REFORMA ZGJEDHORE/ Opozita paraqet platformën për zgjedhjet, Rama: I ka thënë “Jo” reformës

REFORMA ZGJEDHORE/ Opozita paraqet platformën për zgjedhjet, Rama: I ka thënë “Jo” reformës
Kreu i Partisë Demokratike prezantoi dje platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ajo mbështetet në katër pika kyçe:Dekriminalizimi i procesit, ku përfshihet dhe vetingu i politikanëve. Masat kundër shitblerjes së votës. Reduktim i shpenzimeve të fushatës. Përdorimi i teknologjisë në votim”. Reagon Rama: Ata e kanë refuzuar reformën zgjedhore!

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar dje platformën, e cila sipas tij do të mundësojë realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Platformë kjo që mbështetet në katër pika kyçe, të cilësuara këto nga opozita si thelbësore për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në vend.

“1. Dekriminalizimi i procesit zgjedhor, ku përfshihet edhe vetingu i politikanëve. 2. Masat kundër shitblerjes së votës. 3. Reduktim i shpenzimeve të fushatës dhe financim shtetëror në masën prej 100%. 4. Përdorimi i teknologjisë në votim, votim dhe numërim elektronik”, renditi Basha këto katër pika.

“Të gjitha këto janë të rëndësishme për të trajtuar vdekjen e sistemit zgjedhor, shkatërrimin e procesit zgjedhor dhe kthimin e tij nga një festë të demokracisë, në një gosti dhe orgji të krimit të lidhur me politikën”, shtoi kryetari i Partisë Demokratike.

Më tej, Basha deklaroi gjithashtu se është i hapur edhe për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por më parë kërkoi që të realizohen katër pikat e platformës, të lartpërmendura.

Gjithashtu, kreu demokrat tha se qëndrimi i tij ishte për reduktim të numrit të deputetëve në 100 dhe për një parlament me dy dhoma, i cili mund të mundësojë sipas tij, kontroll dhe një balancim më të mirë të pushteteve.

Ndërkaq, referuar kësaj platforme zgjedhore me katër kushte të opozitës, ka reaguar dje kryeministri Edi Rama.

Gjatë mbledhjes së grupit të Partisë Socialiste, ai u shpreh se Basha nuk e do aspak reformën zgjedhore. Sipas tij edhe pse është punuar gjithë verën për konsensus me opozitën për reformën zgjedhore, ajo është refuzuar, madje sipas Ramës nga opozita është refuzuar edhe numërimi elektronik.

“Janë dëshpëruar, nuk kanë ide dhe vizion, me vota nuk na mundin dot. Tani që jemi gati, ka punuar gjithë verën Çuçi për dakordësi dhe për votimin elektronik në 2-3 zona, thonë se nuk duan”, apeloi ai. Duke akuzuar se opozita kërkon pushtetin në tavolinë, me marrëveshje madje, një herë pozita dhe një herë tjetër opozita.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: