Shikimi, kur duhet të kuptojmë që një fëmijë ka probleme

Shikimi, kur duhet të kuptojmë që një fëmijë ka probleme
Prindërit dhe mësuesit janë të parët që mund të ndikojnë në zbulimin e hershëm të këtyre çrregullimeve. Rekomandohet kontrolli për miopi, ambiopi dhe strabizëm, në fëmijët e moshave tre dhe katër vjeç

Sonila Isaku

Shefja e shërbimit të Okulistikës në QSUT, dr. Vilma Mema, shpjegon se ka një prevalencë 9 deri 10 për qind të përhapjes së këtyre çrregullimeve të shikimit te fëmijët. Ndër çrregullimet më të shpeshta të shfaqura tek fëmijët e moshave shkollore, mund të përmendim raste të tilla si miopia, hipermetropia  ambliopia, strabizmi , si dhe vështirësia në të dalluarit e ngjyrave.

Sëmundjet

Çrregullimet e pamjes janë ndër problemet e shpeshta që manifestohen te shqiptarët dhe kryesisht te fëmijët e vegjël. Mos zbulimi në kohë i këtyre problemeve për vite me radhë, ka bërë që shumë prej çrregullimeve që prekin shikimin, të mos marrin trajtimin e duhur në kohë dhe, për pasojë, të lënë gjurmë të rënda në shikimin e fëmijëve (çka reflektohet në rastet e shumta kur vendosja e syzeve bëhet në mosha të mëdha). Me një kontroll tek mjeku në moshë të vogël, parandalohen problematikat e rënduara që mund të çojnë deri në humbje të shikimit, gjatë jetës. Shefja e shërbimit të Okulistikës në QSUT, dr. Vilma Mema shpjegon se, “Ka një prevalencë 9 deri 10 për qind, të përhapjes së këtyre çrregullimeve te fëmijët. Ndër çrregullimet, më të shpeshta, të shfaqura te fëmijët e moshave shkollore, mund të përmendim raste të tilla si miopia (në këtë rast fëmijët shohin qartazi, vetëm objektet që janë afër; ato që i kanë larg, nuk i shohin qartë, meqë rrezet e dritës priten përpara retinës), hipermetropia (nuk shohin qartë objektet e afërta, ndërsa vështrimi në largësi është normal), ambliopia, strabizmi (njihet ndryshe si te shikuarit vëngër), si dhe vështirësia në të dalluarit e ngjyrave (daltonizmi)”.

Studimi

Studime të kryera nga ana e një grupi specialistësh të Klinikës së Okulistikës në QSUT, dhe të Departamentit të Shëndetit Publik të Fakultetit të Mjekësisë, në nxënësit e klasave të para të qytetit të Tiranës, treguan se një pjesë e mirë e tyre, vuajnë nga çrregullimet e pamjes, në njërin ose të dy sytë. Pjesa dërrmuese e atyre që kanë këto patologji, nëse nuk i trajtojnë, mund të komplikohen deri në humbje të shikimit. Kjo pasi kalojnë në humbjen dytësore të shikimit (ambliopi), të lidhur me rrugët nervore të të parit deri në invalidizim, pra, humbje totale të shikimit. Sistemi i pamjes tek fëmijët që janë kryesisht të moshës 6- 9 vjeçare, është ende i pakonsoliduar, çka do të thotë se me ofrimin e ndihmës që në këtë stad, disa çrregullime mund të cilësohen si ende të korrigjueshme dhe të kthyeshme.  Nëse i evidentojmë në kohë, mund të ndihmojmë në korrigjimin e tyre, duke synuar kështu një trajtim efikas dhe të plotë. Më pas, ato marrin një karakter të qëndrueshëm. Për këto arsye, zbulimi i hershëm i çrregullimeve të mprehtësisë të pamjes (miopisë, hipermetropisë), i astigmatizmit, ambliopisë, strabizmit dhe çrregullimeve të perceptimit të ngjyrave, ka një rëndësi të jashtëzakonshme.

Kontrolli

Kontrolli i hershëm, jo vetëm mund të shmangë verbimin dhe invalidizimin, por ndikon edhe në uljen e kostove dhe vuajtjeve psikologjike të fëmijëve dhe familjarëve, kostove sociale dhe atyre ekonomike, që duhen për trajtimin e këtyre rasteve. Depistimi i çrregullimeve që kanë të bëjnë me çështjen komplekse të shikimit te fëmijët, përbën një problem të rëndësishëm të parandalimit që konsiston në identifikimin e hershëm të faktorëve të riskut ose të gjendjeve patologjike dhe trajtimin e tyre nëpërmjet ndërmarrjes së veprimeve (ndërhyrjeve të thjeshta) që shmangin përparimin, kufizojnë ose ngadalësojnë ecurinë dhe ndërlikimet e patologjive okulare. Një moment i rëndësishëm që duhet vënë në dukje, është fakti se identifikimi i problemit, në këto grupmosha, është teknikisht plotësisht i arritshëm.

Këshilla

Prindërit e fëmijëve janë të parët që mund të ndihmojnë në zbulimin e hershëm të këtyre çrregullimeve. Janë pikërisht ata që mund të dallojnë edhe simptomat e para, siç mund të jenë rastet kur fëmijët mbajnë pozicione të detyruara të pamjes, karshi objekteve të caktuara, rastet në të cilat fëmijët nuk respektojnë distancat në të lexuarit e librit apo kur shikohet televizor. Në të tilla raste, fëmijët kanë tendencë t’u afrohen gjithnjë e më shumë objekteve, pasi nuk mund t’i kapin që nga larg. Vështirësia në të përqendruar gjatë orëve të mësimit, që vjen nga lodhja e shpejtë e syve etj., cilësohen si ndër simptomat që mund t’i orientojnë prindërit drejt mjekut. Po ashtu edhe mësuesit, kanë një rol të rëndësishëm në zbulimin e këtyre rasteve. Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm që t’i ndihmojnë, sa më herët, fëmijët e tyre. Është këshillueshme që vizita tek okulisti, të nisë që në moshë të vogël, pasi në këtë kohë mund t’i zbulojmë me herët problemet. Për të zbuluar rastet me miopi, ambiopi, strabizëm, rekomandohet që fëmijët të vizitohen para se të hyjnë në shkollë, mundësisht mes moshave 3 dhe 4 vjeç.

Fakte dhe shifra

Përafërsisht, 285 milionë njerëz në mbarë botën, jetojnë me shikim të ulët dhe verbëri.

39 milionë prej tyre janë të verbër dhe 246 milionë kanë dëmtim të moderuar ose të rëndë të shikimit.

90% e të verbërve jetojnë në vende me të ardhura të ulëta.

Megjithatë, 80% e dëmtimit të shikimit është i shmangshëm – pra, lehtësisht i shërueshëm dhe/ose i parandalueshëm

Korrigjimi i syve dhe strategjitë e parandalimit të verbërisë, janë ndër ndërhyrjet më efektive në kujdesin shëndetësor.

Numri i njerëzve të verbër nga shkaqet infektive, është zvogëluar në 20 vitet e fundit.

Rreth 19 milionë fëmijë kanë vështirësi në shikim.

Rreth 65% e gjithë njerëzve të cilët kanë vështirësi në shikim, janë 50 vjeç e lart, dhe kjo grupmoshë përbën vetëm 20% të popullsisë së botës.

Rritja e popullsisë së moshuar, në shumë vende, do të thotë se më shumë njerëz do të jenë në rrezik për dëmtimin e shikimit të lidhur me moshën.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: