Ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Si frekuentonim në Paris dyqanet e dorës së dytë, si ato të gabit sot!

Ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Si frekuentonim në Paris dyqanet e dorës së dytë, si ato të gabit sot!
Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë në një rrëfim për “Albanian Free Press” tregoi momente që nga gruaja e Haxhi Lleshit, Haxhirja; deri edhe te Nexhmije Hoxha, erdhën në Paris për t’u vizituar nga mjekët francezë. Madje djalit të Mehmet Shehut, ata i vunë dhe ligamente lepuri

Gruaja e ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, Nexhmija, ka shkuar për vizitë mjekësore në Paris. Sikundër, edhe shumë personalitete të larta të sistemit të asaj kohe. Këtë e pohon për “Albanian Free Press”, në një rrëfim të posaçëm, ish-zbuluesi politik i Shqipërisë në Francë, Hasan Luçi. Ai dha detaje edhe të tjera në një intervistë të ditës së sotme mbi vizitat që ata kryenin në Paris, të tilla si fotot që bënin, apo edhe dyqanet ku shkonin të bënin blerjet.

Por tregoi edhe episode interesante: Një ditë dolëm në pazar dhe vajtëm te dyqani që i thoshim “Xhaxhi Tati” nën kishën “Sakre Kër”, në bulevardin Klishi. Në ato kohë, atje kishte dyqane popullore, si gabi sot, mallra të lira të çfarëdoshme se kishte filluar shoqëria e konsumit të shpejtë, i mbaje veshmbathjet një sezon dhe i hidhje, ose i falje. Isha së bashku me Nefon e Vera Malon. Në një dyqan, Nefos i pëlqyen një palë këpucë, por atje i mbanin njërën në vitrinë dhe tjetrën në kosh, ku shkruhej: “nuk ndërrohen pasi i blen e del nga dyqani”. Ajo i bleu, megjithëse ia përktheva atë shënim, si shoqërues dhe ajo i mbathi këpucët e reja. Pasi u sorollatëm dyqaneve rreth dy orë, mua më piku për një kafe se u lodhëm dhe s’kisha për të blerë, i ftova të pinim një kafe, se edhe ato ishin bërë telef, qenë më të moshuara. “Shyqyr që na kujtove”, -tha Vera, duke më shkelur syrin. Duke pirë kafen, Nefua i pa këpucët e reja me qejf, por vuri re se i ishte shkëputur sholla në dy-tre vende. “Ua! -klithi ajo, -Hasan t’i ndërrojmë!”. “Më fal, po unë të njoha me rregulloren e dyqanit”, -i thashë  dhe Vera shtoi shpejt: “Po, po, s’t’i kthejnë më!”. “Ju thashë, -ndërhyra unë, -se s’është dyqan për ju, por as për ne, ne vijmë nga halli këtu se aq na ka xhepi, po ky është malli sikter”. Qeshëm sërish. Unë e di sa herë jam kritikuar e sa herë kemi diskutuar mos shkonim në ato dyqane, por xhepi këtu që këtu na binte. U ngritëm ca të hidhëruar, bëmë edhe ca xhiro e u kthyem në shtëpi të uritur. Historia mbeti e kujtohej herë pas here me gaz. Nefon e njoha si grua të urtë, me humor, të afrueshme, me një bukuri mongole, sy mëshqerrë, e shëndoshë, me sy zhbirues e të qeshur. Nuk ngjante fare me vëllain prof. Arben Puton, i ngrysur edhe kur qeshte, gjirokastrit tipik me gjithë rroba”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: