Topi i Artë, Modriç preferon rivalin francez si fitues

Topi i Artë, Modriç preferon rivalin francez si fitues
Pas shpalljes si lojtari më i mirë në botë nga FIFA Luka Modric, beson se ylli i Atletico Madridit, Antoine Griezmann, është francezi i cili e meriton më së shumti ta fitojë Topin e Artë, më shumë se ylli i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe dhe shoku i skuadrës, Raphael Varane.

Griezmanni shijoi një sezon të mrekullueshëm vitin e kaluar, duke e fituar titullin e Evropa Ligës me Atletico Madridin. Pas këtij triumfi, ai arriti t’i shënojë katër gola në rrugëtimin e “Les Bleus” drejt triumfit në Rusi.

Për këtë arsye, Modric beson se Griezmanni është francezi me gjasat më të mëdha për ta fituar këtë çmim, edhe më shumë se Mbappe, i cili kishte qenë gjithashtu i rëndësishëm për Kombëtaren e Francës, si dhe i kishte shënuar 21 gola për PSG-në sezonin e kaluar.

“Do ta vendosja Antoine Griezmannin si favorit nga tre nga futbollistët francezë, për shkak të të gjitha gjërave që ai i arriti sezonin e kaluar. Mbappe? Ai është një talent i jashtëzakonshëm, ai ka potencial të mrekullueshëm për të ardhmen, por megjithatë, ai tashmë e ka dëshmuar veten që i përket nivelit më të lartë. Ai është me të vërtetë i veçantë”. ka thënë Modric për "France Football".

Gjithsesi kroati konsiderohet favoriti për ta fituar këtë çmim, i cili ndahet më 3 dhjetor nga "France Football", dhe ai pritet të bëhet lojtari i parë që "thyen"  dominimin e yjeve të Juventusit dhe Barcelonës, Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: