PLEHRAT! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

PLEHRAT! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Afër mesnatës, imagjinoni njerëzia me pizhame duke parë ndonjë film, fëmijët e të moshuarit në gjumë, qetësi pezull në një lagje qendrore të Tiranës të kamur, ose të paktën ashtu mbahet.

Teksa shikon një film ose dokumentar, ndjen aromë tymi, në fillim heziton, më pas dëgjon zëra njerëzish në shkallë e të bërtitura.

Del në ballon dhe të del përpara një tjetër skenë, diku vetëm një kat poshtë shtëpisë, shikon tymin e zi që del, erë mbytëse plastikash të djegura, flakë, xhama që plasin e thyhen dhe në oborr, një zjarrfikëse që “lufton” gjysmë ore jo me flakët, por me makinat e parkuara që kanë zënë rrugën nga ku duket të kalojë që t’i afrohet pallatit ku ka rënën zjarr.

Kam idenë se kjo është një situatë ku në një jetesë të përditshme nuk mendon asnjëherë se do të gjendesh, por që në lagjet tona gjendesh shpesh.

Por nëse ka diçka që kjo ngjarje traumatizuese për banorët e pallatit tim solli, është që ndërgjegjësoi shumë nga ne që këtë herë shpëtuam mirë. Një herë tjetër, nuk do të kemi kaq fat.

Meqenëse shumë nga pallatet tuaja që po më lexoni, janë në të njëjtën situatë, po vazhdoj me tregimin tim.

Një çift i ri ka marrë një shtëpi me qira, të dashuruar e të qetë, paguajnë jo pak sepse kanë zgjedhur të jetojnë në një “lagje të mirë”. Por teksa po presin t’i zërë gjumi, dritarja e banjës plas si një bombë e zjarri e tymi hyjnë në shtëpi. Jo nga ndonjë pakujdesi e tyre, as e ndonjë banori tjetër në shtëpi, por vetëm dhe vetëm sepse disa “borgjezë” me makina luksi e vila me pishinë në bregdet, që kanë zgjedhur katet e larta, hedhin qeset me plehra nga dritaret e banjove dhe anekseve prej disa vitesh e ato përfundojnë në një aneks ajrimi.

Ne të gjorët zyrtarë me rroga, e dimë këtë “hall” se nuk hapim kurrë dritaret, por shefi i zjarrëfikseve na “iluminoi” duke na shprehur indinjatën dhe habinë e tij se si vallë ishin mbledhur dy kate me plehra të cilat po helmonin me tym tërë lagjen.

Çfarë nuk gjetën e panë të gjorët policë e punonjës zjarrfikëseje aty, jorganë, jastëkë, bebelino kalamajsh me gjithë jashtëqitje, qese e shishe plastike, tuba e kalbësira të të gjitha llojeve, një pështirosje e vërtetë.

Plehrat e “plehrave” ishin rritur vit pas viti, ashtu siç është rritur kapardisja e të kamurve pa qytetari që na rrethojnë. Sepse të derdhësh plehrat të prish thonjtë, të merr kohë, nuk mundesh se do të shkosh në palestër, ose do pish kafenë për thashethemet e rastit.

Çifti i ri kishte shpëtuar këtë herë për mrekulli, pavarësisht se trauma u ngelet gjatë. Edhe e moshuara e lagjes që jeton vetëm e që u mbyt nga tymi, edhe unë me familjen time që banojmë pikërisht mbi zjarrin që këtë herë u shua pas 12 orësh luftë me plehrat. Por vallë a do të shpëtojmë dot ndonjëherë nga mungesa e qytetarisë, e normave të bashkëjetesës në komunitet, e faktit që nuk duhet të shohim vetëm prag dere e brenda, por të kuptojmë që ato plehra që lëshojmë nga dritaret, fëmijët tanë i gjejnë nën hundë kur dalin, e se nëse një pallat merr flakë prej tyre, zjarri nuk bën dallime nëse je poshtë a je lart, je me lekë a je varfanjak, je i ri a je i moshuar.

E përshkrova këtë episod sepse jam e bindur që në çdo lagje të kryeqytetit ka të tilla problematika e se kjo është panorama e vërtetë e kulturës që kemi, poshtë maskës së “evropianëve” në tentativë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: