“TËRMET” ME VIDEO/ Ardi Veliu mohon të ketë shoqëruar Alizotin, prokuroria sekuestron pamjet në selinë e PD

“TËRMET” ME VIDEO/ Ardi Veliu mohon të ketë shoqëruar Alizotin, prokuroria sekuestron pamjet në selinë e PD
Çështja e perifrazuar nga Kryeministri Edi Rama si “Babale”, ka patur zhvillime të reja pas publikimit të një videoje të re nga deputeti Ervin Salianji në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Personazhi i akuzuar se i ka “vjedhur zërin” Agron Xhafajt, është shfaqur duke biseduar me një person që nuk identifikohet as me figurë dhe as me zë.

Fredi Alizoti ka treguar se është marrë me makinë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, për t’u çuar në godinën e Prokurorisë për Krime të Rënda për të dëshmuar versionin që i nevojitet qeverisë për të sfumuar skandalin.

Sipas dëshmisë së marrë nëpërmjet një tjetër video-përgjimi, Fredi Alizoti thotë se drejtori Veliu i ka thënë tekstualisht: Je me ne apo me ata?

Më pas, ai tregon se është takuar edhe me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë socialiste, Taulant Balla, i cili i ka ofruar kafe në një lokal pranë prokurorisë, ndërsa shoqërohej nga dy persona të tjerë.

Në video aludohet edhe për një pagesë prej 200 mijë eurosh për të dëshmuar atë që kërkojnë “njerëzit e qeverisë”.

Publikimi i videos ka shkaktuar reagimet e para.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka mohuar të ketë shoqëruar me makinë Fredi Alizotin.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ka qenë për asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe në asnjë cilësi shoqërues, kontaktues apo në çdo formë tjetër i shtetasit Alfred Alizoti. Atë që ky i fundit deklaron në një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë dhe e prezantuar publikisht nga deputeti Salianji, është fund e krye E PAVËRTETË. Për këdo të interesuar është lehtësisht i verifikueshëm fakti se Drejtori i Përgjithshëm në ditën që shtetasi Alizoti është shoqëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka qenë me angazhime të tjera”, thuhet në deklaratën e institucionit që drejton Veliu.

Në deklaratë konfirmohet se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në asnjë rast nuk është përfshirë në veprime procedurale në lidhje me hetimin e çështjes të ashtu-njohur publikisht si çështja “Babale”.

“Edhe nëse kjo mund të kishte ndodhur, ajo nuk do të përbënte asnjë shkelje ligjore për sa kohe do të ishte në zbatim të urdhërimeve të prokurorisë, ose gjykatës”, vijon deklarata.

Sipas Policisë së Shtetit, shoqërimi i Fredi Alizotit është bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, në zbatim të urdhrit të prokurorit të çështjes.

Po sot ka reaguar edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, që ka nisur hetimet dhe ka sekuestruar videon e bërë publike deputeti i PD-së, Ervin Salianji.

Dy oficerë të Policisë Gjyqësore janë paraqitur në selinë e Partisë Demokratike dhe kanë marrë materialin filmik ku shfaqet Fredi Alizoti.

Fredi Alizoti aktualisht është nën akuzë si i dyshuari që ka imituar Agron Xhafajn në bisedën e përgjuar me Albert Veliun, i njohur si “Babale”.

Në këtë bisedë, vëllai i ministrit të Brendshëm premton ndihmë për trafik kanabisi drejt Italisë.

Sipas mazhorancës, përgjimi është i manipuluar dhe zëri nuk është i Agron Xhafajt, por i Fredi Alizotit. /a.a/ Albanian Free Press Online/