Partizani për titull, “troket” epoka e lavdishme

Partizani për titull, “troket” epoka e lavdishme
Një javë para se të mbyllet faza e parë fitorja 1-0 ndaj Kukësit ngjit të Kuqtë në krye të klasifikimit, duke i bërë favorit kryesor për titullin kampion, sukses që u mungon kryeqytetasve që prej viti ‘94. Trajneri Skënder Gega kërkon të ulë euforinë: Janë edhe tre faza të tjera

Aranit Muraçi

Partizani mposht Kukësin dhe kjo fitore e afron më afër se kurrë pranë titullit të munguar kampion, trofe që i mungon prej 15 vitesh. Ndonëse është  herët dhe mbetet edhe një ndeshje nga mbyllja e fazës së parë, janë shifrat ato që shkojnë në favor të “Të Kuqve”. Për më tepër bind ecuria e javëve të fundit dhe stabiliteti në rezultate, sikurse niveli i lojës në rritje. Një dekadë më parë Partizani e humbi titullin kampion në javën e fundit me Dinamon, por në atë sezon, deri në mbyllje, ishte rivali i saj historik pretendent, ndryshe nga edicioni aktual, teksa ekipet e tjera pretendente si Skënderbeu, Kukësi dhe Flamurtari, kanë pasur luhatje në lojë e rezultate.

Ndeshja kryesore e javës së parafundit në Kategorinë Superiore u vendos nga një gol i pjesës së parë.  Në 20’ , Asani merr një top të mirë pranë zonës, duke kaluar Shametin dhe nxjerr të vetëm Malën që gjen golin në portën e Kukësit, pa e pasur të vështirë të shënojë, duke zhbllokuar rezultatin. Kukësi zhvilloi një pjesë të parë më të mirë në lojë, por nuk ishte rezultativ. Partizani ia doli të mbrojë rezultatin edhe në pjesën e dytë, duke kërkuar golin e sigurisë me anë të kundërsulmit. Gjithsesi, në “Elbasan Arena” fitorja u buzëqeshi “Të Kuqve”, të cilët nën  drejtimin e Skënder Gegës duken sikur kanë rilindur për të rikthyer trofeun e munguar apo edhe për të ringjallur epokën e lavdishme, që e mbajtën deri në ‘94, kur ngritur trofeun e fundit, të 15-in kampion në Shqipëri.  Ishte koha kur pjesë e atyre viteve luante me Partizanin si mbrojtës edhe Skënder Gega, i cili në rolin e trajnerit të këtij sezoni, pas fitores me Kukësin, tha: “Është ndjesi e mirë që jemi në vendin e parë, e kam theksuar që është fillimi dhe kemi 3 faza të tjera. Rëndësi ka që kemi ecuri të mirë dhe i urova djemtë për shpirtin luftarak. Kukësi është një ekip i fortë, që na vuri nën presion, por gjërat shkuan siç i kishim parashikuar. Djemtë u përgjigjën dhe është grupi që po tregon se është në rrugën e duhur.”

Partizani në tetë javë ka pësuar vetëm një gol, por edhe pse nuk ka shënuar shumë, ka marrë maksimumin në javët e fundit, kjo falë edhe rendimentit të disa prej të rinjve, që kanë fituar besimin e trajnerit. - “Jam i kënaqur dhe urova Bardhin, Asanin dhe Malën personalisht, pasi janë të rëndësishëm. Iu thashë se mund të shënonin përsëri, nëse besojnë te vetja. Por jemi ekip me të rinj,’ – u shpreh Skënder Gega, pas fitores ndoshta më të rëndësishme deri tani.

 

Kukësi-Partizani               0-1

Shënues: Asani 20’

Kukësi: Frashëri, Maliki, Shameti, Cuculi, Uilliam, Et’hemi, Dzaria (Limaj 46’), Shkodra, Shafik (Shpehar 70’), Kalaja(Çyrbja 60’), Rexhinaldo. Trajner: Armando Cungu.

Partizani:  Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Telushi, Hila, Asani, Bardhi (Hebaj 70’), Mala (Çinari 74’), Mensah (Kote 58’). Trajner: Skënder Gega.

Gjyqtar: Juxhin Xhaja

 

 

Kategoria Superiore

Java e 8-të/Dje

Kukësi-Partizani                0-1

7 tetor

Tirana-Laçi                           0-1

Teuta-Kastrioti                  2-0

Luftëtari-Skënderbeu    0-2

Kamza-Flamurtari            2-2

Klasifikimi

Partizani               19

Skënderbeu       17

Laçi                         16

Kukësi                   13

Flamurtari           11

Teuta                    11

Tirana                    8

Kamza                   7

Luftëtari               6

Kastrioti               4

Shpërndajeni me miqtë tuaj: