Panucci: Shqipëria nuk është Brazili, as Franca

Panucci: Shqipëria nuk është Brazili, as Franca
Lidhur me ecurinë e deritanishme trajneri i Kombëtares Christian Panucci u shpreh: E respektoj Shqipërinë, por mos harroni që ne nuk kemi lojtarë që luajnë në gjysmëfinale të Champions-it

Aranit Muraçi

Trajneri i Kombëtares, Christian Panucci, lidhur me faktin se kampionati shqiptar nuk figuron në listën me 25 lojtarë që ai shpalli për miqësoren me Jordaninë dhe ndeshjen zyrtare të Ligës së Kombeve kundër Izraelit, ia delegoi ndihmësit të tij Ervin Bulku, këtë të drejtë. “Nëse ka pak që vijnë Kombëtare nga kampionati, ka pak, por nëse vjen ndonjë lojtar më sinjalizohet nga Bulku. Ai vëzhgon gjithçka, nëse ka ndonjë interesant”, - theksoi Panucci. Ai shtoi se ka ftuar një ish-lojtar të kampionatit shqiptar, Myrto Uzuni. - “Uzuni është lojtar, që luan prej 5 ndeshjesh te Lokomotiva, lojtar i cili ka karakteristika të ndryshme nga ata që kemi në ekip. Gavazaj po luan pak. Në Europë ka pak shqiptarë që luajnë në Shqipëri. Vitin e kaluar ishte Guri, e mblodha. Kur ka lojtarë interesantë i thërras, nëse ka ndonjë që bie në sy kur shkon jashtë, shkoj ta shoh.” Mungesën e Kristal Abazaj e justifikoi me pyetjen, “Sa ka që nuk luan Abazaj? Ka 4 muaj që nuk luan, pretendon të shkojë në Kombëtare. Këtyre u ka ikur mendja? Unë mërzitem edhe se nuk e shoh në pankinë, ndërsa ai mërzitet se nuk e grumbullova. Nëse është mërzitur, të përveshë mëngët e të lodhë b…”

U konsiderua disi tallës pretendimi i Panucci, i cili në fakt tha një të vërtetë të madhe, se kërkohet sukses vetëm në Kombëtare, kur klubet shqiptare nuk arrijnë dot të futen në fazën e grupeve të Kupave të Europës, ndryshe nga thuajse të gjitha vendet e tjera të Ballkanit. Po ashtu edhe ata që vijnë nga jashtë nuk janë pjesë e skuadrave të mëdha, që marrin pjesë në fazat e avancuara të Champions, me përjashtim të mbrojtësit Hysaj, i cili është titullar me Napolin.  - “Më duhet të ma dëshmojnë disa prej lojtarëve se çfarë do të thotë të jesh në ekipin Kombëtar. Në çdo moment, ai që është në shënjestër është Panucci. Për mua ekipi Kombëtar është maksimalja. Ne nuk kemi lojtarë që luajnë në gjysmëfinalet e Champions-it. Nuk jemi as Brazili as Franca. Duhet të më dëshmojnë seriozitet disa prej lojtarëve. Rini të qetë. E respektoj shumë Shqipërinë”, – theksoi Panucci.

Lidhur me ndeshjet e mbetura zyrtare, ndaj Izraelit dhe Skocisë, trajneri kuqezi tregoi optimizëm se rikuperimi mund të vijë në rast se shmanget humbja në Izrael. “Nëse fitojmë ndaj Izraelit, jemi 2 ndeshje larg Europianit. Dua të kuptoj se çfarë është kombëtarja për ndonjë lojtar.”

Para ndeshjes me Izraelin, kuqezinjtë do të luajnë më 10 tetor në “Elbasan Arena” përballë Jordanisë, në një miqësore. - “Kemi 5 ditë për të përgatitur ndeshjen. Nga ndeshja me Norvegjinë na mungojnë 45% e lojtarëve. Edhe Barcelonës  hiqi lojtarët më të mirë dhe  flasim. Nuk kam pjesën më të madhe të lojtarëve që të bëj diçka për të shkuar në Europian. Nuk po flas për Kosovën e Ukrainën, ku më mungonin 12 lojtarë. Mavraj që nuk luan prej shumë muajsh po rikuperohet dhe po ashtu Grezda,  lojtarë që shpresoj t’iu japim minuta me Jordaninë, por duhet të ndryshoj diçka në mënyrën sesi shkojmë te goli”, tha trajneri Christian Panucci. Ai shtoi se disa nga titullarët si “Mavraj, Gjimshiti, Grezda, Binaku duhet të luajnë, sepse kam nevojë t’u jap minuta këtyre. Nëse luajnë 45 minuta apo 60, pastaj të shohim, në mënyrë që të aktivizoj ekipin që kam në kokë ndaj Izraelit.”

A e mendon largimin nëse humb me Izraelin?

Panucci: Jo, jam i lumtur që drejtoj Shqipërinë

Trajneri Panucci foli për të ardhmen pas ndeshjes me Izraelin, ku është përfolur edhe shkarkimi pasi mund të cenohet objektivi i kualifikimit në Euro 2020. Trajneri tha se kjo është në varësi të presidentit Armand Duka, ndërsa shtoi: “A largohem unë? Jo, unë jam shumë i lumtur që drejtoj Shqipërinë. Por kam nevojë të shkoj me të gjithë në luftë. Nëse presidenti vendos që problemi është Panuçi, atëherë ik. Unë e lashë futbollin me 2 vite kontratë e u largova nga Palermo. Duhet vlerësuar puna, pastaj nëse Panucci ka një fat dhe fiton një 0-3, mund të shkojmë në Europian. Unë fle i qetë, se mendoj 24 orë në 24 për Shqipërinë, asgjë tjetër.”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: