Gripi, sa i rëndësishëm është vaksinimi në këtë periudhë

Gripi, sa i rëndësishëm është vaksinimi në këtë periudhë
“Të godasim gripin”, është fushata e ndërmarrë këtë vit nga ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kundër gripit. Vaksinimi mbetet mënyra kryesore për të luftuar gripin, ndaj ekspertët u bëjnë thirrje të gjitha kategorive me risk, të marrin masat për të kryer vaksinën, pikërisht në këtë periudhë

Sonila Isaku

Gripi nuk duhet të neglizhohet dhe që në shenjat e para të tij, konsultohuni me mjekun e familjes. Mjeku i familjes duhet të vlerësojë me seriozitet të gjitha shenjat me të cilat çdo i sëmurë dyshohet i infektuar me virusin e gripit. Ashtu sikundër edhe gjatë viteve të tjera, departamenti i Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, ka nisur fushatën e sensibilizimit në popullatë, si dhe personelin shëndetësor, sa i takon vaksinimit. Kategoritë me risk mund ta përfitojnë vaksinën falas në qendrat shëndetësore.

Gripi

Gripi është një infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu te njeriu. Gripi sezonal është një problem serioz i shëndetit publik, i cili shkakton gjendje të rëndë shëndetësore, shtrime në spital dhe deri në vdekje te grupet me risk të lartë. Gripi transmetohet nga njeriu te njeriu me spërkla, gjatë teshtimave, kollitjes ose gjatë bisedimit. Më rrallë, një individ mund të infektohet me virusin e gripit duke prekur objekte të ndotura me këtë virus dhe pastaj individi të prekë gojën ose hundën e tij me duart e infektuara. Një individ i infektuar mund të infektojë të tjerët, 1 ditë para se simptomat të shfaqen deri në 5-7 ditë pasi është sëmurë. Simptomat shfaqen 1-4 ditë pasi virusi është futur në trup. Pra, ju mund t’ia transmetoni virusin dikujt tjetër, përpara se ta kuptoni që jeni sëmurë, gjithashtu e transmetoni virusin edhe kur jeni të sëmurë.

Vaksina

Vaksina ndaj gripit përmban pjesë inaktive (virus të copëzuar jo të gjallë), të viruseve që mendohet se do qarkullojnë gjatë sezonit. Kundërtrupat fillojnë të zhvillohen në trup dy javë pasi është bërë vaksina.

Kundërtrupat e zhvilluar në përgjigje të vaksinës, ndonjëherë mund të sigurojnë mbrojtje kundër viruseve të ndryshëm të gripit që lidhen me njëri-tjetrin, pavarësisht se nuk përputhet maksimalisht me viruset që qarkullojnë.

ISHP-ja rekomandon kryerjen e një vaksine ndaj gripit çdo vit, si mënyra e parë dhe më e mirë për tu mbrojtur nga gripi. Vaksina e gripit mund të reduktojë sëmundjet prej gripit, vizitat te doktori, mungesat në punë dhe në shkollë prej gripit, si dhe parandalon shtrimet në spital si rrjedhojë e gripit. Vaksinën kundër gripit duhet ta bëjnë të gjithë individët në risk të lartë, për të zhvilluar komplikacione të rënda ndaj gripit, si:

Fëmijët mbi 6 muaj; Gratë shtatzëna; Individë me sëmundje kronike si astma, diabeti, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje pulmonare, si dhe individët e moshës mbi 65 vjeç.

Vaksinimi i punonjësve të kujdesit shëndetësor, është shumë i rëndësishëm për të mbrojtur vetveten dhe sidomos pacientët, të cilët janë në grupet në risk. Nuk duhet të vaksinohen me vaksinën kundër gripit, personat që kanë alergji nga veza, persona në gjendje akute me temperaturë, persona që kanë pasur reaksione të mëparshme, si dhe fëmijët nën 6 muajsh.

Shenjat e gripit

Shenjat më të zakonshme të gripit, janë: temperaturë e lartë, kollë, dhimbje fyti. Shenja të tjera të mundshme, janë: lodhje, dhimbje koke, të përziera, diarre, të vjella, dhimbje barku, rrjedhje të hundëve, si dhe dhimbje muskujsh.

Masat

Tre hapat që duhen të ndiqen për të luftuar gripin, janë: vaksina kundër gripit, marrja e masave të nevojshme çdo ditë, për të parandaluar përhapjen e virusit të gripit, si dhe përdorimi i medikamenteve antivirale nën përshkrimin e mjekut. Mënyra më e mirë e parandalimit të virusit të gripit, është vaksinimi me vaksinën kundër gripit. Vaksinimi mbron vetë personin, si dhe ndihmon në mos përhapjen e gripit.

Barnat

Ilaçet kundër gripit mund të përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe të rekomanduara nga mjeku. Ilaçet kundër gripit duhet të fillohen brenda 48 orëve të para të fillimit të sëmundjes. Ilaçet ndaj gripit mund ta bëjnë sëmundjen më të butë, si dhe të shkurtojnë kohën që ju jeni të sëmurë. Ato mund të parandalojnë edhe komplikacionet e rënda, që mund të vijnë nga gripi. Kujdes! Ilaçet kundër gripit jepen vetëm me rekomandim të mjekut!

Kush vaksinohet

Vaksina ndaj gripit rekomandohet të kryhet:

Çdo vit;

Për çdo individ mbi 6 muaj e lart;

Gratë shtatzëna;

Të moshuarit mbi 60 vjeç;

Të sëmurët me sëmundje kronike;

Fëmijët e vegjël;

Personeli shëndetësor.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: