeshtë, megjithëse e huaj. Muzhaku më ndihmoi shumë kur operoi gruan time dhe i shpëtoi jetën, por ai ndihmoi edhe miqtë e mi që i çova dhe u tregua i papërtuar si mjek. Nuk mësova ndonjë rast të dështuar në punën e këtij kirurgu të nivelit ndërkombëtar. Ai qe njeri i drejtë dhe nuk i duronte hileqarët e servilët, sidomos një pjesë që i njihja edhe unë dhe ai i kishte rënë në të me guxim e drejtësi. Kështu mbeti derisa u nda nga jeta, i hidhëruar nga tranzicioni dhe shkatërrimi i mjekësisë shqiptare.

Edhe dr.Thanas Gjika nga Tërbaçi, një kushëri i gruas së xhaxhait tim Fejzo, është njeri i dashur, buzagaz, i thjeshtë, nuk të bezdis për asgjë, fjalë ëmbël e zë ulët. Me të mbeta mik jete, takohemi herë pas here në Tiranë për cilësitë e tij njerëzore e jo vetëm si krushqi.

Kam miqësi e respekt për Dr. Titi Tamburin, gjithnjë djaloshar i qeshur, i thjesht e i pastër në miqësi. Pësoi aksident të rëndë, por e mori veten. E takova në shkurt 2000 në Tiranë kur ishte kthyer nga Kanadaja, ku mërgoi familjarisht. “Mirë bëre, i thashë, të jini mirë, por mos harroni ne e vendin”. E vura re se e brente malli për atdheun e shoqërinë dhe kishte bërë zgjidhje jo me dëshirë, siç u shpreh ai. Ruante ende atë fytyrën rinore kuqaloshe.

Kurse dr. Arian Xhumari më ka lënë mbresa si njeri i një kalibri të veçantë, njerëzor në tërësinë e tij. Dukej me një fytyrë fëminore dhe duke buzëqeshur përkulte sa andej këtej kokën, ndërsa sytë xixë i vezullonin dritë, megjithëse syzet ia mbulonin disi. Buzëqeshja e tij qe e pakrahasueshme me dikë, rrezatonte mirësi, urtësi e mençuri, sinqeritet e dinjitet. Nuk dëgjova nga asnjeri ndonjë qortim për të, veç lavdërime si njeri e neurokirurg.

Ndërkaq, prof. Nikolla Shurbani qe një nga mjekët e parë, me të cilin u njoha dhe u miqësuam shpejt, se ishte njeri mbi të gjitha në çdo kuptim, shumë i hapur dhe i qeshur, pa ndrojtje e naze, i drejt në biseda, me gjykim të fortë dhe zotësi profesioni e kulturë të gjerë. Me zërin e tij të butë e të qetë fliste rrjedhshëm e bukur me theksin shkodran. Ai qe edhe veteran i njohur, i kërkonim të na fliste, ai nuk kursehej për asgjë. Ishte njeri i traditës që sot gati nuk e gjen më.

Me dr. Pavllo Milo, si dy lebër, muza na u puq shpejt dhe me humorin e tij të veçantë dhe zërin tingëllues të trashë, siç e kanë bregdetasit e Himarës, fliste vençe pa doreza, me thjeshtësi fshati hynte shpejt në zemër, pa asnjë pozë të dituri, por i ditur, siç ishte. Korrekt në punë e shoqëri, jo si të tjerë interesaxhi me çizme, qe popullor si ai. Njeri gojë-ëmbël dhe i thjeshtë qe edhe Dr. Ferit Saraçi, zë ulët, por me sytë zjarr, korrekt e i sjellshëm, i veçantë. U bëmë miq edhe në Tiranë. U bëmë miq edhe me prof. Josif Adhamin, megjithëse dukej i ftohtë dhe jo i qeshur, por i sjellshëm, i vëmendshëm me njerëzit në punë e shoqëri, i gatshëm për t’i ndihmuar, duke hedhur edhe flokët nga njëra anë, që i jepnin hijeshi fytyrës së tij të lezetshme.

Kurse dr. Nasi Bozhekun e kujtoj si një Nastradin bashkëkohor. E pata njohur në vitet’60 në spitalin ushtarak, ku ne të sëmurëve na drejtohej si me inat, duke marrë një pozë të shtrembëruar, sikur do të mbathte kuajt dhe bënte disa pyetje pa marrë përgjigje, bënte mirë punën duke bërë qyfyre. Në 1974-tën, në Paris qëndroi gjashtë muaj për specializim në spitalin e famshëm “Salpetrier”, ku qëlloi që shtrova gruan nga një paralizë, ku zotësia e prof. Gudenit dhe kujdesi i Nasit e kthyen në jetë. Prof. Gudeni e çmonte shumë Nasin për nivelin e specializimit e përpjekjet për të mësuar pa përtim. Në atë kohë, Nasi banonte në një dhomë me prof. Anesti Boçkën dhe të dy u bënë një pendë simpatike me ngjashmëri fizike nga fytyrat, si me inat e zeshkanë, të gatshëm për sulme e batuta për të kaluar mërzinë jashtë punës, se qëlloi që atëherë shteti ynë mori  një nismë, duke u marrë një pjesë të mirë të bursës dhe u la një dietë mizerje, sipas direktivës për kursime. Këta fajin ma veshën mua si atashe kulture, shefi i tyre, paçka se unë s’kisha bërë asnjë propozim qeverisë, përkundrazi e kundërshtova masën revolucionare për të mos u borgjezuar e pasuruar edhe në organizatën bazë të partisë, se vërtet mbetën ngushtë nga ana financiare. Një ditë i gjeta të dy në hotel në Montparnas, duke zier makarona me ujët e ngrohtë të hotelit, se atje s’të linin të gatuaje, por as uji nuk qe për t’i zier makaronat. Ashtu gjysmë të ziera, ata i mbllaçitën se s’kishin ç’të bënin tjetër me tallonin e ditës. Numrat e Nasit s’kanë të sosur as si mjek, as si politikan i mjedisit, as për intervistat në mediat vizive. Shumë njerëz e shajnë Nasin, por unë e mbroj se ai bën shaka e flet sikur bën kujën, por është mjek i zoti në detyrën e vet, ka njohuri të gjera, ka nivel kulturor, di edhe dreqin.

 

Po të veçantat e mjekëve të tjerë që keni njohur?

Dr. Nevzat Vigani qe hokatar i thekur, megjithëse dukej i ngrysur, por qe i papërtuar dhe rrogoz me shokë e miq. E pata njohur në vitet ’60 dhe kemi kaluar mirë. Dr. Nestor Tereska i zhurmshëm me atë zërin e çjerrë është polemist i madh, ruante ca poza madhështie e dallonte nga të tjerë, mbase se mbante edhe kokën përpjetë. Dr. Gëzim Pepi qe njeri i gjallë, i shoqërueshëm, i papërtuar për të ndihmuar. Edhe dr. Edmond Kapedani shkëlqente në shoqëri, i gjallë, i thjeshtë, u bëmë miq familjarë edhe me gratë. Dr. Anesti Kondilin e njihja shpejt dhe në Paris ia kaluam mirë. Kurse dDr. Sabit Brokaj qe jo vetëm hokatar, por edhe sulmues i zellshëm për të ngacmuar, por merrte edhe përgjigje vëndnçe, duke iu bërë fytyra flakë e kuqe si kokrra e thanës e zgurdulluar sytë, me një anim e lëkundje koke, ku i shkëlqenin dhëmbët e bardhë. Dr. Klement Cani i qetë dhe me fytyrë serioze qe bashkëbisedues i këndshëm. Dr. Bashkim Cuberi qe një Nastradin gjirokastrit, trupmadh dhe s’t’i shqiste sytë e bukur, gjithmonë i sjellshëm me të folurën e kripur gjirokastrite. E ngacmoja se dija huqet e atij qyteti, por ai mbrohej fort, se ishim edhe komshi. Dr. Emil Qirko?  Pak i vështirë në diskutime, por i zoti si mjek dhe me kulturë të gjerë. Fytyra i shkëlqente, si dhe dhëmbët e florinjtë. Dr. Gjergj Çepon e njoha në Paris si mjekun tim të syve, djalë i gjallë, me gjuhën tipike korçare, me ecjen e tij dhe ngërdheshjen prej karagjozi në fytyrë, sikur e pickonte miza, tërë humor, “o t’u mbylltë!” - siç thotë ai.

 

KUJTIME

 

“Koço Glozheni, mjeku që të

befasonte me njohuritë e tij”

 “Nderim të veçantë ruaj për prof. Koço Gliozhenin, me pamje romi e hutim, por thjeshtësia e urtësia vetë, sytë zhbirues rrezatonin mençuri të madhe, të befasonte me njohuritë dhe humorin e tij kur ishte i ngeshëm. U bëmë miq, bile ai më trajtoi si shok moshe dhe e ngacmoja t’i merrja pak nga zanati dhe njohuri për të fshehtat e njeriut, të para nga një mjek i klasit të parë botëror.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: