Ali Bega: Provincializmi është si ventuzë, të thith e të merr me vete

Ali Bega: Provincializmi është si ventuzë, të thith e të merr me vete
Flet aktori dhe pedagogu i njohur, Ali Bega: “Mendova shpesh se kisha bërë gabim që e kisha ëndërruar ashtu ardhjen e demokracisë, aq ideale, aq të pastër, aq të virgjër e të bukur. I thosha vetes se nuk duhet të harroja se nga erdhi, se kush ishin perkursorët që e ngatërruan situatën sepse ndryshe nuk bëhej. Kur bisedoja me shokët e mi u tregoja se dikur, në kohë të këqija, përpara viteve ’90, kisha një ëndërr, që do të vinte një orë e bukur për Shqipërinë. Por ëndrra m’u prish, demokracia erdhi e egër. Erdhi e tillë që njeriu pa vlerë u bë shumë-kushi, u bë Zot, njeriu pa vlerë në qytetari, në koncept, në dimension, u bë deputet e politikan”

***

Me aktorin dhe pedagogun e njohur Ali Bega, duke u nisur edhe nga fakti që në natyrë është një artist i rezervuar dhe janë të rralla herët kur është rrëfyer mbi jetën e tij, biseda ishte e gjatë, madje joshteruese, sepse janë të shumta detajet e jetës së një artisti, veçanërisht kur jeta e tij i përket më së shumti periudhës së diktaturës kur teatri dhe filmi lulëzonin në numër por shpirti ishte në kafaz. Biseduam në oborrin e Vilës Bega, në këtë vilë familjare buzë Adriatikut, në plazhin Iliria por biseda jonë u ndërpre disa herë nga tërmeti i asaj dite. Me dashuri dhe humor, Ali Bega qetësonte nipin e tij, që hera-herës i afrohej tryezës tonë sepse dëshironte aq shumë të dëgjonte historitë e njeriut të tij të dashur. Kjo është pjesa e dytë e rrëfimit ekskluziv për Albanian Free Press, në një përpjekje për të hyrë më thellë në botën e një prej aktorëve më specifikë të teatrit shqiptar, pavarësisht se rrethanat ja cunguan karrierën në film e në skenë.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ali Bega më rrëfeu aktivitetin e tij në teatër por ndërkohë, edhe pse me pak role, karriera e tij lidhi fijet edhe me televizionin dhe kinematografinë. E pyes se si ndeshi me këto dy realitete paralele të artit.

“Pavarësisht se kisha këto vështirësi të mëdha, isha nën këtë trysni të mëdha, pa të drejtë, unë përsëri vazhdoja punët dhe bashkëpunimet e mia, sigurisht me miqësitë e mia, me televizionin. Kujtoj periudhën kur drejtor ishte i ndjeri Marash Hajati kur unë çoja ndonjë skenar aty. Por bashkëpunimi më i ngushtë ishte me mikun tim Agron Çobani, e konsideroj djalë fisnik dhe i zgjuar, autoritar por brenda një norme shumë njerëzore. Ai nguli këmbë që unë të kaloja në televizion. Unë duke e ditur se në cilat peripeci do të kaloja unë dhe ai i thosha të më linte, mos më ngacmonte. Ai më thoshte hajde që hajde. Kalova aty për nja dy vite me filma me Vladimir Priftin, por përsëri i lutesha të më linte në atë botën time që kishte gjetur një qetësi relative. Nuk doja të rizgjoheshin kuriozitetet dhe agresiviteti i sigurimit apo strukturave që ishin vënë pak në gjumë. Ndihesha mirë në Durrës. Por ai këmbëngul dhe vjen në Durrës të takojë udhëheqjen. Njëri prej tyre që do e quaja një “gestapist” por një njeri i zgjuar i bën me dije që të hiqte dorë nga unë, të mos ngulmonte. “Mos na bëj të rikujtohemi që kemi lënë pa ndëshkuar deri në fund ata armiq të partisë e të popullit.”-i tha ai Agron Çobanit. E sigurisht që po të të thoshin atëherë togfjalëshin “armiq të partisë e të popullit”, nuk kishe rrugë tjetër, do të tërhiqeshe. Pas viteve ’90, Agroni më pyeti: “pash Zotin, çfarë keni pasur në biografi që më thanë këto fjalë për ty dhe familjen tënde?”. “O Agron, unë një ditë do të vdes por të lind përsëri, nuk e di se çfarë kemi pasur sepse nuk kemi pasur gjë.”-ju përgjigja. Është ajo shprehja ‘shpif shpif se diçka do të mbetet’. E vetmja gjë që kishim ishte se im atë ishte një qytetar i kompletuar e i shkolluar jashtë vendit, me 8-9 gjuhë të huaja e që bëri “gabimin” të mbante korrespondencë me kolegët e tij mjekë ose shtëpitë farmaceutike nëpër botë. Kujtoj edhe këtë, në një moment të caktuar, llaf pas llafi, përmes një punonjësi që punonte tek “Shtëpia e gjetheve”, morëm haberin se babai im duhet të ndërpriste urgjentisht korrespondencat që kishte me botën. Vetëm kjo e bëri babain tim të konsiderohej ‘agjent i mundshëm potencial’. Fjalë të mëdha. Mosni o të marrë....Kulmi i kulmeve. Kurrë në shtëpinë tonë nuk është bërë bisedë për politikën, flitej vetëm për bukuritë dhe shijen e jetës, është folur si bëhej likoja dhe reçeli, si qëndisen çentrot. Flitej se sa bukur u dukej të tjerëve shtëpia jonë që edhe pse me të njëjta mobilie si të tjerët, dukej e hijshme dhe e bukur. Ja për këto flitej në shtëpinë tonë mes njerëzish qytetarë që dashuronin paqen e të bukurën në çdo gjë.

Por interesante është që me gjithë këtë trysni që pak a shumë të gjithë artistët e jetonin, në teatër punohej shumë, kjo nuk mund të mohohet....

“Po, shumë dhe me shpirt. Më lindi me të vërtetë një marrëdhënie shumë solide me teatrin dhe aktorin. E të mendosh që nuk ishte një pasion që e doja, e kërkova, më pëlqente. Jo. Hyra në konkurrim për të filluar një shkollë që të më linte në qytet. Por ashtu pak nga pak u dashurova dhe ndërkohë zbulova edhe se kisha prirje e talent për këtë fushë të artit. Dhe jua them sinqerisht, është bërë punë e madhe në teatër në ato vite. Edhe pse kam ikur e jam rikthyer disa herë, pa dëshirën time.

Duke pasur parasysh jetën tuaj, besoj kishit shumë pritshmëri nga lëvizjet demokratike. U plotësuan ato?

Ishin minuta, orë, ditë ëndrrash. Kujtoj vitin 1990 dhe unë në atë kohë thuajse çdo ditë isha në Tiranë. Qe një rastësi fatale prej gjysmë ore që unë nuk munda të hyj në grevën e studentëve. Kujtoj takimin me Sali Berishën aty. Më pas unë kam qenë goxha i angazhuar me lëvizjen demokratike, edhe në kryesi të Partisë Demokratike në Durrës, edhe kryetar grupseksioni në Durrës dhe kam pasur rastin ta takoj edhe herë të tjera. Kam qenë i angazhuar sepse edhe përpara ’90 unë e prisja me padurim ndryshimin, e doja atë, e uroja atë. Të them të drejtën jo, pritshmëritë e mia nuk dolën siç i kisha. Më pas mendova shpesh se kisha bërë gabim që e kisha ëndërruar ashtu ardhjen e demokracisë, aq ideale, aq të pastër, aq të virgjër e të bukur. I thosha vetes se nuk duhet të harroja se nga erdhi, se kush ishin perkursorët që e ngatërruan situatën sepse ndryshe nuk bëhej. Kur bisedoja me shokët e mi u tregoja se dikur, në kohë të këqija, përpara viteve ’90, kisha një ëndërr, që do të vinte një orë e bukur për Shqipërinë. Kjo sepse prindërit tanë gjithmonë na thoshin se ata jo por ne po, ne do ta arrinim Shqipërinë vërtetë të lirë. Do vinte një orë ku të mos quhej krim dhe faj nëse thoje hapur se diçka nuk të pëlqente ashtu si ishte. Kur të jepje ide se si gjërat mund të ndryshonin për mirë, pa u ndëshkuar. Do vinte një orë kur unë të lëvizja i lirë nëpër botë, kur të komunikoja me njerëz, t’u thosha kush ishim ne e të mësoja kush ishin ata. Por ëndrra m’u prish, ajo erdhi e egër. Erdhi e tillë që njeriu pa vlerë u bë shumë-kushi, u bë Zot, njeriu pa vlerë në qytetari, në koncept, në dimension, u bë deputet e politikan. Jo, jo dhe jo!

Në fakt pse nuk u bëtë ju?

S’e kam ëndërruar këtë asnjëherë, kurrë, që t’i hyj karrierës politike. Mbështeta sa munda për mbarësi dhe mirësi. Ah, po, kam ndikuar shumë dhe kam ndikuar edhe deri në vendim që dikush të bëhej kryetar bashkie ose deputet, kjo për njerëz që unë i konsideroja të vlefshëm për vendin tim dhe për qytetin që më mirëpriti ndër vite. Mbaj mend kur u bë mbledhja në kryesinë e PD-së për të diskutuar kandidaturën për Kryetarin e partisë. Unë kandidova p.sh Ferdinand Xhaferrin, mbajta madje edhe një fjalim, fola për aq sa e njihja. Kujtoj debatet për kandidaturën e Xhevdet Ferrin si deputet. U thosha se nuk duhet të prisnin nga unë por nga të rinj të talentuar e luftarakë si ai, që kishin fuqinë të ndryshoni Shqipërinë. Ky ishte avantazhi i të rinjve mbi mua, ishte guximi, sepse unë, ah unë, unë isha “i rrahur që këlysh”. E njeriu “i rrahur që këlysh vetëm leh, nuk kafshon”. Ata ishin djem e vajza me koncepte të sakta e me guxim. Kujtoj edhe që më thanë se për kandidaturën e Xhevdet Ferrit, të cilën ai e kishte pranuar ashtu si edhe kryesia, ishte vetë Sali Berisha që u gëzua jashtë mase. Fatkeqësisht qëlloi ai vit i mbrapshtë 1996 e gjërat morën tatëpjetën. Pra kam ndikuar shumë që disa njerëz që vlerësoja të kishin vendin që meritonin. Por jo për vete. Nuk më mungonte asgjë por nuk desha. Më vonë shpesh më ndodhte të habitesha se si nuk “kujtoheshin” të më kontaktonin ose thjesht të më kërkonin një mendim. Madje unë kam qenë jashtë shtetit kur më thonë se ishte ngritur bashkim Kopliku e kishte ngulmuar që unë të isha pjesë e kryesisë. “A jeni në terezi, çfarë bëni kështu, po Ali Begën e harruat?”-u tha ai të tjerëve në mbledhje. Nguli këmbë ai përsëri që unë të isha pjesë e Këshillit Bashkiak.

Përse mendoni se ndodhte kështu?

Vijmë përsëri aty, tek kompleksi i tmerrshëm i provincializmit, i tarafit të vogël interesash meskine, të ndarë në grupe dhe në individë të caktuar, kompleks ky që është shumë i rrezikshëm, nga i cili, po hyre nuk del dot më. Unë jam shkëputur shumë herët mendërisht dhe shpirtërisht prej këtij kompleksi sepse ndryshe bëhesh pjesë e vemjes. Është si një ventuzë provincializmi, të thith, të merr me vete.

Por pse kaq pak filma në karrierën tuaj?

Është ndoshta natyra ime, prej natyre e kam të pamundur të kontaktoj miqtë e regjizorët e të kapja role. Tjetër pikë ishte dhe fakti se i druhesha gjithmonë faktit se për arsye biografie do të hasja pengesa të mëdha. Kam pasur role tangjente në film, karakteri por tangjente, me humor po u them se kam pasur disa role priftërinjsh e më kanë vrarë disa herë.

Besoj e ndiqni situatën me teatrin. Artistët edhe në këtë çështje janë të ndarë në mendime. Ju si e shikoni këtë temë?

Jam në kontakt të shpeshtë me miqtë e mi aktorë, kam komunikuar edhe me Robert Ndrenikën, më telefonon e i telefonoj. Të gjithë aktorët, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë investuar për teatrin. Më vjen në mëndje një fakt. Amerika është një komb relativisht i ri, i bërë nga të gjithë kombet e botës. më ka bërë përshtypje kur kam vizituar stacionin e dikurshëm ku emigrantët e parë anglezë, skocezë, irlandezë zbritën në New England në Boston. Aty, pas disa brezash, ky stacion, i ristrukturuar, ato varrezat e vjetra të emigrantëve, janë nga pikat më të vizitueshme. Ose godina e bashkisë, ajo e vjetra, është kthyer në muze, por është ruajtur, ai i riu është aty, gjigant. Pa histori nuk ka komb mirëpo historinë e bën arkiva. Arkiva e tetarit duhet të jetë aty, arkiva e teatrit është edhe ai guri, ai muri, ajo karrigia, ajo perdja skenike. Lëre aty ku është, ta kenë brezat, aty është historia. Kaq dua të them mbi temën e teatrit.

Po për cilësinë e pjesëve ose aktorëve keni një mendim?

Janë shumë faktorë që ndikojnë. Në shumë fusha të tjera ndryshimet politiko shoqërore lëvizën shumë gjëra. Ka flukse dhe reflekse vlerash. Ai që ishte dikur në fund, me një aktivitet...eh...aktivitet...u bë milioner. Një politikan diti si të penetrojë dhe quhet politikan me akademi pavarësisht se pret të marrë diplomën e së mesmes. Teatri ka një fat të madh, teatrin e ka lindur njeriu dhe ai do të vdesë me njeriun. Këto janë ulje e ngritje që për një moment të caktuar duhen pranuar në historinë e një shoqërie. Ne themi obobo çfarë po ndodh. Asgjë nuk po ndodh. Sepse në kaq shumë dekada mund të ketë një ulje por do të ketë më pas edhe një ngritje përsëri. Ka nevojë shpirti i njeriut, mendja e njeriut, ndërgjegjja e njeriu të shikojë vetveten. Paguan njeriu për t’u gënjyer, ndryshon sensi i vendit, kohës dhe hapësirës....Po, po, na para, ma thuaj edhe njëherë, çfarë po ndodh me mua...çfarë ka ndodhur dikur dhe ky është paralelizmi që unë bëj me veten kur marr një pjesë nga antikiteti...ka nevojë njeriu e nuk është me ligj shteti, nuk e vendos shpirtin politika. Ah, po, politika e ka neglizhuar teatrin deri në mospërfillje.

Po pse mendoni se ka ndodhur kjo?

Injoranca ka shumë pasoja dhe është shumë e frikshme. Por mbi këtë, dolën interesa të tjera në treg dhe teatri shkoi jashtë loje. Unë kam punuar dhe shumë vite në Akademinë e Arteve të Bukura. Më vinte keq, mendoja, ku do të shkojnë këta të rinj që dalin nga akademia, se kishte mes tyre edhe të talentuar. Madje shpesh kur më propozonte ndonjë mik për dikë, kur nuk ishte i talentuar, i thosha të mos e sillte sepse tregu është shumë i cunguar.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: