Rama frymëzohet nga Erdogan? Shqipëria si Turqia pa kazino dhe pika bastesh

Rama frymëzohet nga Erdogan? Shqipëria si Turqia pa kazino dhe pika bastesh
Disa e shohin këtë masë drastike të kryeministrit Edi Rama, si frymëzim nga kreu i Turqisë, Erdogan, i cili ka ndaluar me ligj lojërat e fatit, të cilat turqit mund t'i aksesojnë vetëm në pjesën e Qipros që kontrollohet nga turqit

I konsideruar si biznes miliardash, biznesi i lojërave të fatit pritet të marrë goditje ‘alla turca’ në Shqipëri, pasi qeveria ka vendosur mbylljen totale të tyre në zonat urbane, ashtu siç ndodh në Turqi.

Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, doli para medieve dhe tha se u morën disa vendime të rëndësishme, mes të cilëve, ai për mbylljen jo vetëm të kazinove elektronike, por edhe të basteve sportive në zonat e banuara.

‘Duke nisur nga data 31 dhjetor 2018 do të pushojnë së funksionari të gjitha kazinotë elektronike’, - njoftoi Rama duke komentuar se ‘ky është një lajm që të gjitha familjet shqiptare do ta presin me kënaqësi’.

Ndërkohë, Rama shpalli dhe një ndryshim në ligjin për lojërat e fatit, duke përfshirë në afatin 31 dhjetor 2018, edhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë.

‘Në territorin e Republikës së Shqipërisë nga 1 janari nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste dhe ashtu për asnjë kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë km katror të Republikës së Shqipërisë’, - theksoi z.Rama.

Masa të ashpra priten dhe për lojërat e fatit përmes internetit. ‘Një regjim i ri do të jetë gati deri në 31 dhjetor, për licencimin dhe kontrollin e kësaj veprimtarie në distancë, pra, nëpërmjet internetit’.

Ai paralajmëroi ndëshkime drastike dhe mbyllje të menjëhershme për mediat që transmetojnë reklama lojërash fati:

‘Në zbatim të ligjit ekzistues, që ndalon reklamimin e kompanive të basteve dhe që është shkelur nga të gjitha mediat pa përjashtim, unë i paralajmëroj të gjithë: Brenda 24 orësh të heqin të gjitha reklamat nga ekranet, nga radiot, nga gazetat, apo nga portalet’.

Po sot, qeveria ka pezulluar veprimtarinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Rama shpjegoi se pezullimi vjen pasi ky institucion, deri në 31 dhjetor do të transformohet dhe do të robotizohet përmes teknologjisë digjitale, për të funksionuar si mbikëqyrës në regjimin e ri.

Kompanitë e lojërave të fatit, qarkullojnë miliarda euro xhiro dhe pronarët e tyre kanë norma shumë të larta fitimi.

Shumë prej kompanive janë të zhytura në evazion fiskal.

Problem tjetër serioz është kriza sociale që kanë shkaktuar lojërat e fatit. Kazinotë dhe pikat e basteve i gjen çdo 10-20 metra në të gjitha qytetet e vendit.

Ato kanë shkaktuar në shumë raste drama familjare për shkak të rrënimit ekonomik që shkaktojnë.

Po ashtu shumë kazino dhe pika bastesh janë shndërruar në vende veprash kriminale, ose stimulues të këtyre krimeve.

Disa e shohin këtë masë drastike të kryeministrit Edi Rama, si frymëzim nga kreu i Turqisë, Erdogan, i cili ka ndaluar me ligj lojërat e fatit, të cilat turqit mund t’i aksesojnë vetëm në pjesën e Qipros që kontrollohet nga turqit. /afp.al/ibna/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: