RAPORTI I RI/ Parlamenti Evropian: Nuk ka datë për hapjen e negociatave!

RAPORTI I RI/ Parlamenti Evropian: Nuk ka datë për hapjen e negociatave!
Negociatat për anëtarësimin me Bashkimin Evropian do të hapen vetëm kur Shqipëria të përmbushë kushtet e nevojshme dhe jo në ndonjë datë të caktuar.

Një mesazh të tillë kanë përcjellë dje deputetet e Parlamentit Evropian, teksa kanë diskutuar mbi raportin e fundit për pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Shqipëria. Raport ky, i cili është miratuar prej tyre me 44 vota pro, 5 kundër dhe 5 abstenim.

Brenda faqeve të tij thuhet se Parlamenti Evropian e ka mirëpritur progresin e Shqipërisë, porse ngrihet si shqetësim niveli i korrupsionit dhe mungesa e efikasitetit në sistemin e drejtësisë.

Ndërkaq, në diskutime janë përmendur edhe disa çështje të nxehta të Shqipërisë, si negociatat e saj të hapura me Greqinë, veçanërisht ato mbi respektimin e të drejtave të pakicave në vendin tonë.

Por në të njëjtën kohë është diskutuar edhe mbi ndërtimet e hidrocentraleve në disa lumenj në vendin tonë.

Raporti i Parlamentit Europian konfirmon deklaratën e pak ditëve më parë të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, i cili u shpreh se nuk ka një datë të saktë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Ndërsa Mali i Zi dhe Serbia, sipas deputetëve evropianë po shënojnë progres për negociatat, edhe pse për ata gjithashtu, nuk ka një datë të saktë për pranimin në Bashkimin Evropian.

Në tërësi, për të gjitha vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, raporti përmend korrupsionin dhe krimin e organizuar si një problem i përhapur. Ndërsa vë në dukje se këtyre vendeve u duhet që të bëjnë më shumë për t’i luftuar këto dukuri negative.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: