Partizani po rritet, Gega: Duhet të krijojmë historinë tonë

Partizani po rritet, Gega: Duhet të krijojmë historinë tonë
Trajneri i Partizanit, Skënder Gega flet për shanset e trofeut të shumëpritur nga tifozët: 99% e lojtarëve s’kanë lidhje me “thatësirën” 25-vjeçare pa një titull

Aranit Muraçi

Partizani ka sot shansin e artë të marrë i vetëm kreun e renditjes, në përballjen me Teutën, në javën e shtatë të Kategorisë Superiore, për t’u konfirmuar një ndër pretendentët kryesorë për titullin kampion. Kukësi ndan kreun me të kuqtë dhe pret një ditë më pas Skënderbeun kampion në fuqi, por që mban vendin e tretë me dy pikë pas kryesuesve. Trajneri Skënder Gega para ndeshjes me Teutën u zhvendos dje bashkë me ekipin në Elbasan dhe  i bën një analizë ecurisë së skuadrës së tij, lidhur edhe me euforinë që ekziston tek kryeqytetasit pasi fitoi derbin e fundit 1-0 ndaj Tiranës:  

Ndaj Teutës do të jetë i njëjti Partizan si në derbi?

Është një ndeshje tjetër. Edhe pse, fitorja në derbi po 3 pikë na ka dhënë. Për fat të mirë, e kaluam me sukses, tani kemi një ndeshje të radhës, që duhet ta marrim po kaq seriozisht. Do mundohemi me të gjitha forcat, të japim të njëjtën performancë. Besoj se jemi në rrugën e duhur.

A i druheni euforisë në këtë moment shumë pozitiv të Partizanit?

Jam i kënaqur që ekipi po rritet. Nuk kemi hapësira për eufori. Kemi luajtur vetëm ndeshjen e gjashtë.

Cili është sekreti i mbrojtjes, pasi në 6 javë Partizani ka pësuar vetëm një gol?

Është puna në grup, puna kolektive. Jemi me fat që kemi portierin më të mirë në Kategorinë Superiore. Është profesionist brenda e jashtë fushe. Bashkë edhe me ndihmën e ekipit. Nuk jap garanci nëse do pësojmë më gol, por mënyra se si luajmë, do jemi po kaq të kujdesshëm.

Teuta fitoi ndeshjen e fundit duke ndalur Skënderbeun…

Skënderbeu shkarkoi gjithçka, kundër nesh. Ata dhanë maksimumin, ishte krejt normale. Por edhe fati ishte me ta. E pashë takimin e Teutës ndaj Skënderbeut. Bëri një ndeshje shumë të mirë.

Historia e viteve të fundit ka treguar që Partizani kur fiton një derbi, zhgënjen në ndeshjen pasardhëse…

Shpresoj ta prishim “syrin e keq”, të mos vazhdojmë me këtë traditë. Kjo gjë duhet të korrigjohet. Kemi folur edhe me lojtarë për këtë gjë. Lojtarët e kanë shprehur këtë shqetësim. Është e pashmangshme, edhe presioni pozitiv.  E njoh punën time, na pret një sfidë e vështirë.

A ju shqetëson fakti se nuk shënoni shumë dhe fitoret e deritanishme kanë ardhur përmes shifrave minimale?

Edhe fitorja minimale quhet fitore. Tifozët kanë dëshirë për shumë gola, edhe kjo është normale. Për çdo trajner do ishte mirë të finalizohej sa më shumë. Jam i kënaqur, pasi loja në grup, në sulm, është mbështetur nga lojtarë që nuk janë tipik sulmues. Kjo më bën optimist.

Çfarë i duhet Partizanit psikologjikisht për të fituar titullin?

Te Partizani 99% e lojtarëve s’kanë lidhje me “thatësirën” 25-vjeçare pa një titull. Duhet të krijojmë historinë tonë, pa u shkëputur nga e kaluara. Por nuk jemi ndeshur ende me të gjitha ekipet.

Ju shqetëson fakti që nuk keni një lojtar të mirëfilltë goli?

Kemi lojtarë si Telushi, Asani, Mala, që e bëjnë shumë mirë lojën e sulmit. Nuk mund të piketoj një lojtar goli sot. Te grupi dua që të gjithë të jenë afër portës e të shënojnë.

Do të ketë rotacion në ekip për shkak të ngjeshjes e kalendarit, në mesjavë?

Nuk e kemi vendosur. Do të shpërngulemi sot në Elbasan, larg zhurmës, pasi edhe fusha është e mirë. Tek ne 15-16 lojtarë janë pretendentë për të qenë titullar. Është presion, por edhe kënaqësi që kemi kaq shumë lojtarë.

Bruno Telushi ka marrë më pak kartonë pasi kaloi te Partizani?

E vërtetë, e njoh prej kohësh Telushin. Kjo natyrë e tij i jep vlerë në fushë, por edhe duhet të menaxhosh. Sot ai është edhe prind, e sheh futbollin si profesion. Ekipi e njeh si lider, ka mbështetjen tonë dhe besoj se e ka kuptuar se duke marrë kartonë, dëmton ekipin.

Partizani më i “pjekur” këtë sezon. Nuk merret shumë me arbitrat..

Unë duhet të sillem mirë me ekipin, me publikun, me mediat. Jeta është e mbushur me urrejtje, dhe futbolli duhet të jetë “fair-play”. Ekipi është i pjekur. Kemi bashkëpunim të mirë, flasim hapur për të mirën e klubit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: