E ARDHMJA POLITIKE E LULZIM BASHËS-OPINION NGA ROLAND QAFOKU

E ARDHMJA POLITIKE E LULZIM BASHËS-OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Rubrika / Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Me dy palë zgjedhje të humbura thellësisht, me kuota të ulëta besimi, me mungesën e shpresës se është alternativë për qeverisje dhe me pyetjen e madhe kur do vijë në pushtet, Partia Demokratike do të mbajë më 15 dhjetor, Kuvendin Kombëtar. Zgjedhjet lokale janë në prag dhe një fitore e mundshme e PD-së, do të sillte vërtet një frymë të re për opozitën dhe masën e njerëzve; por ama, një humbje e mundshme do të sillte një katastrofë politike të kësaj partie, sepse më shumë se një humbje, ajo do ishte trokitje në pragun e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, duke thyer rregullin se një forcë politike nuk qendron më shumë se 8 vjet në pushtet. Kuvendi i të shtunës së 15 dhjetorit, merr një rëndësi të veçantë për shkak se është dhe do të përcaktojë ekipin e ri drejtues të kësaj partie. Dhe në këtë situatë që ndodhet PD-ja, ky ekip pritet të jetë përcaktues për të ardhmen politike të kësaj partie, por edhe të vetë kryetarit të saj, Lulzim Basha. Deri tani - ka 5 vjet e gjysmë që e drejton këtë parti - ka shumë pak gjëra si bilanc pozitiv dhe asnjë fitore politike. Prandaj, pritshmëria është e madhe për të lënë pas atë lidership aspak motivues - një përzierje mes ngathtësisë dhe fodullëkut - duke e kthyer opozitën jo një vend ku të mbështetet masa e të pakënaqurve, por nga mënyra si sillet, në një gjysmëqeveri që është në opozitë. Prandaj, janë të paktën 10 pika që lidershipi dhe ekipi i ri drejtues, duhet të kenë si devizë të punës së tyre në mënyrë që, PD-ja të ndryshojë formë dhe përmbajtje, por më shumë se kaq, të kthehet në një shpresë për shqiptarët!

 

  1. KTHIMI I BESIMIT

Është një togfjalësh që e ka ndjekur PD-në, nga momenti që në drejtimin e saj u zgjodh Lulzim Basha. Sociologia e njohur, Denada Toçe, iu drejtua kryetarit të PD-së në një nga forumet e thirrur prej tij, me fjalë të thjeshta, por me shumë thelb brenda. Ajo i paraqiti Bashës, vetëm një kërkesë të vogël: Të lutem, zoti Basha! Jep një premtim dhe mbaje, mos jep 10 premtime dhe nuk i mban të 10-ta! Sa thelbësore është sot, kjo kërkesë e Denadës, sepse si ajo janë shumë e shumë të tjerë që kërkojnë nga Basha të njëjtën gjë. Mbajtja e fjalës duhet të jetë një institucion për opozitën dhe kryetarin e saj, sepse kjo është qeliza e kthimit të besimit, atij besimi që realisht ka humbur në masë mes demokratëve dhe anëtarësisë, por edhe atyre që nuk aderojnë në këtë parti. Dhe kjo nis që me një fjalë të dhënë edhe për gjëra të vogkla, të parëndësishme në dukje, e deri te fjalët e dhëna për çështje madhore. Dhe këtë e ka në dorë vetëm kryetari Basha.

 

  1. MORALI I OPOZITËS

Që masa e njerëzve të mbështesë opozitën, duhet që ajo të ketë moral në të gjithë mënyrën e funksionimit të saj. Dhe ky moral nuk vjen duke ekspozuar në krye të PD-së personazhe dhe figura me moral të dyshimtë. Zoti Basha, masa e njerëzve shpesh fik televizorin kur ju nxirrni në ekran për të përfaqësuar PD-në, personazhe që nuk e njohin moralin. Që kanë flakur familjet, që njihen në publik se kanë mbi kurriz shumë gjynahe familjare, që kanë po mbi kurriz gjynahe karakteri etj. Njerëzit kërkojnë të shikojnë në krye të PD-së, njerëz që kanë integritet. Ka 28 vjet në politikë, Jozefina Topalli. Çfarë nuk kanë thënë e stërthënë për të kundërshtarët politikë: E ashpër, hakmarrëse, autoritare dhe, në shumë raste, e tepron me reagimet që bënë nga pozicioni si kryetare e Kuvendit etj. Por Topalli kurrë nuk është akuzuar nga kundërshtarët për dy cilësi, për të cilat e duan demokratët: Moral dhe ndershmëri në detyrë. Ja ku ke modelin dhe matësin me figura që konkurrojnë të jenë në ekipin drejtues. Dhe PD-ja ka plot burra e gra, djem dhe vajza, që kanë moral dhe ndershmëri profesionale. Një prej tyre që përfaqëson brezin e ri, është Jorida Tabaku, për të cilën gëzojnë respekt shumica e demokratëve, por edhe kundërshtarët e saj. Prandaj, morali dhe ndershmëria duhet të jenë një nga pikat përcaktuese për të ardhmen politike të PD-së, për të cilën vetë kryetari Basha, por edhe bashkëpunëtorët e tij, duhet të kujdesen të jenë në modelet e mësipërme.

 

  1. QËNDRUESHMËRIA E OPOZITËS

Qëndrueshmëria e opozitës ka qenë një cilësi e kultivuar në kuptimin jo pozitiv më së shumti. Kryen marrëveshje dhe prish marrëveshje. Deklaron se kurrë nuk do bëjë marrëveshje dhe në fakt, ndodh e kundërta. Sulmon median dhe më pas e quan aleate. Këto lloj stile “up and down”, duhet të marrin fund një herë e përgjithmonë. Një opozitë e qëndrueshme sjell më shumë efekte besueshmërie, afrimiteti dhe mbështetjeje. E kundërta bën që njerëzit të largohen, duke menduar negativisht për të.

 

  1. BASHKIMI I MADH

Ky togfjalësh që nuk po ngjit prej shumë kohës në PD, dhe me sa duket, edhe këtë herë nuk po zbatohet. Nga ndryshimet statusore, vetëm Jozefina Topalli si ish-kryetare e Kuvendit, do të jetë anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së. Po jo vetëm që kjo nuk është e mjaftueshme, por në këtë rast vlen më shumë se kurdo tjetër, shprehja se “pranvera me një lule s’vjen”. Potencialet e flakura jashtë PD-së, jo vetëm e dëmtojnë këtë parti, por po sjell edhe një dukuri që një pjesë e të ikurve bëhen pjesë e institucioneve të propozuara nga qeveria. Propozimi i fundit i kryeministrit Edi Rama për Ritdvan Boden – për pozicionin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë - është ironia dhe sfida më e madhe që pushteti i bën opozitës. Atë që Rama e ka akuzuar si ministri i Financave që ia la gropë ekonominë, tani e ngre në piedestal, duke e propozuar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës. Një lëvizje e tillë, si i tretë pas rastit të Majlinda Bregut dhe Ilir Rusmalit, janë diversione politike, por ama janë edhe lojë në bollëkun që PD-ja ka lënë me këto figura, të cilat janë produkte ekskluzive politike të PD-së dhe si të tillë, kjo parti kurrë nuk duhet t’i flakë pse mendojnë kundër. Bode dhe Bregu nuk janë të vetmit. Nëse bëjmë një listë me ata që janë përjashtuar me forma aspak demokratike nga kjo parti, ajo do të ishte e gjatë. E pra, Basha dhe ekipi i ri drejtues, duhet ta mendojnë mirë që, PD-ja kurrë nuk mund të arrijë të fitojë beteja politike me figura të saj të larguara e aq më keq të rreshtuara në institucione që i ka propozuar shumica. Bashkimi i madh duhet të jetë një nga sfidat e kësaj partie.

 

  1. RADHA E KTHIMIT NË PUSHTET

Nëse kryetari Basha mendon se do të bëhet kryeministër, se do t’i vijë radha, këtë vend e ka marrë lumi. Nuk mund të ketë në asnjë rast, rotacion politik për shkak të radhës së qumështit të kohës së komunizmit. Derisa fabula shkakton ilaritet, kur nën zë thonë se shishen e ka vendosur Basha i pari, atëherë çështja bëhet serioze. Basha dhe të gjithë demokratët, duhet të ndërgjegjësohen se, një historinë 106-vjeçare të shtetit shqiptar askush nuk ka ardhur në pushtet se i ka ardhur “radha e qumështit”. Prandaj, ata që flasin nën zë dhe me zë, duhet të kuptojnë një herë e mirë se, vetëm aksionet politike, mbështetja masive dhe vetëm shqiptarët, mund të arrijnë të bëjnë rotacion politik. Deklarimi i Edi Ramës në shtator 2017 se, “po nisim mandatin e dytë me synimin që të marrim mandatin e tretë”, është një kambanë e fortë alarmi politik, për atë pjesë të PD-së që mendon se të huajt nuk do ta lënë Ramën, të mbajë tre mandate.

 

  1. OPOZITA NË QYTETE DHE FSHATRA

Nuk ka ndodhur në këto 28 vjet, që një opozitë të arrijë të mos ketë degë të saj në ndonjë qytet. Ose më saktë, të ketë degë formale. Kjo po ndodh realisht me PD-në. Kjo tregon se, çfarë ka ndodhur në të vërtetë me strukturat e kësaj partie dhe se çfarë ka ndodhur me organizmin e saj kapilar. Një gjendje e tillë, duhet të ndryshojë urgjentisht. Degët dhe organizimi i militantëve të bazës, është dhe duhet të jetë një sfidë e përhershme që nis nga organizimi i degëve dhe mbaron në grupseksionet. Ndryshe, kjo parti rrezikon të atrofizohet dhe në disa zona që quhen bastione të PS-së, vetë PD-ja të mos ketë edhe degët e saj.

 

  1. NDËRKOMBËTARËT

Janë aleatët më të mëdhenj të PD-së, edhe për shkak të pikës më të fortë të Lulzim Bashës, atë të komunikimit dhe kontaktit me të huajt. Por jo në çdo rast, raporti i PD-së me ndërkombëtarët ka qenë shumë i mirë. Por njëkohësisht, frytet dhe rezultatet e kësaj partie, nuk kanë qenë njëkohësisht ato që priteshin. Që të arrihet kjo, nuk mjafton që kryetari të flasë anglisht më mirë se Rama. As të qeshë më shumë me ndërkombëtarët. Por më e rëndësishme është që, Basha dhe ekipi i ri drejtues të ndikojnë te ndërkombëtarët për kauzat që Basha i ka primare në aksionet e tij politike. Sepse ankesa ndaj ndërkombëtarëve, që ka bërë në disa raste, është më shumë shprehje e diletantizmit politik të PD-së, se sa vërtetë një ankesë. Kujt i ankohet Basha, ambasadorit të SHBA-së apo ambasadorit të BE-së që, sipas tij me demek, diplomatët mbështesin Ramën? Nëse e bënë këtë gjë, gabimi e deri faji, është i Bashës dhe vetëm i tij. Ai duhet të ndryshojë sjellje në raport me diplomatët, jo duke bërë viktimën, por duke komunikuar me ta për të pasqyruar realitetin shqiptar, që Basha mendon se ekziston.

 

  1. PESHORJA, BERISHA

Në përvjetorin e fundit të vrasjes së Azem Hajdarit, në një nga sallat e hotel “Plazza”, morën pjesë drejtuesit e lartë të kësaj partie, por edhe të shtetit. Ishte shumë interesante të shikoje reagimin e sallës në momentin kur futeshin drejtuesit dhe politikanët kryesorë të PD-së. Kur u fut i pari kryetari Basha, pati pak lëvizje në sallë; por ama, kur u fut Berisha, salla u elektrizua. Ovacionet ishin në qiell dhe të gjithë u ngritën në këmbë. Dëgjova zëra të tillë: “Ky po!” E pra, peshorja në PD, vazhdon të rëndojë shumë në anën e liderit historik të saj. Dhe gjasat janë që, kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Në këtë situatë, Basha duhet të rritet shumë politikisht. Jo për të zëvendësuar figurën e Berishës, por të rrisë profilin e tij politik. Ai as nuk duhet ta imitojë e as ta zëvendësojë atë; as ta largojë e as ta përjashtojë. Basha është “i dënuar” të drejtojë PD-në me Berishën aty pranë dhe ndonëse një mënyrë tejet e vështirë, ai duhet të gjejë mekanizma dhe forma që kjo të ketë dukje normale. Pas 5 vjet e gjysmë në drejtim, Basha nuk mund të ankohet se “nuk e lë Berisha” të bëjë atë që ai do të donte të bënte. Në fakt, nuk e ka thënë asnjëherë, por shumë e mendojnë se ai e mendon. Është një dënim për Bashën, që jo vetëm të jetë pasardhës i liderit historik, por të drejtojë PD-në me këtë lider që peshon aq shumë në PD dhe jo vetëm.

  1. MEDIA SI ALEAT

Janë jo të pakta rastet kur, kryetari Lulzim Basha ka akzuar median se nuk e ka me vete. Ka akuzuar gazetarë të veçantë, se janë të shitur dhe të blerë. Ka akuzuar mënyrën se si operon media dhe mënyrën se si ajo është e organizuar. Por Basha asnjëherë nuk e ka parë median si aleate të opozitës. Duhet thënë troç se, ai në mënyrë të përsëritur, ka të njëjtin stil se si Rama është sjellë me median. Nuk janë të pakta historitë që zoti Basha bënë selektime deri në prezencën e tij nëpër studio televizive. Bënë selektime deri në ata që përzgjedh, me të cilët do komunikojë. Bënë selektime duke ndarë në gazetarë që e mbështesin dhe në ata që nuk e mbështesin, që përkthehet në gazetarë të mirë dhe në gazetarë të këqij. Por opozitës nuk i duhen dhe mjaftojnë këto. Shpesh Basha deklaron se media, në shumë raste, i ka braktisur aktivitetet e PD-së. Mendojmë se ai kurrë nuk duhet të qahet kur kujtojmë opozitën e Berishës 1997, deri më 2005. Po i kujtojmë zotit Basha qëm edhe pse në atë situatë Berisha ishte i braktisuri i madh i medias, ai bëri një zgjidhje të mençur: Çdo të diel jepte në orën 10:00, konferencë për shtyp. Pra, kur qeveria e kishte pushim, opozita e kishte punë. Dhe e diela në fakt, asokohe quhej dita e opozitës, sepse lajmi i parë donin ose jo gazetarët, ishte ajo që thoshte Berisha në konferencë. Ndërkohë, aktualisht, mënyra e komunikimit të PD-së duhet të ketë një qasje tjetër. Ato deklaratat për shtyp që lexohen si koka lajmesh në podiumin e selisë blu, lënë shumë për të dëshiruar. Kryetarin Basha duhet ta informojë dikush se, në shumë raste, më shumë komentohet se çfarë ka veshur ajo që flet, se sa fjalët që nxjerrin nga goja. Facebooku është kaotik, duke u shndërruar në kakofoni; në emisionet politike në televizione, PD-ja dërgon të preferuarit që nuk janë më shumë se 3–4 deputetë. Për të mos lënë pa përmendur, sjelljen arrogante që tani në opozitë të njerëzve të medias në PD, për të cilët Basha duhet të jetë në dijeni. Pra, nëse PD-ja duhet të ketë aleatin e parë, ky duhet të jetë media dhe gazetarët, pavarësisht linjave editoriale që përfaqësojnë. Kjo arrihet me përulje, me bashkëpunim, dhe jo me arrogancë, me fodullëk prej njeriu në pushtet. Për të tillë kemi këtej nga PS-ja, sa të doni ju të PD-së. Ndryshojeni këtë situatë se, në radhë të parë, është në të mirën tuaj. Kjo situatë duhet të ndryshojë urgjentisht!

 

  1. LOKALET, PROVA E ZJARRIT

Nëse për një moment mendojmë që PD-ja humbet zgjedhjet lokale, morali jo vetëm në radhët e kësaj partie, por edhe në të gjithë popullin opozitar, do jetë i ulët. Por cilat janë pritshmëritë e këtij Kuvendi, kur zgjedhjet lokale më 2015 dhe zgjedhjet parlamentare më 2017, i humbi në mënyrë të turpshme? Prandaj, beteja më e rëndësishme e Partisë Demokratike, të ekipit të ri drejtues dhe të vetë kryetarit Lulzim Basha, do jetë beteja për zgjedhjet lokale të qershorit 2019. Është një betejë që do përcaktojë deri fatin politik të Lulzim Bashës, për drejtimin e kësaj partie. Prandaj, ajo nuk do jetë thjesht një betejë e radhës, por prova e zjarrit të Bashës si kryetar. Të presim.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: