Partizani dhe Skënderbeu bëjnë “detyrat e shtëpisë”, Të Kuqtë udhëheqin para ballafaqimit të madh

Partizani dhe Skënderbeu bëjnë “detyrat e shtëpisë”, Të Kuqtë udhëheqin para ballafaqimit të madh
Fiton Skënderbeu dhe i merr për pak kohë kryesimin Partizanit, por faza e parë mbyllet me udhëheqjen e “Të Kuqve”, të cilët mposhtën Luftëtarin në “Selman Stërmasi” duke pritur rivalin direkt që i ndjek me dy pikë pas në një duel interesant javës që vjen, për ndoshta fitoren me “aromë titulli”. Partizani është rreshtuar këtë sezon në pretendent kryesor për fitimin e titullit kampion, trofe që i mungon prej 15 vitesh, ndërsa Skënderbeu është kampion në fuqi.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, me Mensah që shënoi fillimisht për Partizanin dhe Shkurtaj barazoi nga ana tjetër për Luftëtarin.

Fatet e këtij takimi u vendosën në 54’, kur Mala ndalet në mënyrë të parregullt nga Liçaj dhe  gjyqtari Cjapi dha penallti për Partizanin, të cilën Bruno Telushi e ktheu në gol. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi duke i siguruar një tjetër trepikësh të kuqve.

Po sot fitoi edhe Skënderbeu 2-0 ndaj Kamzës, fitore që rikthen korçarët në valle për titull.

Një ditë më parë Laçi humbi 3-0 me Teutën dhe ndeshja tjetër mes Kastriotit vendas dhe Kukësi u mbyll në epërsi 2-1 për verilindorët.

Skënderbeu fitoi 2-0, në shtëpi ndaj Kamzës.

Në minutën e 12’ Vangjeli nisi me një top të gjatë sulmuesin Oto John dhe ky i fundit mposhti me lehtësi portierin e Kamzës. Skuadra e Klodian Duros reagoi menjëherë dhe vetëm pak minuta më vonë fitoi një 11-metërsh, por Sebino Plaku e dërgoi topin mbi portën e  Teqjas.

Në minutat shtesë, Dejvi Bregu, realizoi me goditje dënimi golin e sigurisë duke mposhtur portierin Avduli, 2-0.

Kamza zhvilloi një ndeshje të mirë, dhe pati raste në pjesën e dytë, ndërsa më tej trajneri Klodian Duro pret votëbesimin e klubit.

Java e nëntë mbyllet nesër me ndeshjen Flamurtari-Tirana, ndeshje që do të luhet në Vlorë. Në këtë takim debuton trajneri i ri i Tiranës, Ardian Mema, i cili ishte deri tani ndihmësi i Ilir Dajës në stolin vlonjat. Gjithsesi, pavarësisht rezultatit në Vlorë kryesimi nuk ndryshon as këtë javë.

Mbyllet me kryesimin e Partizanit faza e parë, ndërsa faza e dytë nis me kryendeshjen, Partizani-Skënderbeu, ndeshje që do të luhet në Tiranë.

Të besuarit e Skënder Gegës të vetmen humbje deri tani kanë atë në Korçë, në javën e parë me Skënderbeun, ndeshje që prodhoi edhe incidente të shumta.

 

Partizani-Luftëtari 2-1

21′ Mensah, 55′ (11-m) Telushi / Shkurtaj 40’

Partizani: Xhika, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Telushi, Hila, Asani (87’ Çinari), Mensah (67′ Kalari), Mala (81′ Kote), Bardhi. Trajner: Skënder Gega

Luftëtari: Ruçi, Liçaj (83′ Demo), Hoxha, Rapa, Xhekson, Ramadani, Rapo, Radoviç, Milosavljev (58′ Rroca), Ymeraj, Shkurtaj (53′ Dunga). Trajner: Gentian Mezani

Gjyqtarë: Kreshnik Cjapi, Orgest Grabova, Mario Shazivari, (Emirion Sino)

Kartonë të verdhë: Atanda, Kote/Liçaj, Milosavljev, Ramadani

 

Kategoria Superiore

Java e 9-të/ Sot

Partizani-Luftëtari   2-1

Skënderbeu-Kamza  2-0

Dje

Laçi-Teuta                  0-3

Kastrioti-Kukësi        1-2

Nesër

Flamurtari-Tirana (18:00)

 

Klasifikimi

Partizani            22

Skënderbeu       20

Kukësi                16

Laçi                     16

Teuta                  14

Flamurtari         11

Tirana                 8

Kamza                 7

Luftëtari             6

Kastrioti             4

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: