Ronaldo te Juve, kërcënimi me burg dhe Di Stefano

Ronaldo te Juve, kërcënimi me burg dhe Di Stefano
Sot dhe nesër ndeshjet e dyta në Champions League me Juven, që ëndërron kurorën e Realit. Zbulohet arsyeja e divorcit mes Cristiano Ronaldo-s dhe Real Madrid, vendimi jo aq i papritur

Aranit Muraçi

Real Madrid i dha lamtumirë Cristiano Ronaldo-s në korrik të këtij viti, por largimi i lojtarit nga  “Santiago Bernabeu” nisi që në maj të vitit 2017. Problemet e tij me taksat dhe autoritetet spanjolle ndezën një sërë diskutimesh dhe çuan në vendimin e tij se duhej të largohej në një ekip tjetër dhe zgjodhi si përfundim Juventus, në Torino.

Ronaldo pati një takim me  agjentin e tij Jorge Mendes në maj 2017, si dhe me këshilltarin e tij, ku mësohet t’ju ketë thënë: “nuk dua të rrezikoj”, - duke iu referuar shqetësimeve pas akuzave për mospagimin e taksave dhe kërcënimin me burg. - “Nuk kam studiuar ligje. E vetmja gjë që kam bërë në jetë është të luaj futboll, por nuk jam budalla dhe nuk besoj askënd. Ja pse po paguaj 30 për qind më shumë se ç’më takon. Kjo, sepse nuk dua të kem probleme.”

Avokati i tij ligjor, Carlos Osorio, i cili ishte në atë takim me Ronaldon, i shpjegoi se është nën akuzë lidhur me çështjet fiskale, por i dha garanci se nuk duhej të shqetësohej. Disa muaj më vonë, kur ai duhet të bënte një marrëveshje me autoritetet e pagimit të taksave në Spanjë, u zemërua edhe më shumë. - “Kurrë nuk kam thënë se nuk dua të paguaj taksa. Dua të di se çfarë ka ndodhur. Kur taksat duhet të paguhen nga sponsorët, pse duhet të akuzohem unë?, ka pyetur Ronaldo këshilltarin ligjor.

Ronaldo më vonë shpresoi që Real Madrid të merrte përsipër që t’i përmirësonte kushtet e kontratës me qëllim që të zbuteshin kërkesat financiare pas problemeve me taksat, pasi besonte se një gjë të tillë Barcelona kishte bërë me Lionel Messi-n. Por kur nuk mori pëlqimin e klubit, ai e ndjeu veten të tradhtuar, duke vendosur përfundimisht të largohej. Ai e konsideroi mungesë respekti sjelljen e klubit, për faktin se Lionel Messi-t iu dyfishua paga te Barcelona, kurse Neymar, që pati të njëjtat probleme me taksat, u largua te PSG kundrejt një shifre rekord në merkato.

Zemërimin Ronaldo ia transmetoi edhe trajnerit Zinedine Zidane, që ia kishte paraqitur problemet për zgjidhje klubit. Dhe si të mos mjaftonin problemet me taksat, Ronaldo është irrituar nga fakti se  Alfredo Di Stefano vazhdon ende të mbahet si lojtari më i mirë i historisë së Real Madrid.

“Ata gjithnjë më vendosin mua pas Di Stefano dhe unë nuk di se çfarë të bëj më shumë.” Pasi ngriti për herë të tretë radhazi trofeun e Champions League, ai atë mbrëmje deklaroi largimin nga Reali, duke iu bashkua me vonë Juventus. Largimit të tij iu bashkua edhe Zinedine Zidane.

“Hija” e përndjekjes së “CR7” edhe si -ish, pas largimit 

Mediat spanjolle raportojnë se mbi 40 ish-futbollistë dhe një numër basketbollistësh janë pjesë e hetimeve në lidhje me transferimet dhe pagat që marrin, pasi dyshohet se kanë kryer evazion fiskal gjatë karrierës në Spanjë. Mes tyre edhe ish-lojtarë të Real Madrid, Nuri Sahin e Hamit Altintop, sikurse ish-lojtarë të Atletico, Valencia, Vilareal e Malaga. Kjo shton ende rrezikun se edhe ish-lojtarë të tjerë, si Cristiano Ronaldo, pavarësisht largimit nga Spanja mund të vihen sërish nën akuzë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: