Sinqeriteti i Vrionit: Nuk më ftoi Italia, zgjodha Shqipërinë

Sinqeriteti i Vrionit: Nuk më ftoi Italia, zgjodha Shqipërinë
Risia e Panucci-t për dy ndeshjet e radhës së Kombëtares, Giacomo Vrioni, ndryshe nga lojtarë të tjerë që kanë pasur mundësi për të luajtur me përfaqësues e të tjera, nuk i jep nota patriotike zgjedhjes për të veshur përfundimisht fanellën e Kombëtares së Shqipërisë 

Aranit Muraçi

Ndonjëherë sinqeriteti duhet vlerësuar. Ka pasur dhe ka futbollistë në Kombëtaren A të Shqipërisë, të cilët e kanë bërë këtë zgjedhje, por pasi kanë qenë më herët pjesë e përfaqësuesve të tjera, sidomos për moshat U-17, U-19 dhe U-21. Në fakt dy raste të vëllezërve Xhaka dhe Ajeti, e provojnë më së miri se fenomeni nuk ka lidhje shumë me patriotizmin. Graniti zgjodhi Zvicrën dhe Taulanti pasi mbeti jashtë ekipit të parë helvet u bë pjesë e Shqipërisë. Pati edhe një zhurmë mediatike mbi zgjedhjen e Granitit, por që nuk u provua përveç deklaratave nëse ai pati ndonjë ftesë të sinqertë nga Shqipërisë në atë kohë.

Rasti i vëllezërve Ajeti provoi në fakt se karriera vlen më tepër. Arlindi u bë pjesë e kuqezinjve dhe vëllai i tij, Albioni, zgjodhi para finaleve të Kupës së Botës ekipin e Zvicrës për të pasur mundësi që në karrierë të ketë më tepër shanse të luajë në këtë event. Futbollistë të tjerë si Mavraj (Gjermani), Basha (Zvicër), apo së fundmi Balliu (Spanjë), Prenga (Kroaci) etj. Ka pasur deklarata bombastike të disa lojtarëve e gjithashtu të reklamuara nga mediat se zgjedhja është bërë për shkaqe patriotike,

Sulmuesi i Venezias i cili është në pronësi të Sampdorias, Giacomo Vrioni, 21-vjeç, ishte surpriza e listës “Panucci” për dy ndeshjet e radhës së kombëtares, në atë miqësore  ndaj Jordanisë më 10 tetor dhe për ndeshjen zyrtare kundër Izraelit më 14 tetor.

Vrioni ka luajtur më herët me ekipet përfaqësuese të Italisë. Ai debutoi në një miqësore të U-21 të Shqipërisë kundër Italisë pak kohë më parë, duke shënuar edhe një gol dhe pranoi se me nuk e priste ftesën. Ai gjithashtu tha se Italia nuk e ftoi as në U-21, çka me këshillën e prindërve zgjodhi të luajë për Shqipërinë.

“Ftesa më erdhi papritur, pasi kam zhvilluar vetëm një ndeshje me U-21. Nuk e besoja, por jam i lumtur. Kam luajtur me grup-moshat e Italisë më parë, por nuk më thirrën më. Më pas fola me prindërit dhe zgjodha fanellën kuqezi”, - theksoi Vrioni.

Ai u bë dje pjesë e grumbullimit të parë me kuqezinjtë. Sfidë e radhës për të është aktivizimi dhe debutimi me Shqipërinë.

“A do të luajë? Zgjedhjet i takojnë trajnerit. Do të mundohem të jap më të mirën në fushë, nëse më jepet mundësia. Qëllimi im është të luaj sa më shumë dhe të shënoj. Objektivi kërkon që të jemi të gjithë bashkë, për të arritur sërish në finalet e Kampionatit Europian”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: