Si u zvarrit ndërtimi i muzeut për Hysni Kapon në Vlorë

Si u zvarrit ndërtimi i muzeut për Hysni Kapon në Vlorë
HISTORI/ Vijon rrëfimi i Remzi Gjikës, ish-drejtor i Arsimit në Vlorë: “Ndërtimi atij muzeu u harrua me qëllim, nga një bajraktar-drejtues, i cili s’kishte dëshirë për atë vlerësim që i bëhej asaj figure të madhe të Labërisë

Ndërtimi i një muzeu për Hysni Kapos në Tërbaç të Vlorës u shoqërua me mjaft peripeci në vitet e komunizmit. Rreth tyre hedh dritë sot, në këtë rrëfim të ri për “Albanian Free Press”, Remzi Gjika, ish-drejtor i Arsimit në rrethin juglindor. Por sipas tij, gjërat u vunë para për t’u zgjidhur nga Manush Myftiu, i cili udhëtoi drejt Vlorës enkas për këtë punë, duke lënë edhe porositë përkatëse. Sikundër, hedh dritë edhe mbi mënyrën sesi funksiononin gjërat në sistemin e kaluar, kur shumë kuadro dhe intelektualë bëheshin pre e letrave anonimeve dhe sulmeve nën pretekstin e “luftës së klasave”. Madje, u hapeshin edhe dosje nga ana e Sigurimit të Shtetit, siç u bë edhe në rastin e tij...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

A mbani mend të tjera episode gadishmërie luftarake prej nëndetëseve, në situata të ndera?

Po. Një tjetër episod, akoma më mbresëlënës, ishte një lundrim i gjatë i planifikuar, ku prapë fati i ra nëndetëses sonë nr.2, e cila kishte një efektiv shumë të përgatitur, me komandant detarin e zot, të paharruarin Besnik Rezvani.

Stafi komandues në disa poste ishte i dubluar, kështu që lundrimi megjithëse i gjatë, ishte më i lehtë. Kalimi në ujërat territoriale, lundrimi mbi ujë me flamurin tonë luftarak, krijoi alarm të madh te forcat e NATO-s që ishin shumë afër në Brindizit. Sinjale shumë të fuqishëm në aparatin e akustikës dhe atë marrës r/lokativ buçisnin në kufjet tona. Kuptohet, ata na kishin interceptuar dhe kjo na interesonte, mbasi pas pak, avionë të huaj luftarakë fluturonin mbi kokat tona, për të bërë identifikimin e anijes sipas flamurit luftarak. Lundrimi u quajt i suksesshëm, sipas detyrës që kishte marrë. Nga komanda e flotës na përgëzuan në emër të ministrisë  së Mbrojtjes dhe “na uruan suksese  edhe në të ardhmen në kryerjen e detyrave në mbrojtje të atdheut”. Atë ditë që zbritëm në tokë, na dukej vetja si triumfatorë, sepse ky konsiderohej si lundrimi më i gjatë, sipas specifikës së detyrës që kishte. Për mua, ato mbetën vite të bukura të rinisë dhe të jetës, që ndikuan shumë në karakterin tim.

 

Shërbim ushtarak 4-vjeçar, diçka e pazakontë dhe e lodhshme?

Për fat të mirë, në vitin 1969, shërbimi në marinë u bë tre vjet dhe ne e patëm fatin të ishim të parët që përfituam nga ky urdhër dhe u liruam në atë vit. Kështu u mbyll dhe kjo periudhë e bukur e jetës, nga e cila ruaj kujtimet më të mira, që kam kënaqësinë sa herë i freskoj me shokë e miq, të cilët kanë shërbyer në marinën luftarake. Tani mbas 40 vjetësh, kur i sheh ato nëndetëse  të mbuluara nga ndryshku të lidhura pas bankinës si fajtore e mëkatare të braktisura, ndoshta duken qesharake e anakronike idealizmat dhe patriotizmi im, ashtu si na duken tani edhe kështjellat  qindravjeçare, dëshmi e kohëve të vështira e të shkuara. Çdo gjë shihet në kuadrin e kohës, ndryshe bëhesh naiv, kur arsyeton që ç’na u desh ajo apo kjo, si është bërë modë të thuhet në këto  vitet e fundit.

 

Si flitej për armatimin tonë në atë kohë. Po për qendrat e zjarrit, a keni pasur ndonjë bisedë me të huaj për to?

Nga vitet ‘70, Thanasi ishte për specializim në Francë dhe u njoh me mjekë franceze, të cilët interesoheshin e pyesnin për Shqipërinë. Ata kishin lexuar në një gazetë të vendit të tyre një shkrim ku flitej se Shqipëria ishte vendi i bunkerëve dhe pyesin: “Në një shkrim, thuhet që keni ndërtuar mijëra bunkerë, përse  ju duhen?”. Thanasi ua ktheu aty për aty:

“Edhe unë kam parë në televizionin tuaj të  flitet për disa avionë të rinj ushtarakë të shtrenjtë, me të cilët është pajisur ushtria juaj, përse  i doni kaq shumë?”, e pyeti me takt mikun.

Mjeku, i cili pyeti pa ndonjë qëllim të keq e kuptoi domethënien dhe ndërroi temë, pa e zgjatur. Lufta e ftohtë midis dy blloqeve, nxiti garën e ethshme të armatimeve deri në ekstreme të paimagjinueshme dhe çdo vend merrte masat e tij. Dikush derdhte çelik e hekur, ne derdhnim beton e tunele përzierë me djersën e popullit, sepse ato kishim mundësi për t’u mbrojtur. Në shekuj, njerëzimi ka harxhuar shumë energji, mund, sakrifica dhe gjak për t’u mbrojtur, sepse egërsia është më e madhe të njeriu, sesa të vetë kafshët e egra brenda llojit.

 

Si vazhdoi më pas shkollimi juaj?

Vitet 1973- 75, ishin shumë intensive për shkollimin tim, unë i kisha venë detyre vetës të merrja dy diploma dhe ia arrita. Megjithëse ndjekja e leksioneve në UT bëhej në mënyrë  ilegale, Fiqiret Shehu, drejtoresha e shkollës e kishte marrë vesh dhe kur më dorëzoi diplomën, në mënyrë  ceremoniale, me simpati për atë përpjekje, më uroi për të dyja diplomat. Harku i atyre dy vjetëve, në shkollën e lartë, ishte i ngarkuar me shumë ngjarje të papritura politike kombëtare, që kanë të bëjnë me zbulimin “grupe armiqësore” në  fushë n e ekonomisë, mbrojtjes, si dhe në kulturë e art. Shkolla e Partisë ishte laboratori ku provoheshin vaksinat e kohës, duke predispozuar që aty bëhej freskimi i gjithë organeve të partisë, të shtetit dhe ekonomisë. Orientimi i prerë i kohës, ishte për të mbajtur të pastër atë shtresë kuadrosh të reja nga çdo “infeksion”. Kuadro kryesore nga Komiteti Qendror i Partisë vinin dhe bënin zbërthime të vendimeve të Pleniumeve të  KQ-së dhe informonin me detaje për të gjitha ngjarjet, të cilat bëheshin objekt i leksioneve speciale. Të gjithëve na përshkonte një çudi e heshtur, për njëkohësinë e gjithë atyre ngjarjeve si dhe për masat shumë drastike për drejtues kryesorë, ministra e kuadro të tjerë të rangjeve të larta, bashkëpunëtorë të afërt të Enverit për rreth 40 vjet. Me ato ngjarje nuk bëhej shaka dhe gjërat haheshin ashtu si gatuheshin nga lart. Secili ndjente një shije të hidhur, në heshtje bënim bilancin: çfarë ishim ne, para gjithë atyre burrave që kishin dhënë prova besnikërie në mes të  plumbave?! Kalvari i grupeve armiqësore vijoi dhe shumë vite, duke krijuar një makth, si t’i kishe armiqtë në shtratin tënd. Hapja e ndonjë diskutimi të rastit në shtëpi mbyllej me “shëët!”. Ajo ishte bërë mënyrë jetese dhe ne ndiheshim të imunizuar brenda mureve.

 

E veçanta e kohës?

Mbas vitit 1969, në Peshkëpi ishte bërë elektrifikimi dhe ajo shënon një kthese në jetën tonë. Shumë shtëpi kishin blerë radio dhe më vonë u fut edhe televizori. Zgjerimi i informacionit e bëri jetën më të hapur dhe ndikoi në kulturën dhe cilësinë e jetës. Atë e shikonim dhe në nivelin e nxënësve, të cilët ndiqnin emisione të ndryshme, merrnin informacion më të gjerë dhe rritnin horizontin për probleme të jetës.

 

Kur u emërove kryetar i arsimit të rrethit të Vlorës?

Pas një përvoje 12-13 vjeçare, në arsim, kisha mësuar jo pak. Aktivizimi në jetën politiko-shoqërore të kohës, kualifikimet pasuniversitare më kishin rritur horizontin, për problemet e drejtimit e menazhimit, kryesisht në fushën e arsimit. Kjo qe arsyeja për përzgjedhjen dhe vendosjen time në krye të arsimit të rrethit të Vlorës, në vitin 1975.

 

Atëherë flitej shumë për luftën e klasave, zbutjen apo ashpërsimin, madje kishte edhe letra anonime deri tek Enver Hoxha për këtë problem. Ju ka ndodhur diçka e tillë që ju kanë luftuar?

Nuk ia vlen të merresh me ata miq, që me ndërrimin e sistemit u fshehën nëpër skuta për të mbuluar zullumet e tyre si “luftëtar pararojë” në frontin e luftës së  klasave. Ky ishte një parim themelor i shoqërisë dhe nuk mund t’i shmangeshe, por jo të bëheshe me fanatik se Papa. Punën time e mat tani me qëndrimet e qindra qytetareve, të cilët më  falënderojnë për objektivitetin dhe tolerancën pozitive, kur ishte puna në probleme të diskutueshme, veçanërisht për të drejta studimi, që kandidatët kishin pjesëtarë të largët të familjes me “cene” në biografi. Unë gjykoja se cilësitë e kandidatit për student dhe rezultatet ishin kryesore, sepse nuk mund të paguante për naivitetin e paqartësinë e stërgjyshit dhe xhaxhain e xhaxhait e plot histori të tilla kungulleshkash, që të paaftët e servilët i kishin qejf. Për fat të keq, kur pastron të tjerët ndotesh vetë, kështu ndodhi dhe me mua, një ditë të bukur një fanatik me mustaqe e pamend, propozoi t’i shkruhet në karakteristikë  Remziut, “zbutje e luftës së klasave”. Filloi sulmi, duke shfrytëzuar edhe pushtetin, e u shtuan mbas vdekjes se Hysni Kapos, i cili ishte mburojë për çdo të keqe në Vlorë. Në rastin tim u shfrytëzua si pretekst, ndërtimi i Muzeut të Hysni Kapos në Tërbaç, sipas një vendimi të veçantë të Këshillit të Ministrave. Ndërtimi atij muzeu u harrua me qëllim, nga një bajraktar-drejtues, i cili s’kishte dëshirë për atë vlerësim që i bëhej asaj figure të madhe të Labërisë.

Erdhi një ditë, pas asaj vonese, Bilbil Gjika i bëri një copë letër Manush Myftiut, si bashkëluftëtar, duke e vënë në dijeni, se gjërat ishin zvarritur shumë. Ai afat që ishte vendosur nuk mund të realizohej, veç të tjerave dhe  për shkak të stinës së   dimrit që nuk lejonte ndërtimin me cilësi. Atë informim miqësor e vlerësoi Myftiu, i cili erdhi në Tërbaç, shumë papritur duke zënë gafil gjithë organet në rreth. Zyrtari i lartë i qeverisë i ndau përgjegjësitë: ndërtimi i asaj vepre muzeale ngarkon me detyra ministrinë e Arsimit, që ka marrë  fondet dhe Komitetin Ekz. të Vlorës si zbatuese, nëpërmjet ndërmarrjeve ndërtuese, duke lënë hallkën e fundit seksionin e Arsimit, kur ta merrte në dorëzim për ta shfrytëzuar si institucion. Ashtu ishte e vërteta, por faji u bë  qyrk dhe s’e veshi njeri.

 

Ende vazhdonin letrat anonime?

Shumë letra me ankesa të  forta për kuadrot kryesore në  rreth, vinin në qendër, të cilat akuzonin me fakte se i kishin bërë  zyrat harem dhe ekonomitë bujqësore çiflig të tyre. Në shënjestrën e Sigurimit të Shtetit u vura dhe unë, sepse sipas logjikës së  tyre, dyshonin se kisha gjetur rrugën e letrave anonime për të shfaqur pakënaqësinë ndaj kuadrove kryesore drejtuese të rrethit, që në emër të posteve partiake e shtetërore bënin ligjin. Më vonë, kur ndryshoi sistemi, mësova se mua më ishte çelur dosje për “agjitacion e propagandë  kundër partisë e pushtetit popullor”. Kuptohet, ata që e nisën, duhet ta çonin deri në fund, për të argumentuar, që “dënimi që i dhamë  ishte pak, sepse ky njeri ka më shumë gjynahe dhe duhet t’i paguajë me burg që të zërë  mend”. Për fat të mirë timin dhe të shumë kuadrove vlonjatë që ishin vënë në shënjestër, situatat ndryshuan dhe shumë plehra u pastruan nga Vlora.

Kur i kujtoj ato gjëra që bëheshin në atë kohë ndaj nesh apo plot njerëzve të pastër, merre me mend, se çfarë mund të bëhej ndaj atyre, që trashëgonin “cene” në biografi dhe rasti kërkohej që të futeshin në burg.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: