Skënder Gega, “ilaçi i munguar” i Partizanit

Skënder Gega, “ilaçi i munguar” i Partizanit
Tifozët besojnë se me këtë trajner ata janë favoritë për trofeun e munguar prej 25 vitesh

Kukësit dhe Partizanit u mjaftuan fitoret minimale, 1-0, përkatësisht ndaj Luftëtarit dhe ndaj Tiranës, që dy ekipet pretendente për titull këtë sezon t’i marrin kreun Skënderbeut. Pas javës së gjashtë, Kategoria Superiore njeh dy ekipe të tjera në krye të klasifikimit, që e ndajnë atë me pikë të barabarta, nga 13 secila. Skënderbeu me humbjen 2-0 në Durrës zbret në vend të tretë, dy pikë pas tyre. Një meritë në ecurinë e fundit të dy ekipeve kryesuese kanë trajnerët, Armando Cungu i Kukësit dhe Skënder Gega i Partizanit. Më tepër se atmosfera në kampin verilindor, që ka fituar titullin kampion dy sezone më parë dhe ka mbajtur shpesh vendin e dytë në 4-5 edicionet e fundit, atmosfera më e zjarrtë duket se po mbizotëron në kampin e kuq. Tek Partizani, nën drejtimin e Skënder Gegës, ish-lojtar i këtij ekipi dhe ish-trajner i Kombëtares U-21, tifozët besojnë se kanë gjetur “ilaçin e duhur” për të shpresuar deri në fund tek titulli kampion i munguar prej 25 vitesh.

I pyetur për shanset që ka Partizani të ngrejë trofeun e munguar, trajneri Skënder Gega u shpreh me diplomaci: “Titulli? Është herët të mendojmë për fundin e sezonit. Mirë të fokusohemi e të fitojmë ndeshjet e radhës.” Gega ishte i pranishëm në Durrës ku ndoqi kundërshtarin e radhës, në fitoren ndaj Skënderbeut dhe ka nisur përgatitjet që dje për javën e shtatë të Superiores.

Partizani i këtij edicioni rezulton një skuadër e vështirë për t’u mundur. Disiplina në skuadër, ku askush nuk replikon me trajnerin apo me shokët si dhe kundërshtarin në fushë, dhe as me gjyqtarin, kanë qenë faktorë dallues të Partizanit të këtij sezoni. Partizani, 15 herë kampion i vendit rezulton deri tani ekipi me mbrojtjen më të fortë, me vetëm një gol të pësuar, ose goli me penallti ndaj Skënderbeut në ndeshjen e parë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: