Agron Duka: "Pse ngjasojnë kaq shumë “Rama 2” me “Berisha 2”

Agron Duka: "Pse ngjasojnë kaq shumë “Rama 2” me “Berisha 2”
INTERVISTA/ Flet me gazetën e përditshme “Albanian Free Press”, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

***

Opozita qëndron larg Parlamentit që nga shtatori dhe fundi i vitit po vjen. Ky hap erdhi pas një miratimi unanim nga të gjitha partitë opozitar?

Përderisa ne jemi një grupim opozitar, kjo tregon se ne jemi në unison edhe pse kemi disa mendime që na ndajnë.

Kush është shkaku kryesor që ju po qëndroni jashtë Parlamentit?

Shkaku kryesor që ne jemi jashtë Parlamentit është se kemi të bëjmë me një mazhorancë që ka ardhur në pushtet me votat e vjedhura, apo më mirë të themi të blera me lekët e hashashit; me një mazhorancë që nuk i përmbahet kërkesës tonë për një veting në politikë dhe për frymën arrogante që tregon kjo mazhorancë në komisionet parlamentare. E thënë me një fjalë, ne denoncojmë qeverinë e lidhur me krimin pas skandalit të fundit që ngjau në Shijak. Pra, janë disa shkaqe që ne jemi larg Parlamentit dhe jemi munduar që të gjitha problematikat tona t’i bëjmë prezente në opinionin ndërkombëtar dhe atë të brendshëm, por siç duket, të gjitha kërkesat tona, mazhoranca as i merr në konsideratë. Sot situata politike është në ngërç, pasi mosfunksionimi real i parlamentit lë shumë gjëra pezull që nuk janë në interes të vendit dhe popullit tonë. E mira ishte të ishim në parlament, të çonim aty zërin e elektoratit tonë, të çonim problemet dhe shqetësimet e shqiptarëve, por në këto kushte kemi bërë një tërheqje që qeveria të reflektojë në kërkesat tona. Ne po bëjmë një strategji të re për të ardhmen. Ne këto ditë do të bëjmë një takim paralel me Parlamentin për të diskutuar për projektbuxhetin e ri. Ne për këtë projektbuxhet kemi rezervat tona ku ne si opozitë do bëjmë oponencë ndryshe jashtë parlamentit për mangësitë dhe për mos dakortësinë në shumë elementë. Jemi në një situata të vështirë në vend, që për mendimin tim mund të çojnë në zgjedhje të parakohshme ose në të njëjtën kohë në zgjedhje lokale dhe parlamentare. Dhe kjo është një nga kërkesat e reja që do të përcjellë opozita.

A ka mbështetje opozita nga ndërkombëtarët në këtë mënyrë të reaguari?

Ndërkombëtarët japin orientimet e tyre, japin udhëzimet, por nuk i njohin problemet e vendit tonë sa i njohim ne. Kemi mbështetje dhe pse reagimet janë nga më të ndryshmet. Në fund të fundit, jemi ne që vendosim se si duhet të veprojmë për të çuar më tej vizionin tonë të opozitës. Por nga ana tjetër, mund të themi se edhe vetë mazhoranca nuk ka ndonjë mbështetje të madhe ndërkombëtare. Problemet e shumta të qeverisjes kanë sjell pakënaqësi tek ndërkombëtarët si korrupsioni i madh, tenderët me PPP, lidhjet nepotike, administrata e politizuar. Pra, nuk është më ajo mbështetje e para dy vjetëve pra ndërkombëtarët prisnin më shumë nga kjo mazhorancë.

Po cilat janë sipas jush, problemet e qeverisjes “Rama 2”?

Janë të shumta. Janë shtuar taksat. Populli ka më pak të ardhura në familje. Ka probleme me rendin ku çdo ditë dalin banda të reja që sjellin shqetësime. Por edhe mënyra e qeverisjes është kritikuar nga shumë. Një qeverisje arrogantë ku shumica e ministrave kanë nga 8 vjet dhe janë velur nga pushteti. Nuk janë të interesuar për shtetin por për veten. Po ndodh i njëjti proces si me qeverisjen “Berisha 2”. Të njëjtit njerëz, të njëjtat fytyra që qeverisin të njëjtat probleme. Kështu nuk ecet para. KLSH po denoncon vjedhje pafund. Korrupsion në shumë novele. Ekonomia është perënduar në pak duar, monopolizuar. Vendi ynë por edhe PS dhe PD kanë shumë figura që mund të jenë në postet ministrore shumë më të aftë se ministrat aktualë apo se ministrat që ka pasur Berisha. Pra po drejtohet me klane dhe miqësira dhe jo me merita. Administratën e kanë uzurpuar njerëz të cilët kanë njohje të afërt me kryeministrin dhe janë bërë arrogant dhe prepotent në drejtim. Pra probleme ka shumë por dhe forca jonë e madhe nuk është e organizuar në maksimum.

Me këtë organizim mendon se opozita mund të shkojë e organizuar, kompaktësuar në zgjedhjet lokale? A mund të fitohen zgjedhjet lokale nga opozita?

Opozita po mundohet të gjejë rrugët e duhura për të shkuar në zgjedhjet lokale me sa më shumë bindje për fitore. Por ka shumë pengesa dhe pak mundësi të arrijë objektivat. Kjo për arsye se mazhoranca ka në dorë shtetin dhe bashkitë kryesore dhe ushtron forcën e saj për tu organizuar sa më mirë për të fituar. Duke patur pushtetin njerëzit gënjehen me vende pune, me ndihma të ndryshme. Jemi në një situatë ku na duhet shumë punë, ku na duhet shumë bashkëpunim me terrenin, me bazën, me popullin. Por unë kam rezervat e mia për fitoren kryesisht në Durrës. Së pari pa ndryshuar kodi zgjedhor ne e kemi të vështirë fitoren. Kjo është një ndër detyrat tona, të arrijmë të ndryshojmë kodin zgjedhor. Të bëhet elektronik, që të mos futet më dorë tek zgjedhjet, është kryesore ndryshimi kodit zgjedhor në këtë situatë të turbullt, pasi kemi eksperiencë nga zgjedhjet e kaluara ku u vodhën shumë vota.

Po Durrësin pas kaq akuzave që po i bëhen Dakos, a mund ta fitojë opozita?

E them me keqardhje por jo, nuk e fiton. PS ka struktura të mirëorganizuara në Durrës dhe ka investuar në shumë drejtime për mbështetësit e vet në këtë qytet. Kushdo që të vihet si kandidaturë nga opozita me situatën aktuale është shumë-shumë e vështirë ta fitojë Durrësin. Një fitore në Durrës do ishte një fitore më e madhe se sa të fitonte Tiranën. Ju i shikoni zhvillimet e fundit që po bëhen. Nëse nuk do jetë Dako PS me këtë mënyrë organizmi do vejë një tjetër figurë që do të fitojë..

Po të kandidoni ju, mund të fitoni?

E para, nuk kandidoj kurrë në Durrës dhe së dyti, edhe në rast zero kandidimi do jetë shumë e vështirë fitorja. PS po punon për Durrësin në mënyrë permanente.

Por ju thatë që opozita mendon dhe shikon mundësi për zgjedhje lokale dhe parlamentare së bashku. Ku e shikoni këtë mundësi?

Opozita mendon se me këtë mënyrë qeverisje është krijuar një kolaps qeveritar, një ngërç i madh institucional, pasi mungon Gjykata Kushtetuese, KQZ e çorientuar për kodin e ri zgjedhor, Bordi i Bankës së Shqipërisë problematike, zvarritja e procesit të Vettingut, etj... Pra ne kemi mendimin se vendi po kalon një krizë të madhe institucionale. Ka shumë institucione që nuk funksionojnë dhe mos harmonizimi i institucioneve sjell krizë që mund të çojë në zgjedhje të parakohshme.

Kryetari i opozitës Basha ditët e fundit është parë shumë aktivë në mbështetje të protestës së banorëve të Unazës së Re për mosprishjen e objekteve që ze plani për mbikalimin. Si do ta cilësoni këtë reagim të Bashës?

Reagimi në situata të tilla është një detyrë e opozitës kur sheh se me të vërtetë ka pakënaqësi ndaj një komuniteti, por duhet të them se Basha duhet të bëjë një opozitë më efektive, më aktive, të vazhdueshme dhe të pandërprerë. Problematika e qeverisjes lë shkak që të bëjmë opozitë shumë më “agresive” shumë më reaguese nga mazhoranca. Jemi në një situatë kur Basha duhet të jetë shumë më shumë aktiv në rolin e vet dhe të mos gjejë situata sporadike të nisur nga komuniteti, por tek keqqeverisja në shumë drejtime. Basha dhe ne duhet te jemi nxitës të protestave demokratike për problemet ekonomike ku komuniteti duhet të na mbështes dhe jo ne të mbështesim komunitetin. Partitë politike organizojnë komunitetin për të qarë hallet e tyre, i organizojnë ata dhe jo partitë të jenë shtojca të nismave të komunitetit. Kjo është ajo që ne duhet të zgjidhim mes nesh në opozitë. Problemet e keqqeverisjes autokratike na japin shanse për një opozitë të fortë që duhet të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: