Sëmundjet e zemrës kujdes me ushqimin, aktivitetin fizik dhe duhanin

Sëmundjet e zemrës kujdes me ushqimin, aktivitetin fizik dhe duhanin
Mjekët kardiologë japin alarmin se  në vitin 2030 pritet që numri i këtyre sëmundjeve të rritet në 23 milionë. Por kjo situatë mund të ndryshojë, pasi thjesht duke bërë disa ndryshime të vogla në jetën tonë, ne mund të jetojmë më gjatë, më mirë dhe me zemër më të shëndetshme

 Sonila Isaku

Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) janë sot shkaktari numër 1 i vdekjeve në mbarë botën. Çdo vit, 17.5 milionë njerëz vdesin para kohe si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare, duke përfshirë sëmundjen e zemrës dhe goditjen në kokë. Në vitin 2030 pritet që numri i tyre të rritet në 23 milionë. Por kjo situatë mund të ndryshojë, pasi thjesht duke bërë disa ndryshime të vogla në jetën tonë, ne mund të jetojmë më gjatë, më mirë dhe me zemër më të shëndetshme. Bëhet fjalë t’i thoni vetes, njerëzve që ju i doni dhe njerëzve në mbarë botën “Çfarë mund të bëj që të kujdesem për ZEMRËN TIME…. dhe ZEMRËN TUAJ?”.

Në Ditën Botërore të Zemrës jepet mundësia për të bërë një premtim…… një premtim për të gatuar dhe për t’u ushqyer në mënyrë të shëndetshme, për të bërë më shumë ushtrime dhe aktivitet fizik, për të inkurajuar fëmijët që të jenë më aktivë, për t’i thënë jo duhanit dhe për të ndihmuar të dashurit tuaj që ta lënë atë. Një premtim të thjeshtë – për ZEMRËN TIME, për ZEMRËN TUAJ, për TË GJITHA ZEMRAT TONA.

Faktorët

Sëmundjet kardiovaskulare mund të parandalohen duke pasur në menaxhim faktorët e rrezikut që i stimulojnë ato. Faktorët e rrezikut për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare janë të ndryshëm. Ata kategorizohen në faktorë të pamodifikueshëm dhe në faktorë të modifikueshëm. Te faktorët e pamodifikueshëm bëjnë pjesë: mosha, ku meshkujt mbi 45 vjeç dhe femrat mbi 55 vjeç kanë rrezik për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare; seksi- meshkujt janë më të rrezikuar se femrat për të zhvilluar sëmundje artereoskleroike, pra të enëve të gjakut. Te femrat ky rrezik shtohet me fillimin e menopauzës; trashëgimia- personat që kanë në pemën familjare një mashkull që ka pësuar një atak kardiovaskular para moshës 55 vjeç ose një femër që ka pësuar një atak kardiovaskular para moshës 65 vjeç, quhen që kanë trashëgimi për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare.

Simptomat

Ndër simptomat kryesore të shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare është dhimbja e kraharorit. Kjo dhimbje mund të shfaqet kur ngjit një malore, shkallët apo kur ekspozohesh ndaj një klime të ftohtë. Dhimbja shfaqet në kraharor, në formë shtrënguese dhe mund të përhapet në nofullën e poshtme, në shpinë, apo në krahun e majtë. Këto dhimbje kanë shumë mundësi që të kenë të bëjnë me ngushtim të enëve të gjakut dhe shfaqen më shumë te meshkujt. Te femrat simptomat shfaqen më ndryshe. Ato nuk përjetojnë dhimbje kraharori por marrje fryme. Te nje grua aktive, një marrje e menjëhershme e frymës, një lodhje e theksuar mund të jetë shfaqje e sëmundjes së arterieve koronare. Ndërkohë diabetikët dhe moshat e mëdha nuk i kanë të shprehura këto simptoma, ata mund të përjetojmë një jorehati të lehtë në kraharor, por jo shenja specifike. Personat tek të cilët shfaqen këto shenja duhet menjëherë të konsultohen me mjekun e tyre dhe të kryejnë ekzaminimet e nevojshme për të diagnostikuar problemin e tyre.

Ushqimi

E duke qenë se një nga faktorët kryesore që ndikon në shëndetin tonë është ushqimi, ekspertët këshillojnë të tregojmë kujdes me të duke mos konsumuar pije me sheqer dhe lëngje frutash; zgjidhni ujin ose lëngje frutash të freskëta. Përpiquni të konsumoni 5 porcione me fruta dhe zarzavate në ditë; ato mund të jenë të freskëta, të ngrira, të konservuara ose të thata. Po kështu, zëvendësoni ëmbëlsirat dhe produktet e përpunuara me sheqer me fruta të freskëta, si një alternativë të shëndetshme si dhe të mos konsumoni alkool. Një tjetër këshillë ka të bëjë me frenimin e konsumimit të ushqimeve të përpunuara dhe të paketuara, të cilat shpesh përmbajnë sasi të lartë kripe, sheqeri dhe yndyre.

Glukoza dhe HTA

Niveli i lartë i glukozës në gjak (sheqerit në gjak) mund të jetë tregues për diabet. SKV-të janë shkaktarët e numrit më të madh të vdekjeve tek të sëmurët me diabet. Prandaj, nëse diabeti nuk diagnostikohet apo nuk trajtohet, ai mund t’ju vendosë në një rrezik të lartë për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru.

Ndërkohë që presioni i lartë i gjakut është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për SKV. Ai quhet ndryshe “vrasës i heshtur” pasi zakonisht nuk ka shenja apo simptoma specifike, dhe shumë njerëz nuk e dinë apo nuk e kuptojnë që kanë presion të lartë të gjakut.

Kolesteroli

Niveli i kolesterolit në gjak është i lidhur me rreth 4 milionë vdekje në vit. Prandaj vizitohuni te mjeku juaj dhe kontrolloni nivelin e kolesterolit në gjak, peshën trupore, si dhe indeksin e masës trupore (IMT). Kështu mjeku mund t’ju këshillojë për rrezikun tuaj për SKV, në mënyrë që ju të bëni një plan për të përmirësuar shënde

Duhani

Të ndaloni konsumimin e duhanit është një ndër veprimet më të mira që mund të bëni për të përmirësuar shëndetin e zemrës suaj. Brenda 2 viteve që ju keni lënë duhanin, rreziku për sëmundjen koronare të zemrës ulet ndjeshëm. Brenda 15 viteve të lënies së duhanit, rreziku për SKV bëhet sa ai i një individi që nuk ka pirë kurrë duhan. Ekspozimi ndaj tymit të duhanit është gjithashtu një shkaktar për sëmundjet e zemrës tek individët joduhanpirës. Pra, duke lënë duhanin apo duke mos e filluar fare atë, ju do të përmirësoni jo vetëm shëndetin tuaj por edhe shëndetin e njerëzve që ju rrethojnë. Nëse keni probleme për lënien e duhanit, kërkoni këshilla profesionale apo shërbime për ndërprerjen e pirjes së duhanit.

Këshilla

Kush është i shëndetshëm duhet të tregojë shumë kujdes për të parandaluar zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Për këtë është e rëndësishme kryerja e analizave në mënyrë periodike. Tensioni duhet matur minimalisht një herë në vit, që rreth moshës 20 vjeç. Një herë në tre vjet, duke filluar po në moshë të re duhet vlerësuar profile lipidik, pra yndyrnat. Këto kontrolle janë shumë të rëndësishme pasi ka situata të trashëguara dhe duke bërë këto kontrolle të vazhdueshme arrihet të diagnostikohet në kohë dhe të parandalohet përkeqësimi i këtyre faktorëve dhe shfaqja e sëmundjeve të zemrës.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: