Strategjia e Mehmet Shehut për aerodromet ushtarake: Armë e shpejtë e mbrojtjes territoriale

Strategjia e Mehmet Shehut për aerodromet ushtarake: Armë e shpejtë e mbrojtjes territoriale
INTERVISTA/ Flet specialisti i aviacionit, Aleksandër Cala: Ju tregoj për aerodromet ushtarake shqiptare të jugut në monizëm. Si stërviteshin aviatorët tanë. Cilët ishin avionët që përdoreshin dhe orientimet politike të asaj kohe rreth tyre...

 

Terreni fushor i krahinës së Myzeqesë është shumë i favorshëm për fluturimet ajrore. Këtu  ndikon dhe afërsia e disa aerodromeve të ndodhura pranë saj. Një shpjegim të tillë jep gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, specialisti i aviacionit, Aleksandër Cala, teksa flet pikërisht mbi aerodromet fushore që u ngritën në këtë zonë të rëndësishme të vendit, por edhe në jug në tërësi, gjatë sistemit të kaluar komunist. Teksa përmend edhe devizën e ish-kryeministrit të atëhershëm, Mehmet Shehu, se aviacioni duhej zhvilluar , pasi e konsideronte atë si një “armë të shpejtë të mbrojtjes territoriale”. Mes të tjerash, Cala hedh dritë edhe mbi të ashtuquajturat poligonet e qitjeve me aviacion dhe artileri, cilat kanë qenë ato konkretisht dhe si funksiononin. Për të listuar në fund të kësaj interviste edhe fatkeqësitë ajrore që kanë ndodhur gjatë atyre viteve në fushën e Myzeqesë...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Flitet shumë për ish-aerodromet ushtarake të Shqipërisë, por pak njihen në të vërtetë. Mund të na përcjellësh disa prej tyre? 

Së pari, do flas për aerodromin fushor të Pish Poros (Akërrnisë, Vlorë). Ishte koha kur Mehmet Shehu dha orientime për aviacionin, si “armë e shpejtë e mbrojtjes territoriale”. Aviacionit iu dha përparësi dhe fillimisht, duheshin parë aerodromet e vjetra. Ky aerodrom fushor është një nga aerodromet e parë dhe i veçantë në karakteristikat e tij. Ai i ka shërbyer Shkollës së Aviacionit në Vlorë që në çeljen e saj, në fillim të viteve ‘60-të. Në vitet e para, kushtet në këtë aerodrom ishin shumë të vështira; i gjithë personeli, pilotë, teknikë dhe ushtarë, flinin në çadra. Godina e ndërtuar për rojet e pyllit përdorej si kuzhinë dhe mensë për efektivin që hante me turne. Uji për të pirë vinte nga Vlora me autobote. Ndërsa skuadrilja reaktive MIG-15 e Shkollës së Aviacionit, e drejtuar nga piloti Tomorr Avdia, u vendos në këtë aerodrom në maj 1960. Aerodromi ndodhet shumë pranë autostradës Levan-Vlorë, në perëndim të daljes për në Novoselë,  me një sipërfaqe prej 343.200 m2, në lartësinë prej 1.4 metrash mbi nivelin e detit. Aty kanë operuar aeroplanët mësimorë JAK ose Tip-61, si edhe  aeroplanët reaktivë MIG e UTIMIG-15. Fusha ka qenë e pashtruar me beton apo shtresa të tjera, por me bar, e niveluar dhe përdorej vetëm për sezonin veror. Në vitin 1997, ky aerodrom doli jashtë funksionimit nga dëmtimet e shumta, që u bënë në infrastrukturën e tij. Me dëmtimin plotësisht të aeroportit të qytetit të Vlorës, si dhe për të realizuar vijimësinë e fluturimeve të Shkollës së Aviacionit, nga ana e Misionit Ushtarak Italian në Shqipëri, në bashkëpunim me FUA,  u krye studimi dhe rikonstruksioni i aeroportit. Studimi është kryer për shërbime ushtarake, për Shkollën e Aviacionit të Vlorës, por edhe për shërbime civile. U realizua nivelimi dhe ngjeshja e pistës së fluturimit me një gjatësi prej 2700 metra dhe gjerësi 60 metra dhe me brez sigurimi 500 metra në jug dhe në veri. Me mbylljen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë, në vitet e fundit ky aerodrom është lënë jashtë kujdesit të Forcës Ajrore, e cila kishte detyrë ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tij. Ky aerodrom mund të përdoret për fluturime të brendshme dhe ato sportive.

Kujtojmë se në rrethin e Lushnjës, si një rreth me peshë shumë të madhe në prodhimet bujqësore në shkallë vendi, kanë funksionuar në periudha të ndryshme fusha për ulje- ngritjen e aeroplanëve AN-2, të cilët kryenin spërkatje nga ajri të kulturave bujqësore. Nga viti 1965, deri në vitin 1971, fusha për kryerjen e fluturimeve për këta avionë ka qenë pranë rrugës automobilistike Rrogozhinë-Lushnjë, në afërsi të fshatit Dushk. Nga kjo fushë, u ngrit aeroplani AN-2, i cili pësoi katastrofë ajrore në shtator të vitit 1970, ku humbën jetën pilotët Refit Jazo dhe Muharrem Hida. Pas vitit 1971, deri në vitin 1974, fusha e uljes për aeroplanët AN-2 ka funksionuar pranë sektorit Savër, në jug të qytetit të Lushnjës, për t`u vendosur përfundimisht, pas vitit 1975 në sektorin e Plugut.

Së dyti, do të përmend aerodromin Fusha e Plugut-Lushnjë. Kjo fushë ndodhet në veri-perëndim të qytetit të këtij qyteti, rreth 8 kilometra nga qendra e tij, në veri të fshatit Plug. Fusha ka përmasat 800 X 80 metra, me kurs ulje ngritje 330 gradë e 150 minuta. Në këtë fushë operonin aeroplanët AN-2, të cilët kryenin fluturime në ndihmë të bujqësisë. Së treti, edhe Fusha e Fierit. Kjo fushë ka filluar të funksionojë mbas vitit 1975 për një periudhë gati 10-vjeçare dhe ndodhet në jug-perëndim të qytetit,  rreth 3 kilometra nga qendra e tij, 200 metra në të majtë të rrugës Fier-Seman. Fusha ka përmasat 800 X 80 metra. Në këtë fushë operonin aeroplanët AN-2, të cilët kryenin fluturime në ndihmë të bujqësisë. Fluturimet kryheshin kryesisht në stinën e pranverës dhe verës, herët në mëngjes dhe personeli kryente gjatë kësaj periudhe një volum shumë të madh pune.

 

Po për poligonet e qitjeve me aviacion dhe artileri, ç’mund t’i tregoni lexuesit tonë?

Në territorin e Myzeqesë kanë funksionuar disa nga poligonet më të rëndësishme të ushtrisë shqiptare me emërtimin “Poligone Kombëtare”. Një prej tyre ka qenë Poligoni Kombëtar i qitjeve në Divjakë.  Ky poligon-qitje zinte një sipërfaqe të madhe në bregdetin e krahinës sonë dhe shtrihej nga ana jugore e kënetës së Kularit në pishat e Divjakës, deri tek plazhi ku ndodhej Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve. Komanda e aviacionit krijoi në muajin shkurt të vitit 1958 pranë këtij poligoni, një nënrepart me efektiv të përgatitur enkas për sigurimin e qitjeve dhe bombardimeve me aviacion prej 18 ushtarësh e nën-oficerësh. Si shesh i qitjeve kundër objektivave tokësor në fushë, nga aviacioni, u përdor sheshi në veri të kënetës së Kularit. Në këtë rajon, si shenjë tokësore për qitjet u përdor konturi i aeroplanit bombardues amerikan B-52, i shënuar me gëlqere, gjatësia e trupit 29.74 metra dhe sipërfaqja e krahëve 42.14 metra.

Ky poligon erdhi duke u plotësuar me elementët më të domosdoshëm dhe në vitin 1960, poligoni shtetëror i qitjeve në Divjakë shërbente për qitjet e AKA me mjete radioaktive dhe për qitje-bombardimet e aviacionit dhe plotësonte kushte të mira për parrezikshmërinë dhe sigurinë e tyre. Poligoni i qitjeve në Divjakë, me efektivin organik dhe mjetet e nevojshme, si aparaturat e kontrollit të qitjeve, avion-shenjat për stërvitje dhe qitje, pati ndikim pozitiv për kontrollin e qitjeve dhe zhvillimin e tyre pa ngjarje të jashtëzakonshme e të padëshiruara. Qitjet zhvilloheshin kundër shenjës ajrore e cila në shumicën e rasteve ishin konus të tërhequr me kavo nga aeroplani i vetëm bombardues që kishte aviacioni luftarak shqiptar, aeroplani Ill-28. Në rastet kur zhvillonin qitje, bateritë kundërajrore të kalibrave 57m/m, 85m/m dhe 100m/m të pajisura me mjete radioteknike, qitja zhvillohej kundër aeroplanëve MIG-15, 17 dhe 19, në regjimin e punës me “kthim  pasqyror”.

Gjatë zhvillimit të bombardimeve, ai realizohej brenda rrethit të bombardimit i cili ishte një rreth me një flamur të kuq në qendër dhe me rreze 50 metra. Ky rreth shënohej duke hapur një kanal rrethor me thellësi dhe gjerësi prej 0.5 metra. Në kushtet kur vendi ynë ka një vijë bregdetare prej 450 kilometrash, lindi nevoja për të realizuar qitje-bombardimet dhe në det. Për kryerjen e bombardimeve me aeroplan, në largësi nga bregu i detit, me ndihmën e një motolundër krijohej një rreth me fuçi karburanti bosh dhe në qendër të tij, mbështetur mbi një platformë të vogël ngrihej flamuri i kuq. Për qitjet kundër objekteve detare aplikohej një platformë me dimensione 10x10 metra, e vendosur mbi polisterol, për të mos u fundosur dhe e lidhur me spirancë, për të mos ndryshuar koordinatat gjatë zhvillimit të qitjeve. Nga stërvitjet natën, në poligonin e Divjakës, ndërmjet ushtrimeve të tjera, janë zhvilluar dhe bombardime mbi rrethin e zjarrit, ku kanë marrë pjesë të gjithë efektivat e regjimenteve të Aviacionit Luftarak Shqiptar.

Poligoni i Divjakës për vite me radhë u shërbeu reparteve të aviacionit dhe artilerisë deri në vitin 1987, kur me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, masivi pyjor i Divjakës u shpall “Park Kombëtar Pyjor” dhe në zbatim të atij vendimi, Poligoni i qitjeve kundërajrore, u zhvendos më në veri, në rajonin e Rreth-Grethit në Kavajë.

 

Po për të ashtuquajturat “Poligone reparti”, çfarë mund të na thoni?

Krahas këtij poligoni kombëtar, në krahinën e Myzeqesë kanë funksionuar dhe disa poligone të tjerë që në emërtimin ushtarak quheshin “Poligone reparti”. Poligone të tillë ka pasur disa.

  1. Poligoni në Grykëderdhjen e lumit Vjosë (në zonën e Fierit).

Ky poligon ishte miratuar si poligon për realizimin e qitjeve dhe bombardimeve me aeroplan e në të realizoheshin kryesisht hedhja e bombave të aviacionit. Këtu është realizuar dhe eksperimentimi i hedhjes së bombave 250 kg të aviacionit të prodhuara në vend, në uzinën e armatimit në Poliçan. Përveç përdorimit nga aeroplanët, këtë poligon e kanë përdorur për realizimin e qitjeve dhe repartet e tankeve dhe të artilerisë tokësore dhe bregdetare të vendosura në rajonin e Myzeqesë dhe më gjerë.

  1. Poligoni i qitjeve në Akërrni.

Ky poligon shërbente për kryerjen e qitjeve nga efektivi i Shkollës së Aviacionit Vlorë dhe ndodhej në hapësirën pranë detit që njihet si laguna e “Kallëngës”, me kurs pune jug-veri.

  1. Poligoni i Kosovës (Lushnjë).

Ky poligon përdorej për realizimin e qitjeve me armët e aeroplanëve(mitraloz dhe topa) nga Regjimenti i Kuçovës dhe është përdorur për një kohë të kufizuar.

  1. Poligoni në Grykëderdhjen e lumit Seman.

Në bregdetin e Semanit ka funksionuar një poligon i madh për qitjet me artileri tokësore dhe bregdetare. Në këtë poligon janë realizuar pas viteve ‘2000 dhe demontimet e shumë municioneve dhe shtimjeve të kalibrit të madh duke kryer në disa raste dhe shpërthime të fuqishme e me pasoja për shtëpitë e banorëve të zonës.

  1. Poligoni i Hoxharës.

Me kalimin e ushtrisë në strukturën e divizioneve, në vitin 1983, rrjeti i poligoneve për qitjet kundërajrore u shtri në të gjithë vijën bregdetare dhe jo vetëm aty. Një poligon i ri u hap në jug të hidrovorit tëHoxharës. Në këtë poligon realizonin qitjet repartet e mbrojtjes kundërajrore në vartësi të Korpusit të Fierit, si dhe togat e mbrojtjes kundërajrore, të cilat ishin të ngritura mbi bazë fshati.

Poligonet e qitjeve kundërajrore të përdorura nga ushtria jonë në vijën bregdetare kanë funksionuar deri në vitin 1993, përjashtuar Poligonin e qitjeve në Rreth-Greth të Kavajës,që e mbylli aktivitetin në vitin 2009, vit kur edhe qitjet me AKA u ndërprenë përfundimisht.

 

INCIDENTET

Katastrofat dhe aksidentet ajrore të ndodhura në hapësirën mbi Myzeqe

“Hapësira ajrore mbi Myzeqe, është një rajon shumë i përshtatshëm për fluturimet, prandaj pothuajse çdo ditë kishte fluturime intensive. Në periudhën gati 50-vjeçare (1955-2005), aeroplanë nga të gjitha tipat që ka pasur në përdorim Aviacioni shqiptar, që nga ata mësimorë të tipit JAK, UTIMIG-15, MIG-15BIS, MIG–17, MIG-19S dhe MIG-21, ata të transportit AN-2 e Il-14, apo helikopterët MI-4, i shikoje gati në çdo orë të ditës mbi fushën e Myzeqesë. Ky intensitet i lartë fluturimesh, nuk kaloi pa lënë pasoja dhe pa ngjarje e katastrofa ajrore në këtë rajon. Ja disa nga më të rëndat prej tyre ku kanë humbur jetën dhe pilotët që i drejtonin këta avionë:

  1. Katastrofa ajrore e ndodhur më 23 mars 1958, në rajonin e Fier-Sheganit në rrethin e Lushnjës, ku humbi jetën piloti korçar Vasil Nikolla Trasha, i cili pilotonte aeroplanin MIG-15 dhe po fluturonte në kushte të vështira meteorologjike natën. Kjo është katastrofa e parë ajrore, që i ndodhte Aviacionit Luftarak Shqiptar, ku humbi jetën edhe piloti Vasili, i cili është dhe  dëshmori i parë rënë në krye të detyrës nga radhët e pilotëve shqiptar.
  2. Katastrofa ajrore e ndodhur në 27 qershor 1960,në fshatin Qenas, (Fier), afërsisht ku sot është stacioni i trenit. Në këtë katastrofë ajrore u shkatërrua plotësisht aeroplani MIG-15 me Nr.323 dhe humbi jetën piloti i ri korçar, Jovan Llazar Kaçorri.
  3. Katastrofa ajrore e ndodhur në 05 shtator 1970.Ndërsa ktheheshin në Skuadriljen e Tiranës, pasi kishin përfunduar me sukses të plotë spërkatjen me herbicide të kulturave bujqësore në rrethin e Lushnjës me aeroplanin AN-2, humbin jetën në një katastrofë ajrore, që ndodhi vetëm pak çaste pasi aeroplani ishte shkëputur nga toka, të dy pilotët: Refit Jazo nga fshati Dukat i Vlorës dhe Muharrem Hida nga fshati Tapizë e Tiranës.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: