Rriten rastet të problemeve të shëndetit mendor, mungojnë specialistët

Rriten rastet të problemeve të shëndetit mendor, mungojnë specialistët
Shumë prej çrregullimeve të fëmijërisë, kalojnë pa u kuptuar dhe pa u trajtuar, prandaj identifikimi i hershëm dhe trajtimi, zënë vend të rëndësishëm. Çrregullimet që shihen  kryesisht, janë çrregullime të zhvillimit intelektual, çrregullime të komunikimit, çrregullime të spektrit autik, etj. Në ditën botërore të Shëndetit Mendor, specialistët bëjnë apel që të gjendemi sa më pranë të rinjve dhe shëndetit të mendjes së tyre

Sonila Isaku

Askush nuk është imun ndaj çrregullimeve ose sëmundjeve të shëndetit mendor. Në vendin tonë, shënohen statistika të larta të personave që kanë kërkuar shërbim shëndetësor. Probleme të këtij spektri shfaqen te të gjithë ata që përjetojnë stres, që kalojnë një fatkeqësi në familje ose hasin situata të vështira në punë dhe angazhimet e tyre të përditshme. Përballë stresit, depresionit si faktorë që ndikojnë në çrregullime të shëndetit mendor, specialistët ngrenë si shqetësim mungesën e punonjësve sociale, psikologëve në spitale, shkolla për të trajtuar rastet. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar 10 tetorin e çdo viti, si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor. Në këtë ditë, jepet mundësia për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor, si dhe përpjekjet në mbështetje të shëndetit mendor. Në mbarë botën, 10-20% e fëmijëve dhe adoleshentëve përjetojnë probleme të shëndetit mendor. Gjysma e problemeve të shëndetit mendor fillon në moshën 14-vjeçare. Nëse nuk trajtohen, këto probleme ndikojnë në zhvillimin fizik dhe mendor, në arritjet dhe mundësitë për të përmbushur të gjithë potencialin individual.

Të rinjtë

Slogani i këtij viti “Shëndeti mendor për të rinjtë në një botë në ndryshim”  dhe synon të përforcojë advokacinë, udhëheqjen efektive lidhur me aspekte të ndryshme të shëndetit mendor të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve. Po kështu një tjetër qëllim  këtij slogani është edhe të përqendrojë vëmendjen te shërbimet efektive, te diagnostikimet e hershme dhe te parandalimi lidhur me shëndetin mendor të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve si dhe të implementojë strategji për promovimin e mirëqenies psiko-sociale, për parandalimin e problemeve të shëndetit mendor dhe të drejtave të njeriut, të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve me probleme të shëndetit mendor.

Të rinjtë shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës së tyre në internet duke u përballur me krime kibernetike, bullizëm kibernetik dhe video-lojëra të dhunshme. Po ashtu po rriten shifrat e të rinjve që kryejnë vetëvrasje, që abuzojnë me substanca apo që paragjykohen për shkak të orientimit të ndryshëm seksual. Mosha e re përbën moshën ku mund shfaqen probleme serioze të shëndetit mendor, dhe në jo pak raste mungon informacioni lidhur me shëndetin mendor. Pikërisht për këtë arsye, slogani i vendosur këtë vit synon të theksojë nevojën e të rinjve për të folur dhe ndarë problemet e tyre, në mënyrë që të jenë të shëndetshëm.

Adoleshentët 

Adoleshenca dhe vitet e para të moshës së rritur janë një periudhë e jetës në të cilën ndodhin shumë ndryshime, si për shembull ndryshimi i shkollës, largimi nga familja, fillimi i një shkolle të lartë apo i një pune të re. Për shumicën e të rinjve kjo periudhë është e mbushur me emocione. Por mund të jetë edhe një periudhë e mbushur me stres e pikëpyetje. Në disa raste, nëse nuk kuptohen dhe menaxhohen, këto ndjenja mund të shkaktojnë probleme të shëndetit mendor.

Përdorimi i tepruar i teknologjisë dhe internetit, përveçse mund të sjellë përfitime, në të njëjtën kohë mund të shkaktojë probleme, p.sh. lidhja me rrjete virtuale në çdo orë të ditës apo natës. Gjithashtu, ka shumë adoleshentë që jetojnë në zona emergjence humanitare që kanë konflikte, fatkeqësi natyrore, epidemi, etj. Të rinjtë që jetojnë situata të tilla janë më vulnerabël ndaj problemeve të shëndetit mendor.

 

Mosha

Gjysma e problemeve të shëndetit mendor fillojnë në moshën 14-vjeçare, por shumica e rasteve mbeten të padiagnostikuara dhe të patrajtuara. Tek adoleshentët depresioni renditet në vend të tretë. Vetëvrasja përbën shkakun e dytë të vdekjes në moshën 15-29 vjeç. Përdorimi problematik i alkoolit dhe i drogave të paligjshme tek adoleshentët, në shumë vende përbën shkakun kryesor të sjelljeve të rrezikshme, të tilla si seksi i pambrojtur apo drejtimi i pasigurt i mjeteve motorike.

Kujdesi

Për fat të mirë, ka një rritje të ndërgjegjësimit lidhur me rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit mendor që në moshë të vogël, me qëllim përgatitjen për sfidat e kohës së sotme. Ka plot të dhëna se promovimi dhe mbrojtja e shëndetit mendor të adoleshentëve sjell përfitime jo vetëm për shëndetin e adoleshentëve por edhe për shoqërinë në përgjithësi, e cila duke patur të rinj të shëndetshëm ka mundësi më të mëdha për të kontribuar në punë, në familje e komunitete. Gjithsesi, mund të bëhet ende shumë më tepër për kujdesin ndaj shëndetit mendor që në moshë të vogël, në mënyrë që të parandalohen probleme të tilla tek adoleshentët dhe të rinjtë. Parandalimi fillon me ndërgjegjësimin lidhur me kuptimin e shenjave dhe simptomave të para të problemeve të shëndetit mendor. Prindërit dhe mësuesit mund të ndihmojnë në krijimin e aftësive të fëmijëve dhe adoleshentëve për jetën, për përballimin e sfidave të përditshme në shkollë apo familje. Mbështetja psikosociale mund të ofrohet në shkollë ose në komunitet.

Trajtimi

Sëmundjet mendore janë ndërmjet sëmundjeve klinikisht më të rëndësishme, katër prej sëmundjeve mendore: depresioni, çrregullimi i përdorimit të alkoolit, çrregullimi bipolar dhe skizofrenia janë ndër 10 sëmundjet kryesore që prekin njerëzit e moshave 15 deri 44 vjeç. Për shkak se dëmtimet e shkaktuara janë gjithashtu pasojë e sëmundjes mendore, 5 nga 10 shkaqet kryesore të dizabilitetit në botë i atribuohen çrregullimeve mendore. Në këtë rast mesazhi është i qartë: mjekët dhe prindërit nuk mund t’i lejojnë vetes më të injorojnë sëmundjet mendore. Çdo mjek duhet të mësojë të identifikojë sa më shpejt, të diagnostikojë sëmundjet mendore, të ofrojë mjekim ose t’i referojë tek specialisti. Identifikimi dhe trajtimi i hershëm i sëmundjeve mendore është bërë në botë një prej lëvizjeve më të rëndësishme, të viteve të fundit. Ndërhyrja e hershme është një term që të ngatërron, pasi ato mund të identifikohen vetëm përmes simptomave ose kombinimit të simptomave. Veç kësaj, është i vështirë të identifikohet fillimi i çrregullimit psikotik. Shumica e pengesave në ndërhyrjen e hershme janë të njëjtat që pengojnë progresin në shëndetin mendor më shumë: turpi, pesimizmi, heshtja që rrethojnë të sëmurët mendor dhe një dështim konsekuent për të investuar.

 

Diagnozat e çrregullimeve mendore

Rreth 15-25% e popullatës deri 18 vjeç preket përgjatë jetës së vet prej të paktën një çrregullimi të diagnostikueshëm. Çrregullimet që hasen më shpesh në praktikën klinike janë:

Skizofrenia dhe çrregullimet e tjera psikotike - Simptomat e këtyre çrregullimeve janë: deluzione, haluçinacione apo të folur e mendime të çorganizuara.

Sëmundjet depresive dhe ato bipolare, si dhe çrregullimet anksioze ku përfshihet: përjetimi i shpeshtë i ankthit, sikletit e tensionit në intensitet e kohëzgjatje mjaft më të shtuar se ankthi i përjetuar prej njeriut të zakonshëm në jetën e përditshme.

 Çrregullimeve Somatoforme që janë shqetësime të mëdha për shëndetin, të pabazuara në funksionimin fizik apo analiza.

Çrregullimet e ushqyerjes dhe ngrënies (anoreksia, bulimia etj)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: