ÇFARË MBETI PAS BETEJE?

ÇFARË MBETI PAS BETEJE?
Frrok Çupi

Beteja u zhvillua në oborrin e shtëpisë së shtetit tonë - e ashpër, hileqare, me kalin prej druri, me pazare “të jap një ministër - më jep një gjë tjetër”... Njësoj si në Trojë, lufta për të rrëmbyer gruan e bukur të Menelaut, Penelopën. Veçse gruaja e rrëmbyer në këtë rast në Tiranë, ishte jo Penelopa, por Republika. Kryetari i shtetit, president i Republikës, mbajti peng “gruan” e bukur, deri pardje në mbrëmje. Parmbrëmë, bëri atë që duhej të kishte bërë qysh në fillim, para njëzet e ca ditësh: Liroi ministrin e Brendshëm, duke u tërhequr nga skllavërimi i Republikës së bukur Penelopë. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u la i lirë të ushtrojë funksionet në favor të Republikës, duke i dhënë fund “krizës së Trojës”. Të gjithë i kishin drejtuar sytë nga ngjarja në kulm të shtetit.

Po çfarë mbeti në fushën e betejës?

Kryeministri i Republikës, bash në momentin kur Presidenti lëshoi penën mbi dekretin e firmosur, u nis për të hapur një ekspozitë pikturash në një qytet të Gjermanisë. Nga informatat brenda ekipit të artit të kryeministrit, duket se dy vepra - në skulpturë dhe njëra në pikturë - me pamjen e djallit dhe të dragoit, aludojnë për figurën e presidentit të Republikës, që sapo lëshoi përdhè zinxhirët e “gruas” së marrë peng. Por kjo pamje nuk mund të thuhet se është një nga ato trofetë që mbeti në fushën e betejës. Veprat artistike të kryeministrit, jo vetëm pse fluturuan drejt Gjermanisë, por mbi të gjitha nuk u krijuan gjatë “luftës”. Ato veçse dëshmojnë, sa pak heroike paska qenë beteja!

Në fushën e betejës kanë mbetur:

1.

Mendimi i vjetër se, mes domeneve të shtetit ndodhet “Roskoveci”. Jo qyteza e vogël në afërsi të Fierit, por “pazari i Roskovecit”, gjurmët e të cilit datojnë që nga periudha romake e Rrugës Egnatia. Mes presidentit dhe qeverisë, për publikun mbeti kësaj here, hija e rëndë e një pazari ku presidenti paska kërkuar një gjë të madhe, “nëse ti zoti kryeministër do që të ta firmos dekretin për ministrin”. Nuk dihet çfarë ka kërkuar presidenti, por sipas “legjendës” popullore, në fushën e pengut ndodhen disa plane për të arrestuar disa peshq të mëdhenj të korrupsionit, ndodhen disa sfera influencash të cilat kërkojnë, që partia e Presidentit të pranohet në qeveri, ndodhen edhe disa tenderë me përfitime të larta financiare. Cilën nga këto ka kërkuar Presidenti!? Askush nuk e di... Sado që “Republika” u lirua nga dhoma e errët e “robinave”, “gruaja e bukur” doli në publik si e përdhunuar. Republika nuk ka më atë shkëlqim që duhet të ketë.

2.

Mbeti kjo hije:

Në krye të shtetit mund të jesh jo vetëm një burrë shteti, por edhe një “fluturak”. Koha e “burrave të rëndë”, duket se ka mbaruar...

Pasi presidenti firmosi atë dekret që duhej të firmoste qysh në fillim, pa asnjë shkak më shumë, njerëzit pyetën se “çfarë ndodhi?” Asgjë nuk u kuptua; aktet kërcyen si pleshta.

Pjesa më e madhe e atyre që e njohin presidentin, veprën e tij e përshkruajnë si një akt presidencial përballë qeverisë se, “kështu më do qejfi...” Për këtë “shkak”, nuk e firmosi. Presidenti mban rreth vetes disa këshilltarë rrondokopë, që e gërryejnë në ato pika që e dinë se i ka qejf Presidenti: “Haj t’ia fusim Ramës!”... Këshilltarët rrondokopë i ndezin “fitilat” nën këmbë presidentit të Republikës, duke i thënë se, “ti je trim..., ti e bën”. Dhe presidenti e bëri. Në shtetin tonë, por edhe në Europë, tani mungojnë burrat e shtetit.

3.

Lajmin se presidenti nuk dekreton ministrin e zgjedhur nga kryeministri, u përhap nxitimthi në kancelaritë e Perëndimit. Të gjithë u mahnitën. Perëndimi vetë e ka ndërtuar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke formuluar një president pa pushtet. Republika parlamentare jona si edhe të tjerat në Perëndim, mbajnë vetëm tre pushtete: Legjislativ, Ekzekutiv, Drejtësi... Me rastin e dekretit të presidentit shqiptar për ministrin, u duk se presidenti kërkonte pushtetin e katërt, pushtet ekzekutiv. Presidenti - o do ta ndante qeverinë me qeverinë; o do ta merrte qeverinë për vete; o do të sundonte shumicën i pa votuar as nga shumica, as nga pakica; o do të ndërtonte një pushtet paralel... Të gjitha shijuan hidhësinë e pashoqe ndërkombëtare ndaj shqiptarëve. Ata që na kanë në majë të hundës, për shkak të historisë sonë të mirë dhe korrupsionit kriminal - ata u gëzuan dhe thanë se, “shqiptarët janë as republikanë as shtet-formues”... Ndërsa të tjerët, i kujtuan presidentit se kjo nuk ka ndodhur kurrë, as në historinë më të keqe të Shqipërisë...

Beteja la në fushë trofe të këqij...

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: